Drejtoresha e Arsimit në komunën e Gjilanit, Albana Demiri, i ka ftuar të gjitha mësimdhënëse gra të marrin pjesë në takimin me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiun, në kuadër të 16 Ditëve të Aktivizimit Kundër Dhunës në Baza Gjinore.
“Takimi do të mbahet në ora 12:00, në Teatrin e Qytetit”, thuhet në thirrjen e saj për drejtorët e shkollave të Gjilanit, thirrje kjo që më pas është shpërndarë tek mësimdhënëset e shkollave të Gjilanit, të cilën e ka siguruar Gazeta Insajderi.
Këtij urdhëri nga pushteti duket se i janë bindur disa mësimdhënës, por që numri i saktë nuk dihet.
Këto dy fotografi janë shkrepur gjatë takimit të sotëm me ministren Haxhiu në Gjilan.
Mbrëmë ekskluzivisht Gazeta Insajderi ka treguar se si një drejtoreshë e një shkolle në Gjilan me urdhër të DKA-së i ka ftuar të gjitha punonjëse e saj gra të marrin pjesë në aktivitetin ku do të flasë e para e drejtësisë.
Drejtoresha e një shkolle në Gjilan, me emrin Dashurie Leka Shaqiri, i ka ftuar të gjitha mësimdhënëset gra që të jenë pjesë të takimit, që pritet të nisë sot rreth orë 12:30.
“Nesër të gjitha mësimdhënëset (femrat) janë të ftuara, njëkohësisht edhe të obliguara nga DKA-ja që të jenë pjesëmarrëse në takimin me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiun”, thuhet në ftesën e saj të bërë mbrëmë rreth orës 20:00, të cilën e ka siguruar Gazeta Insajderi.