×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Degradimi i madh i “Pastrimit” dhe pastërtisë së kryeqytetit

    Insajderi
    29 April 2023 - 20:46
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    “Pastrimi”, një ndërmarrje që deri para dy- tre vjetësh ishte goxha e përgjegjshme, e rregulltë dhe e përkushtuar, dhe që ia dilte goxha me sukses të përkujdeset për pastërtinë e Prishtinës, duke iu përmbajtur saktësisht ditëve kur do të bartej bërllogu nga secila lagje e rrugë të kryqytetit, tani nuk është as hija e saj. Në Taslixhe më nuk vlen dita e martë, kur ishte e sigurtë që do të zbrazeshin kontejnerët dhe do të grumbulloheshin mbeturinat shtëpi për shtëpi. Në Taslixhe, por edhe në shumicën e lagjeve dhe rrugëve të Prishtinës, tani mbeturinat po ndodhë të mos barten edhe me nga 2 e më shumë javë. Pse realisht po ndodhë ky degradim, kthim prapa? Pse po tregohet kaq e pafuqishme Komuna e Prishtinës dhe autoritetet e saj, për të intervenuar në gjetjen e zgjidhjes, ose të rikthimit së paku në gjendjen kur “Pastrimi” ia dilte të kryente obligimin e vet?

    “Qentë vërshojnë Prishtinën”, është titull i përditshëm i medieve të Kosovës tani e një kohë të gjatë. Ka jo pak lajme në mediet tona edhe për viktimat e sulmeve të qenëve të shumtë endacakë, të cilët gjithandej nëpër rrugët dhe lagjet e kryeqytetit, ka kohë që thuaja se janë ambientuar dhe bëjnë jetën e tyre, në raste pra, edhe duke sulmuar njerëzit dhe duke frikësuar sidomos fëmijët.

    “Qentë endacakë vërshojnë zonat urbane në kërkim të ushqimit, sidomos kur në këto zona shpërfaqet bërllogu, plehrat, dhe papastërtia. Ata të joshur nga kontejnerët e stërmbushur dhe thasët e bërllokut të lënë me ditë e javë në shumë rrugë e lagje të Prishtinës, vijnë edhe nga zona goxha të largta rurale”, thotë një ambientalist i njohur, i cili e preferon anonimitetin.

    Sipas tij, në këtë mënyrë, tani e sa javë e muaj janë mbushur rrugët e kryeqytetit me qenë endacakë, të cilët parakalojnë nëpër to ditën dhe natën, duke kërcënuar në jo pak raste banorët e Prishtinës, sidomos gratë, të moshuarit dhe fëmijët.

    Pse gjithë kjo papastërti në rrugët e Prishtinës? Pse është degraduar së fundi në këto përmasa pastrimi i kryeqytetit, bartja e bërllogut dhe zbrazja e kontejnerëve? Edhe një varg pyetjesh të ngjashme shtrohen domosdo, në rast se i bëhet vetëm një vizitë, qoftë edhe sipërfaqësore lagjeve dhe rrugëve të kryeqytetit, për të parë papastërtinë ngulfatëse, kontejnerët e stërmbushur dhe me ditë të tëra të pa zbrazur, thasët e najllonit me bërllog gjithandej, dhe jo vetëm në vendet e caktuara për grumbullimin e bërllogut.

    Stivat me bërllog dhe thasët e mbushur me mbeturina vërehen gjthandej, edhe në rrugët e qendrës, ndërsa në ato periferike, gjendja s’ka më keq si të jetë. Edhe të mërkurën (më 26 prill 2023) kudo vërehej dominimi irritues i kontejnerëve të stërmbushur gjithandej nëpër rrugët e kryeqytetit. Për “faqe të zezë” dukej zona në hyrje të Prishtinës nga Veterniku, sidomos të Rrethi i madh, rruga përgjatë Shkollës së Mjekësisë, ku në çdo disa metra ishin stivuar thasë me bërllog, kese të mbushura me mbeturina dhe binin në sy si është më së keqi. Këto pamje çoroditëse dhe irrituese pa masë te Rrethi i madh, me ditë, javë e muaj të tërë, i shohin edhe të huajt, ata që nuk janë numër mospërfillës që hynë e dalin nga Prishtina, qoftë nga shkaku i angazhimit të tyre me punë këtu, qoftë si vizitorë që duan ta shohin kryeqytetin e Kosovës. Dhe, kanë çka të shohin. E shohin ‘pasqyrën’ tonë dhe çuditen si mund të bashkëjetohet me këtë papastërti, me këto pamje të zymta, që, siç thuhet dhe siç raportohet, rrallë kund i has njeriu.

    Nëse vazhdon kështu të mos preokupohet askush, as nga zyrtarët komunal, as nga ata të pushtetit qendror, me këtë trend dhe këtë ritëm të ndotjes dhe papastërtisë dhe të mospërfillet nga askush kjo “damkë” e jona, së shpejti Prishtina, do të jetë sinonim i bërllogut në qendrat urbane të botës.

    Pse heshtin zyrtarët e komunës dhe të “Pastrimit” rreth gjendjes shqetësuese të krijuar nga vërshimi i bërllogut në kryeqytet?

    Buletini Ekonomik, më 12 prill (2023), që i bie tani e 15 ditë të plota, i ka dërguar stafit aktual të kompanisë “Pastrimi” pyetje për interesimet për shkaqet e çrregullimit të ndjeshëm të pastrimit të kryeqytetit, gjegjësisht ngecjes së transportit të bërllogut dhe zbrazjes së rregullt të kontejnerëve?

    Rreth kësaj çështjeje, redaksia ka komunikaur edhe me zëdhënësen e kompanisë “Pastrimi, Arbnore Ademi, por deri në përmbylljen e këtij shkrimi nuk është kthyer ndonjë përgjigje. Ademi, gjatë komunikimit përmes telefonit, nuk ka dhënë asnjë arsye pse nuk ka ndonjë përgjigje rreth interesimeve tona, sikundër që nuk ka thënë as një fjalë të vetme për të sqaruar dhe saktësuar për publikun se cila është gjendja ekonomiko- financiare në kompaninë “Pastrimi” dhe cilat janë shkaqet reale të problemeve të rishfaqura. Sikundër që nuk ka dhënë përgjigje as në pyetjen se ku dhe në çfarë mënyre e sheh zgjidhjen stafi aktual i kompanisë. Dhe, në këtë kontekst, çka duhet bërë urgjentisht dhe çka në periudhë më të gjatë? Cilat makineri i mungojnë “Pastrimit” në Prishtinë, dhe pse nuk po sigurohen kamionët që mungojnë?

    Buletini Ekonomik nuk ka marrë përgjigje as rreth idesë së ndarjes së kompanisë nga një njësi e vetme siç është tani, në ndërmarrje pastrimi të komunave veç e veç, të cilat deri tash vazhdojnë ta përbëjnë kompaninë (Prishtina, Obiliqi, Fushë-Kosova, Lipjani dhe Podujeva), përkatësisht se a ka ndonjë analizë rreth këtij organizimi?

    Pak a shumë, Buletini Ekonomik, interesim të përafërt ka shfaqur edhe te zyrtarët e komunës së Prishtinës. Më konkretisht, po më 12 prill i janë dërguar me shkrim nënkryetarit të Komunës së Prishtinës, Alban Zogajt dhe njëkohësisht zëdhënëses së komunës së Prishtinës pyetjet se si i vlerëson udhëheqja e komunës së Prishtinës vështirësitë dhe problemet e rishfaqura të Kompania “Pastrimi” dhe në këtë kontekst çrregullimin e ndjeshëm të pastrimit të kryeqytetit në javët e fundit? Mirëpo deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi, ende nuk ka ndonjë përgjigje.

    Nga ana tjetër, punëtorë të vjetër të “Pastrimit”, që nuk deshën në asnjë mënyrë të bëhen publik emrat e tyre, flasin goxha me nostalgji për një periudhë disa vjeçare të mirë të kësaj kompanie, më konkretisht, siç përmendin ata, për vitet 2012-2019, kur “Pastrimi” funksiononte goxha mirë dhe suksesshëm dhe ishte imponueshëm dhe suksesshëm i rregullt në mbajtjen e pastërtisë së kryeqytetit dhe zbazjes me rregull dhe sipas termineve te përcaktuara. Ata kanë veçuar edhe një emër të përveçëm të drejtorit të dalluar, që, sipas tyre, e ka menaxhuar efektshëm kompaninë dhe ka mbajtur mbresëlënshëm pastërtinë e Prishtinës.

    Sipas tyre, Feim Salihu, brenda 7-8 vjetëve sa ka qenë në krye të Pastrimit, kishte arritur ta mirëmbajë sukseshëm pastërtinë e kryeqytetit, ka menaxhuar mirë me resurset e kompanisë dhe ka arritur të sigurojë makineri të mjaftueshme të bollshme për nevojat për të mbajtur goxha pastër Prishtinën.

    Në periudhën 2011-2018, sipas tyre, nuk ka ndodhur të tejkalohen terminet për bartje të bërllogut nga secila lagje e këtij qyteti.

    M.B., një banor i moshuar i Taslixhes, e kujton fare mirë periudhën kur nuk ka ndodhur, as në shi as në borë, që të dështojë ardhja e kamionit të marteve, që me mëngjes, për ta bartur bërllogun nga rrugët e kësaj lagjeje. Sipas tij, tani po ndodhë goxha shpesh që të tejkalohet e marta.

    “Ndodhi, madje, para një muaj e ca që në Taslixhe nuk erdhi kamioni për më shumë se dy javë të plota dhe me këtë rast na vërshoi bërllogu, por edhe qentë endacaktë u bënë rrezik për fëmijtë e lagjes”, ka rrëfyer ai për Buletinin Ekonomik.

    Të nxitur nga parafolësit dhe me shpresë për të siguruar informacion të mjaftueshëm për trajtimin më të gjithanshëm të temës rreth interesimeve tona kërkuam përgjigje edhe te Feim Salihu, ish kryeshef ekzekutiv në kompaninë “Pastrimi”, tani e sa vite pensionist, dhe një njohës me përvojë të mirë të kësaj fushe.

    Në pyetjen e drejtpërdrejtë se si e shpjegon ai këtë papastërti që ka ditë e javë që e ka kapluar kryeqytetin dhe ku qëndrojnë shkaqet e kësaj ngulfatje të Prishtinës nga bërllogu, z. Salihu u përgjigj se shkaqet për këtë ngulfatje të kryegytetit qe një kohë të gjatë janë pasojë e një menaxhimi jo të mirë dhe jo të duhur në të e gjitha aspektet.

    “Ndërmarrjen “Pastrimi”, kur unë kam dhënë dorëheqje nga pozita e kryeshefit ekzekutiv e kam lënë në një gjendje shumë të mirë. Mund të them lirisht se në atë kohë ka qenë një nga ndërmarrjet e pakta në Kosovë që kishte arritur ta mbajë veten pa asnjë vëshirësi financiare, por edhe në aspektin e mekanizmit. Ndërmarrja nuk ka pasur asnjë borxh ndaj operatorëve, ose institucioneve, përveç deponisë me të cilën kemi qenë në procedura gjyqësore për borxhin nga periudha e kaluar”, ka thënë Salihu.

    Sipas tij, pamja e shëmtuar e grumbujve të mbeturinave në kryeqytet është rrjedhojë dhe pasojë e papëgjegjësisë së kryerjes së obligimeve që ka kjo ndërmarrje si operator i kontraktuar nga Komuna e Prishtinës për kryerjen e grumbullimit dhe transportimit të mbeturinave deri në deponi, për të gjithë territorin e kryeqytetit. Salihu thotë se është për të ardhur keq pse “Pastrimi”, në bazë të gjendjes aktuale, ka degraduar në përmasa të gjunjëzimit vetëm e vetëm për shkaqe të menaxhimit të keq, madje katastrofal të ndërmarrjes viteve të fundit.

    “Ndërmarrjen e kam lënë me mbi 2 milionë euro në llogaritë e saj, mjete këto, me të cilat planifikohej të shfrytëzoheshin për blerjen e aseteve të reja për grumbullimin dhe bartjen e mbeturinave. Megjithatë, nga pamjet që shihen nëpër rrugët e kryeqytetit, gjendja aktuale e aseteve është shumë e keqe. Kamionët, një numër i tyre janë vjetruar, ndërsa siç shihet, një numër i kamionëve janë blerë të vjetër dhe si të tillë nuk plotësojnë nevojat për largimin efikas të sasisë së mbeturinave nga pikat në kryeqytet dhe fshatrat përreth. Pastrimi ka nevojë të pajiset me makineri të re dhe për një përkujdesje të përgjegjshme, sikundër në kohën kur isha në krye të kësaj kompanie”, ka thënë në vazhdim Feim Salihu.

    Sipas tij, në vitet 2011-2018, kur ai ka qenë në krye të kompanisë, në fokus ishte koncentrimi në ngritjen e ndërmarrjes në aspektin financiar së pari, në arkëtimin e borxheve të vjetra nga klientët dhe pastaj në blerjen e aseteve të reja dhe zëvendësimin e atyre të vjetruarave.

    “Gjatë asaj periudhe është arritur që në autopark të kemi mbi 100 automjete për kryerjen e punëve në grumbullimin e mbeturinave. Ndërsa, nga ajo që shihet sot, nuk mund të bëhen krahasime rreth numrit të mekanizmit me kohën kur kam qenë në krye të kompanisë”, thotë Salihu.

    Është e dhimbshme, sipas tij, gjendja aktuale e “Pastrimit”, që në vend se të shënonte një përparim për çka i kishte trashëguar të gjitha parakushtet, të kishte më shumë mekanizëm (kamionë dhe automjete të tjera të nevojshme), ndërmarrja ka reduktuar maksimalisht numrin e kamionëve dhe mekanizmit tjetër. Jo vetëm që nuk ka ripërtëritje të mekanizmit, por ai tashmë është zvogëluar numerikisht në përmasa të frikshme.

    “Ne pas stabilitetit financiar dhe tejkalimit të shumë vështirësive të tjera, bënim plane vetëm për përmirësimin e shërbimit ndaj qytetarëve dhe bënim përpjekje të vazhdueshme për të përmbushur obligimet ndaj komunës së Prishtinës, nga e cila paguheshim për punën në baza mujore si operator i kontraktuar”, ka thënë në vazhdim Salihu.

    Një ndërmarrje, që deri para dy-tre vjetësh ishte goxha e përgjegjshme, e rregulltë dhe e përkushtuar, dhe që ia dilte goxha me sukses të përkujdeset për pastërtinë e Prishtinës, duke iu përmbajtur saktësisht ditëve kur do të bartej bërllogu nga secila lagje e rrugë e kryqytetit, tani nuk është as hija e saj.

    Tani në shumicën e lagjeve dhe rrugëve të Prishtinës, mbeturinat po ndodhë të mos barten edhe nga 2 e më shumë javë. Një inspektim sipërfaqësorë nëpër rrugët e Prishtinës e ka dëshmuar katërcipërisht këtë.

    “Po, kjo është një gjendje të cilën e shohim çdo njëri nga ne si qytetarë të Prishtinës, dhe nuk është fare një pamje që do t’i shërbente për mirë kryeqytetit. Jo vetëm që nuk respektohet orari për grumbullim, por ka lokacione ku me ditë e me javë nuk kryhet shërbim ndaj qytetarëve, të cilët realisht obligohen të paguajnë për shërbimin. Dhe kjo nuk është korrekte nga ana e menaxhmentit të “Pastrimit”. Komuna e Prishtines ka mbetur akoma pa fuqi të plotë, për arsye që kjo ndërmarrje është e karakterit regjional dhe jo ndërmarrje komunale, dhe kjo ia vështirëson komunës për të marrë veprimet e duhura për të kthyer gjendjen në normalitet”, ka thënë Salihu.

    Në këtë ndërmarrje janë 5 komuna aksionare, që do të thotë edhe 4 komuna të tjera përveç Prishtinës. Andaj, vendimet dhe gjithçka tjetër merren si të barabarta edhe për Prishtinën, e cila ka mbi 77% të aksioneve, edhe të komunave që kanë ndoshta edhe vetëm 3% të aksioneve. Dhe kjo mënyrë e organizimit “nuk është korrekte, por as e efektshme”, ka thënë Salihu.

    Prandaj, dikush në komunën e Prishtinës, duhet ta analizojë më gjithanshëm idenë e ndarjes së “Pastrimit’, edhe për faktin e krijimit të parakushteve organizative për të qenë më të efektshëm. Nuk ka asnjë logjikë që anëtari i bordit nga Drenasi, si përfaqësues te “Pastrimi” ta ketë njësojë të drejtën e një vote, sa përfaqësuesi i Prishtinës, për të vendosur për ndonjë vendim të bordit të kësaj kompanie, qoftë për blerjen e ndonjë kamioni apo aseti tjetër të domosdoshëm për të qenë më të efektshëm në pastrimin e kryeqytetit.

    “Pastrimi” në vitet 2011-2018 ishte një ndërmarrje solide dhe me performancë të lakmueshme në ushtrimin e veprimtarisë, me rreth 150 mijë klientë dhe të hyra vjetore të krijuara prej 3.2 deri në 7 milionë euro, të gjitha me afarizmin vetanak, pa ndihma nga jashtë.

    Në këtë periudhë, vetëm në një rast “Pastrimi” ka marrë 2 cisterna si donacion dhe 50 mijë euro ndihmë nga Komuna e Prishtinës për të përmbushur obligimet ndaj deponisë. Dhe, në këto rrethana, kishte arritur të ketë rreth 100 kamionë për nevojat e bartjes së bërllogut, të gjithë në gjendje të mirë teknike. Nga ta, gjithmonë në pastrimin e kryeqytetit kanë qenë të angazhuar rreth 25 kamionë, që kanë mjaftuar për ta realizuar suksesshëm planin e bartjes së bërllogut sipas termineve të secilës lagje e rrugë të Prishtinës.

    Në fund të vitit 2018 “Pastrimi, kishte gjithsej 300-350 punëtorë, ndërsa sot “Pastrimi” nuk është në gjendje të ketë 3-4 kamionë për nevojat e pastrimit të kryeqytetit, ka rreth 900 punëtorë, prej të cilëve një numër të stërmadh të angazhuar në administratë dhe shumë nga ta nuk dihet se çka punojnë dhe miliona borxhe të pa arkëtuara, por edhe borxhe vetanake.

    Sidoqoftë, është evidente se te “Pastrimi” është nevojë urgjente e gjetjes së një zgjidhjeje për tejkalimin e shumë problemeve që janë krijuar, sidomos në këto 3-4 vitet e fundit, kur ndërmarrja mori “tatpjetën”. Në këtë kontekst, mbase është koha që dikush të mendojë se këtë ndërmarrje kaq të rëndësishme për kryeqytetin dhe të katër komunat e tjera, duhet ta udhëheqë një profesionist i mirë dhe i dëshmuar në punët menaxheriale, qoftë edhe që nuk i përket ndonjë subjekti politik fitues. Menaxhimi i suksesshëm i “Pastrimit” do të thotë më pak bërllog dhe më shumë pastërti në Prishtinë. /Buletini Ekonomik/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark