×
  • Hulumtime
  • Hulumtime/Analiza / Hulumtime

    Deklarimi i dyshimtë i Prorektorit në Gjilan, më shumë mëditje se pagë – gruaja i paguhet me cash nga UP-ja

    Insajderi
    08 May 2024 - 13:21
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.
    Shkruan: - Visar Duriqi

    Prodekani i Universitetit Publik të Gjilanit, Dukagjin Leka ka deklaruar në formularin e tij se merr dy fish më shumë mëditje për punë jashtë orarit, se sa paga bazë, diçka që e ndalon Ligji për Pagën. Po ashtu ai ka deklaruar që bashkëshortja e tij paguhet nga Universiteti i Prishtinës me para kesh. Në një prononcim për Insajderin ai ka dhënë disa sqarime.

    22 mijë e 270 euro është paga vjetore që Prodekani i Universitetit Publik të Gjilanit, profesori Dukagjin Leka.

    Por, ai fiton shumë më shumë nga mëditjet e punë jashtë orarit. Në formularin e publikuar këtë vit ai thotë që ka marrë mbi 31 mijë euro pagë për punë shtesë. Po ashtu, për mëditje për udhëtimet jashtë vendit ka marrë edhe mbi 9 mijë euro të tjera, që për pak bëhen gati sa paga për punë të rregullt që ka marrë.

    Të gjitha i ka deklaruar si të ardhura nga Universiteti “Kadri Zeka” –Gjilan.

    Më 4 janar të vitit 2023 me nënshkrim të Presidentes Vjosa-Osmani Sadriu ka hyrë në fuqi Ligji për Pagat në Sektorin Publik.

    Në nenin 36 të këtij ligji tregon se si dhe sa mund të paguhen zyrtarët publikë për punë jashtë orarit. “30 % në orë për punë jashtë orarit”, është i prerë ligji në fjalë, pika 2.3 e nenit 36.

    I pyetur nga Insajderi se kush nga menaxhmenti i Universitetit Publik të Gjilanit ka lejuar që profesori Dukagjin Leka të marrë gati 100 % më shumë pagesa për punë jashtë orarit e mëditje, ai ka dhënë një shpjegim që sipas tij pagesat nuk bëhen përmes buxhetit të shtetit- ani pse në formular i ka deklaruar si të hyra nga Universiteti “Kadri Zeka”-Gjilan.

    “Pagesa për punën jashtë orarit ka të bëjë me punë në projekte si ekspert, ku unë bëjë raporte, analiza, dokumente të tjera që kërkohen nga donatori dhe specifikat e projekteve”, thotë Leka për Insajderin

    Sipas tij, këto mjete janë mjete të projekteve dhe “këtë punë e bëjë duke qenë si menaxher i projektit ose koordinator i saj. Këto mjete nuk kanë të bëjnë fare me buxhetin e Kosovës”, i ka thënë Insajderi profesori Dukagjin Leka.

    Sipas tij, Universiteti nënshkruan marrëveshje ndërkombëtare financiare me donatorë të jashtëm dhe si rrjedhojë i nënshtrohet rregullave të aplikueshmerisë së projektit dhe realizimit të projektit komplet sipas specifikave që janë të përcaktuara në projekt.

    “…përndryshe shpenzimet nuk miratohen nga donatori dhe rrjedhimisht duhet të kthehen mbrapa tek donatori”, sqaron ai, por në të njëjtën kohë në deklarimin e pasurisë nuk e ka shkruar emrin e donatorit, por emrin e një institucioni publik kosovar prej nga i merr pagesat, në këtë rast Universiteti “Kadri Zeka”-Gjilan.

    Në shkurt të vitit 2020 ishte bërë e ditur nga Universiteti i Gjilanit se ky institucion ka nisur implementimi i projektit QUADIC – Quality development of international cooperation and project management, projekt ky i fituar nga UKZ në programin ERASMUS + Cooperation for Innovation and the exchange of good Practices, në thirrjen e fundit Capacity Building in Higher Education – Joint Projects.

    “Hapjen e fillimit të implementimit të projektit e bëri  Rektori i Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan, Prof. Asoc. Dr. Bajram Kosumi, i cili fillimisht falënderoi Prorektorin për Bashkëpunim Ndërkombëtar të UKZ-së Prof. Ass. Dr. Dukagjin Leka, njëherësh koordinator i projektit QUADIC, për punën e vazhdueshme në ndërkombëtarizimin e Universitetit dhe të gjithë partnerët pjesëmarrës në këtë projekt, duke thënë se ndihet i lumtur që sot po fillojmë një projekt kaq madhor”, thuhej në këtë njoftim.

    Prorektori Leka, në një përgjigje me e-mail për Gazetën Insajderi ka treguar për detaje se si ka funksionuar ky projekt dhe rolin e tij në të.

    “Kam qenë koordinator i projektit QUADIC dhe si rrjedhoje asnjë mjet financiar nuk ka ardhur nga donatori në llogarinë time personale. Te gjitha mjetet donatori i ka dërgu në UKZ dhe pastaj janë shpërndarë sipas specifikave të projektit, duke përfshirë edhe 17 partneret e projektit (8 universitete nga Kosova, 5 nga Shqiperia dhe 4 nga BE). Të gjitha shpenzimet e projektit QUADIC kane kaluar 6 auditime, duke filluar nga auditori i brendshëm, auditori i përgjithshem, auditori nga BE-ja, vlerësuesi i jashtëm ndërkombëtar, auditori i jashtëm i kontraktuar nga projekti – Shqiperia, si dhe vlerësimin dhe auditimin përfundimtar nga Komisioni Evropian -BE-ja”, thotë ai duke shtuar se “asnjë vërejtje për implementimin dhe menaxhimin e financave të projektit nuk është evidentuar”.

    Paga cash për gruan në UP: Ishte gabim teknik

    Prorektori Dukagjin Leka në formularin e deklarimit të pasurisë të publikuar në vitin 2023 kishte thënë që për mëditje dhe udhëtime zyrtare kishte marrë afro gjysmë milioni euro ( 475,987.00 €).

    I pyetur nga Gazeta Insajderi për këtë shifër, ai ka thënë që ishte gabim teknik.

    “Deklarimi në vitin e kaluar për vitin 2023 ka ndodhe për shkak të përfundimit të mandatit dhe për fillimin e mandatit të ri dhe ka ndodhe një gabim teknik, ku shuma e sakte është dashtë të jetë 4,759.87 – lehtësisht e verifikueshme nga AKK në llogarinë time bankare”, thotë ai

    Sipas tij, tash në deklarimin e publikuar më 2024,  “që ka për qellim deklarimin e rregullt vjetor për vitin 2023 shuma totale është 9,055.47 Euro, që nënkupton se shuma e deklaruar vitin e kaluar ka qenë gabim teknik”.

    Gaboi vitin e kaluar, por edhe në deklarimin e sivjetmë prapë thotë se ka bërë një tjetër gabim teknik.

    Në deklarimin e të ardhurave të bashkëshortes së tij, që është e angazhuar në Universitetin Publik të Prishtinës, ai ka deklaruar se e njëjta ka marrë mbi 6800 euro pagë vjetore dhe mbi 800 euro mëditje nga UP-ja, por i ka marrë krejt me cash.

    Njëjtë pati deklaruar edhe vitin e kaluar, ku thoshte që bashkëshortja i ka marrë mbi 3500 euro pagë e mbi 500 euro mëditje, edhe në atë kohë me para në dorë.

    “Gabim teknik”, është shpjegimi që e ka dhënë, ani pse dy vite radhazi e ka shkruar në formë të njëjtë.

    “Pagesat të gjitha që janë të deklaruara janë në bankën “…” tek unë dhe tek bashkëshortja ime, dhe gjithashtu unë sot i kam parë që janë të shkruara cash, por mendoj qe kjo është gabim në sistem sepse nuk mi ka ruajt ndryshimet qe i kam bërë. Të gjitha këto mjete kane ardhur nëpërmjet llogarive tona në “….” bankë – lehtësisht e verifikueshme nga AKK, duke përfshirë edhe pagën e bashkëshortës sime në UP”, ka thënë Leka për Insajderin.

    Toka, shtëpi e banesë të blerë për 15 mijë euro në vitin 2023

    Prorektori Dukagjin Leka ka deklaruar edhe pronat e luajtshme e patundshmëritë. Derisa thotë që ai dhe gruaja e kanë nga një veturë, njëra në vlerë 20 mijë e tjetra 12 mijë euro, ai ka renditur një sërë tokash e patundshmërish të tjera.

    Në vitin 2011 kishte marrë një banesë që thotë që e ka dhuratë, pa treguar nga kush, që është veç 38 metra katrorë, por kushtoi 100 mijë euro.

    Në vitin 2013 thotë se e ka blerë një banesë me kursime e kredi që është 51 metra katrorë dhe i ka kushtuar 49 mijë euro.

    Në vitin 2016 thotë që ka blerë një banesë tjetër prej 35 metrash katrorë që i ka kushtuar 32 mijë euro.  “Blerje nga kursimet pensionale- EULEX, kursimeve dhe kthimit të borxhit”, është shënuar nga ai, por në fund tek shënimet shtesë nuk ka treguar se kujt i ka dhënë e kush i ka kthyer borxh.

    Në vitin 2018, sic ka deklaruar Prorektori Leka, me kursime e kredi është zgjeruar mirë me hapësirë duke blerë një shtëpi prej 302 metrash katror që i ka kushtuar 166 mijë euro.

    Në vitet 2018 e 2022 ai dhe bashkëshortja tij, deklaroin ai, që kanë blerë toka po ashtu, derisa në vitin 2023 kanë blerë një banesë  që iu ka kushtuar 15 mijë euro dhe është me sipërfaqe prej 50 metrash katror.

    “Banesa ka të bëjë me Shengjin / Shqipëri dhe për këtë është marre kredia e deklaruar në emër të bashkëshortës”, ka thënë Leka në një prononcim për Insajderin.

    Dukagjin Leka në faqen e Universitetit të Gjilanit është i shënuar si Prorektor për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Projekte.

    /Gazeta Insajderi 

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark