Emri i Bekim Sejdiut po qarkullon si një kandidat konsensual për president, parimisht i dakorduar mes kryetarit të LVV-së, Albin Kurtit, dhe kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhikut.
Për Sejdiun ka folur edhe ish-deputeti Ilir Deda, i cili e ka vlerësuar lart figurën e tij, duke e cilësuar si një intelektual dhe person që i njeh mirë interesat e Kosovës.
Deda ka thënë se shpreson që emri i Sejdiut nuk po përdoret për lojëra partiake, por se ai do të jetë zgjidhja përfundimtare e negociatave mes LVV-së dhe LDK-së.
“Bekim Sejdiu do t’i bënte nder Kosovës, nëse zgjidhet për të parin e vendit. Me integritet të rrallë intelektual, i matur, që e din shumë mirë politikën e jashtme dhe interesat e Kosovës, si dhe mbrojtës i vërtetë i Kushtetutës, me vetëdije e ndjeshmëri për barazinë e grupeve etnike në vend – kishte me e transformu presidencën me urtësinë e domosdoshme. Kosovës i duhet një president i aftë që ta ushtrojë me nder këtë rol, dhe sinqerisht shpresoj që emri i Bekimit nuk është duke u keqpërdorur në lojëra partiake, por është zgjidhja përfundimtare e negociatave të LVV dhe LDK”, ka shkruar ai në Facebook.