×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Deklarohet babai, foshnja e të cilit i thanë se ishte gjallë, më pas se kishte vdekur

    Insajderi
    22 September 2022 - 23:37
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Në Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK mbrëmjen e së mërkurës ka ndodhur një ngjarje e rëndë. Një familje fillimisht është informuar se familjarja e tyre ka lindur me sukses një djalë, kurse pas rreth gjysmë ore, familja është njoftuar se, foshnja që ajo kishte lindur, e që në fakt ishte vajzë, ka vdekur. Babai i foshnjës ka rrëfyer se si ka ndodhur e gjithë ngjarja.

    Këtë ngjarje, Fatlum Alimi, babai i foshnjes, rrëfen se e ka bërë më të rëndë fakti se personeli i Gjinekologjisë fillimisht e njoftoi familjen se tyre se u ka lindur me sukses një djalë.

    “Njëherë më thanë djalë e ki dhe ma kanë qitë përpara. E shiqova beben dhe ishte mirë. Kam dëshmitarë për këtë. Pas gjysmë ore erdhi doktoresha dhe tha ka ndërrua jetë fëmija. Atëherë ma humbi kontrollin. E kam humbë krejt kontrollin”, ka thënë Alimi për RTV Dukagjini.

    Alimi thotë se përgjatë disa kontrolleve që gruaja e tij i kishte bërë më parë, ai e kishte ditur që është duke pritur vajzë.

    Megjithatë, ai thotë se mjekët në gjinekologji pak ditë para lindjes së gruas, i kanë thënë se sipas kontrolleve të tyre është duke pritur djalë dhe jo vajzë.

    Kjo ia shtoi atij bindjen, se gruaja e tij vërtetë e kishte kaluar me sukses lindjen.

    “Kur e kam pasur në kontrolla në Fushë Kosovë, më kanë thënë se e kam vajzë. Kur e kam sjellë këtu për me u shtri në spital më kanë thënë “e ke djalë”. Ende pa lindë fëmija, këta e kanë bërë njëfarë kontrolle, pastaj i kanë treguar nuses se djalë e ke. Nusja ja ka thënë që vajzë e ka, por ata kanë insistua duke i thënë “djalë e ki””, ka shtuar ai.

    Ndërkaq, këtë situatë e ka konfirmuar edhe drejtori i Klinikës së Gjinekologjisë Dr. Zef Ndrejaj. Ai ka thënë se një person i paautorizuar, në këtë rast infermierja e Neonatologjisë, e ka marr përsipër që t’i njoftoj palët pa të drejtë dhe i ka ngatërruar prindërit.

    “Ka ndodhur një keqinformim nga një person i paautorizuar që të jap informacione tek palët. Rasti ka ndodhur mbrëmë kur një shtatzënë është futur urgjent në sallë sepse ka pasur gjakderdhje të rëndë. Këto raste janë të rëndë edhe për vendet e zhvilluara, rrallë shpëtojnë foshnjet. Ekipa kujdestare e ka bërë maksimumin por foshnja nuk është arritur të shpëtohet”, ka deklaruar Ndrejaj.

    Ai ka shtuar se infermierja e ka ngatërruar prindin e fëmijës duke i dhënë informacion se foshnja është mirë, por në fakt ai kishte qenë prindi i foshnjes që kishte lindur e vdekur.

    “Kanë qenë dy lindje në të njëjtën kohë. Janë kryer me vetëm disa minuta diferencë dhe këtu ka ndodhur keqkuptimi”, ka deklaruar Ndrejaj. Ai ka thënë se pret të merren masa ndaj infermieres pasi kanë urdhëresë nga menaxhmenti i SHSKUK-së se kush dhe cilët janë profesionistët që janë të autorizuar të japin informacione për palët, gjë që në këtë rast nuk është respektuar.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark