Partia Demokratike e Kosovës ka thënë se ka dalë parti e parë në zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit, në një konferencë të jashtëzakonshme për media.
Anëtari i PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se PDK ka fituar në të gjitha komunat.
“Si Parti Demokratike e Kosovës i ftojmë komisionerët dhe vëzhguesit që të jenë vigjilentë deri në numërimin e votës së fundit të qytetarëve të Kosovës. PDK do të jetë parti e parë në të gjitha komunat e Kosovës dhe jemi të sigurt që do të fitojmë kur të numërohet edhe vota e fundit në këtë proces”, ka thënë Tahiri, raporton Insajderi.
Kjo konferencë e PDK-së ka ardhur pas publikimit të rezultateve të exit-polleve, të cilat e kanë vendosur Vetëvendosjen si parti të parë nga zgjedhjet e 6 tetorit. /Insajderi.com