
Qendërmbrojtësi i Kombëtares së Kosovës, Lumbardh Dellova, shprehu gëzim pas golit të tij dhe fitorese së Kosovës ndaj Islandës në kuadër të Ligës së Kombeve.
Pas ndeshjes, Dellova tha se ishte një ndjenjë shumë e veçantë të kontribuonte në fitoren e kombëtares dhe se ishte i lumtur që ndihmoi ekipin të merrte tri pikët.
“Është ndjenjë shumë e veçantë, duke marrë parasysh që të gjithë të rinjtë e kanë këtë ëndërr dhe e presin këtë mundësi. Jam shumë i lumtur që arrita ta ndihmoj ekipin të marrim tri pikët”, tha Dellova për Klan Kosova.
Futbollisti shtoi se, si mbrojtës, nuk e kishte pritur shumë golin që shënoi, por që gjithmonë e jep më të mirën për Kombëtaren, duke theksuar rëndësinë e fitoreve, pavarësisht kush shënon.
“Si mbrojtës, këtë gol nuk e kam pritur shumë, por besoj që gjithmonë jap më të mirën nga vetja për Kombëtaren. Më e rëndësishmja është të marrim gjithmonë tri pikët. Shënoj apo nuk shënoj, nuk është shumë e rëndësishme”, shtoi ai.
Dellova gjithashtu përmendi kapitenin Amir Rrahmani, duke thënë se ai është një shembull i shkëlqyer dhe një burim frymëzimi për lojtarët më të rinj.
“Amiri, siç e dimë, luan në ekipin më të mirë në Itali, kështu që mësoj shumë nga ai, marr të gjitha të mirat nga ai, më ndihmon shumë, më flet, dhe unë mendoj se jam duke ia shpërblyer me të mira”, përfundoi Dellova.
Qendërmbrojtësi është i bindur se Kombëtarja e Kosovës do të vazhdojë të shkojë për fitore edhe në ndeshjen kthyese në Spanjë.
“Duke parë çfarë ekipi kemi, kemi mundësi të mëdha. Vetëm për fitore atje, për asgjë tjetër nuk shkojmë”, tha Dellova.