×
  • Sport
  • Sport

    Deklarata e Batatinës pas humbjes zhgënjyese kundër Trepçës ’89

    Insajderi
    15 April 2023 - 17:44
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Tahir Batatina u prononcua i zhgënjyer me rrjedhën që mori takimi i sotëm, me ç’rast skuadra e tij humbi 2-1 në “Riza Lushta”.

    Llapi humbi pikë të çmuara në luftën e saj për vend të tretë. Mitrovicasit e përmbysën në pjesën e dytë dhe – kësisoj – tani disi edhe janë zbehur gjasat për vendin e tretë që shpie në Evropë.

    Në prononcimin e tij për Art Sport 3, trajneri llapjan, Tahir Batatina, tregoi shkaqet që çuan deri në humbje të sfidës.

    “Mendoj që ndeshja u humb sepse është hera e parë që bëmë dy zëvendësime të paqëlluara. Driloni ishte me grip dhe as ne s’kemi qenë të vetëdijshëm nëse do të luante nga pjesa e parë. Mendoj se me ndërrimet e Firminos dhe Alidemës aty ra totalisht loja jonë. Dolën dy lojtarët tonë më cilësorë. Dy lojtarë që i jepnin tempo lojës. Kur dolën këta dy lojtarë ne humbëm ekuilibrat”, tha ai fillimisht.

    Sipas tij është dashur që lojtarët të tregoheshin më syhapur në takimin e sotëm.

    “Sido që të jetë, e humbëm takimin. S’është dashur të humbet ky takim sepse kemi skuadër më të mirë sesa Trepça ’89 në çdo aspekt. Është dashur të menaxhohet më mirë loja, por gabimi i Bekimit te goli i parë na kushtoi që të futeshim në presion. Edhe te penalltia është dashur të tregoheshim më të vëmendshëm”, vazhdoi ai.

    Duke folur edhe për ndeshjen e kthimit në Kupën e Kosovës, aktin e gjysmëfinales, tha se vëmendja e Llapit do të jetë aty, ndonëse nuk do të dorëzohen as për vendin e tretë.

    “Llapi mendon për ndeshjen e radhës që ka ndaj Gjilanit për Kupë. Ka ndeshje ende për të luajtur. Duhet bërë maksimumi. Jo që Trepça ’89 krijoi diçka. Ne patëm tri raste vetëm me portier. Normal, kur nuk realizon gol vjen deri te pësimi i golit. Ka ende shumë ndeshje për të luajtur. Nuk është kjo ndeshje që vendos gjithçka. Kemi ndeshje tjera që duhet bërë maksimumi. Luajmë direkt kundër rivalëve, si me Gjilanin dhe Dukagjinin në Podujevë, si dhe me Prishtinën. Janë tre kundërshtarë që luajmë direkt ndaj tyre. Mendoj se skuadra që fiton ballafaqimet direkte mund ta arrijë Evropën”, përfundoi Batatina. /Futbollikosovar.net/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark