“A mendoni se jam portugezi më i mirë? Prisni derisa të shihni Fábio Paím”, – tha Cristiano Ronaldo më 2003. 20 vite pas kësaj fraze, CR7 është vendosur si një nga më të mëdhenjtë në historinë e futbollit, ndërsa Fábio Paím, i cili është 35 vjeç, ndodhet në burg.
Fábio Miguel Malheiro Paím lindi në Estoril (Portugali) më 15 shkurt 1988 dhe shumë shpejt u bë premtimi i madh i futbollit portugez. Ai iu bashkua ekipit të të rinjve të Sporting Portugal në moshën 9-vjeçare dhe debutoi në moshën 16-vjeçare me C.D. Olivais e Moscavide. Po kështu provoi të luante me Paços de Ferreira dhe Trofense.
Në moshën 13-vjeçare, Fábio Paím kishte fituar tashmë 376.000 euro dhe në moshën 16-vjeçare fitonte më shumë se 20.000 euro në muaj, sipas “Sphera Sports”. Në vitin 2008 ai nënshkroi për Chelsea në Premier League, duke fituar 57.000 euro në muaj, por luajti vetëm në ekipin rezervë londinez dhe u kthye në Portugali katër muaj më vonë për të nënshkruar me Rio Ave.
Real Massamá, Torreense, 1º Agosto, Benfica Luanda, Al Kharaitiyat, Oliveirense, Mosta, Nevezis, Union 05 (ku u përjashtua pas një akuze për përdhunim), Sintra Football, Paraíba do Sul, Leixões dhe LZS Starowice ishin klubet e tjera të futbollit, ku nuk gjeti vendin e duhur për të lulëzuar talentin e tij si profesionist.
Në gusht 2019, jeta e Fábio Paím mori një kthesë dramatike, kur u arrestua nga policia në Estoril për posedim të drogave të paligjshme (5 gram kokainë). Futbollisti u mbajt për një vit në një qeli pranë “Cidade do Futebol”, kompleksit të Federatës Portugeze të Futbollit, nga ku mund të shikonte Cristiano Ronaldon duke u stërvitur, me dyshimin për trafik droge, përpara se të shpallej i pafajshëm.
“Burgu në të cilin ndodhesha është pranë fushës ku stërvitet kombëtarja e Portugalisë, kështu që munda t’i shihja lojtarët duke u stërvitur çdo ditë për kualifikueset e ‘Euro 2020’. Isha atje për një arsye, por i thoja vetes: Ah, Cristiano është atje. Duhet të jem edhe unë atje.. .Burgu ishte vërtet i vështirë për mua dhe familjen time. Burgu nuk ishte vend për një fëmijë si unë”, – kujton ai.
Në vitin 2020 pati përvojën e tij të fundit në futboll, duke provuar fatin te LZS Starowice në divizionin e tretë të Polonisë. Gazeta “The Sun” thekson se karriera e Fábio Paím “ra në errësirë për shkak të famës, parave dhe stilit të tij shthurur të jetës. Ai më pas arriti fundin, kur kaloi një vit në burgun famëkeq Caxias”.
Fábio Paím pranon në tabloidin britanik se e hodhi poshtë karrierën e tij të futbollit për shkak të parave, famës, femrave, alkoolit dhe festave: “Nuk dua që askujt t’i vijë keq për mua. Kjo ishte zgjedhja ime, ishte gabimi im. Isha vërtet një futbollist i veçantë. Duhet të isha i përulur, por kjo është e vërteta. Fatkeqësisht atëherë nuk kishte Instagram apo Facebook, asgjë nuk u regjistrua si sot.
Kur luaja, nëse do të kisha pasur të njëjtin përkushtim si Cristiano Ronaldo, do të isha më i mirë se ai. Nëse flas për teknikën, isha më i mirë. Unë isha një Ronaldinho i vogël. Por siç e shohim, nuk është teknika që na çon kudo, – tha ish-futbollisti portugez. – Jam i bindur se mund ta kisha fituar ‘Topin e Artë’.
Fatkeqësisht për mua, kam lindur me talent. Meqenëse fitova shumë para, pata iluzionin se nuk më duhej mundi. Është e pamundur që një person si unë të jetë milioner. Jam penduar për disa nga vendimet. Tani jam në një moshë tjetër dhe mund ta shoh në një këndvështrim tjetër. Talenti nuk më mungonte, por mendja po”. /telesport/