Përfaqësuesja e Kosovës në futsall po vazhdon përgatitjet për ndeshjen e fundit në kuadër të kualifikimeve të fazës “Main Round” për Botërorin 2024, kundër Holandës.
Kjo ndeshje zhvillohet të premten (më 3 mars) në orën 17:00, në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë.
“Dardanët” kanë filluar përgatitjet të dielën dhe po i zhvillojnë nga dy seanca stërvitore në ditë nën udhëheqjen e përzgjedhësit të ri, Agon Ramadani, me ndihmësit Getart Hyseni dhe Arbnor Krasniqi.
Kosova ende ka gjasa për kualifikim, por duhet që kundër “Tulipanëve” të shënojë fitore me dy gola epërsi dhe njëherësh të shpresojë që në ndeshjen e fundit të grupit, Ukraina ta mposhtë Holandën. Përzgjedhësi Ramadani ka shprehur shpresën se përkundër mungesave të rëndësishme, do të arrijë ta implementojë idetë e tij dhe ekipi të nxjerrë maksimumin në këtë ndeshje. Ai ka thënë se entuziazmi dhe dëshira e lojtarëve të rinj për t’i shfaqur vlerat në këtë përballje, por edhe fakti që luajnë në shtëpi, i jep shpresë se do të mund të nxjerrin rezultatin që u nevojitet.
Ndërkaq, Ramadan Alaj ka thënë se ndeshja me Holandën është përcaktuese, prandaj do t’i qasen këtij dueli me dëshirë të madhe për fitore. Grupin e kryeson Ukraina nëntë pikë, Holanda është e dyta me tri pikë dhe Kosova e fundit pa pikë.