Bayern Munich shiti Robert Lewandowskin te Barcelona, ndërkohë që Cristiano Ronaldo përflitet si zëvendësuesi i bomberit polak në majën e sulmit të kampionëve të Gjermanisë.
Ylli portugez po insiston për t’u larguar nga Manchester United, por në Bavari kanë dilema të mëdha nëse afrimi i tij do ishte i duhuri. Drejtori sportiv i Bayernit, Hasan Salihamidzic i ka mbyllur dyert përfundimisht pesë herë fituesit të “Topit të Artë”.
“Kam shumë respekt për Cristiano Ronaldon, për karrierën që ka zhvilluar dhe çfarë ka fituar. Megjithatë, e përsëris se nuk ka qenë dhe nuk është objektivi ynë”, deklaroi boshnjaku për Sport 1.
Ndërkohë, Julian Nagelsmann është i bindur që e ka në skuadër pasardhësin e polakut. Në prononcim për Sky Sport, trajneri i Bayernit u shpreh: “Kemi disa opsione, Sadio Mane mund të jetë zëvendësuesi i Lewandowskit në sulm.
Do të duhet të ndryshojmë pak stilin tonë të lojës, sepse humbëm një qendërsulmues të aftë për të shënuar 40 gola në sezon.
Në të njëjtën kohë, ky largim paraqet një sfidë dhe mundësi të madhe për të gjithë lojtarët tanë të tjerë”, theksoi trajneri gjerman.