×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Daçiq: SHBA-ja e porositi Kurtin se duhet ta formojë Asociacionin

    Insajderi
    01 June 2023 - 12:21
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiq, tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë porositur kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, se duhet të formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

    Zyrtarët amerikanë kanë thënë më herët se si Kosova, ashtu edhe Serbia duhet t’i kryejnë të gjitha obligimet e marra gjatë dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

    “Prishtina është mësuar të jetë e preferuara e Perëndimit dhe nuk është përballur me kërcënime deri më tani. Këtë që e kanë thënë amerikanët, nuk mund ta dëgjoni nga goja e evropianëve”, tha Daçiq për Televizionin Prva të Serbisë.

    Siç raporton agjencia serbe e lajmeve, Beta, ai vlerësoi se tensionet në veri të Kosovës janë shkaktuar nga “veprimet e njëanshme të autoriteteve në Prishtinë”.

    “Prandaj tani, në vend të normalizimit në Kosovë, kemi përshkallëzim të dhunës”, tha Daçiq.

    Ai shtoi se zgjedhjet e reja në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, janë zgjidhje, por se tani “është më e rëndësishme të qetësohet situata”.

    Daçiq tha se qëllim i Beogradit është që serbët t’i kenë të drejtat e tyre.

    “Ne jemi të gatshëm ta mbrojmë popullin tonë, por shpresojmë se nuk do të ketë nevojë për këtë”, tha Daçiq.

    Komuniteti ndërkombëtar diplomatik, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Francës, si dhe vendet tjera të shteteve të QUINT-it, e kanë bërë Qeverinë e Kosovës fajtore për tensionimin e situatës në veri të vendit.

    Tensionet në veri të Kosovës u rritën qysh më 26 maj, kur Policia e Kosovës ndihmoi kryetarët shqiptarë të komunave me shumicë serbe të hyjnë në zyrat komunale, përkundër rezistencës së banorëve lokalë./REL/.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark