Derisa tryeza e shumëpërfolur për demarkacionin ku merrnin pjesë ekspertë, deputetë të opozitës e përfaqësues institucionesh po vazhdonte, Qeveria e Kosovës njoftoi se ka thirrur një mbledhje të jashtëzakonshme ku si pikë e vetme e rendit të ditës është përcaktuar demarkacioni.
Megjithëse mbledhja është shtyrë për të nesërmen, qeveria dërgoi sinjalin e qartë se planifikon që së shpejti të dërgojë për ratifikim marrëveshjen e cila është nënshkruar para rreth një viti.
Ashtu siç pritej, u dëshmua se tryeza e organizuar në “sallën alternative” nuk do të sillte ndonjë risi dhe se situata do të kthehej aty ku ka mbetur para disa javëve.
Pas disa javësh “qetësie”, vendimi i qeverisë për të dërguar për votim marrëveshjen pritet që të rikthejë protestat e opozitës brenda e jashtë Kuvendit të Kosovës.
Në këtë mënyrë, kjo marrëveshje do të rrumbullakoj një vit që kur fokusi ka rënë mbi këtë çështje duke lënë në plan të dytë zhvillime të tjera të rëndësishme.
Tryezat e kontestuara
Kur në shkurt të këtij viti Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës pranoi ftesën e ish-presidentes Atifete Jahjaga për tu takuar me liderët qeveritarë për të diskutuar rreth demarkacionit, dy partitë e tjera opozitare – Vetëvendosje e NISMA – nuk e kishin pritur edhe aq mirë lajmin.
Vetëvendosje, si partia më e madhe opozitare, thoshte se kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, po flirton me Hashim Thaçin e Isa Mustafën. Vetëvendosje insistonte se vendi duhet me shpejtësi të shkojë në zgjedhje të parakohshme ndërsa NISMA besonte se takime të tilla janë humbje kohe.
Megjithatë, disa muaj pas protestave të dhunshme brenda e jashtë Kuvendit të Kosovës, përfaqësues të këtyre dy partive u ulën për të biseduar me përfaqësues qeveritarë dhe ekspertë për të njëjtën temë.
Ulja e deputetëve të Vetëvendosjes në këtë tryezë vjen pak kohë kur ata u rikthyen edhe në seancat e Kuvendit të Kosovës, pasi për një kohë bojkotuan ato duke thënë se qeveria ka humbur legjitimitetin.
Por, bazuar në deklaratat e palëve para fillimit të këtij diskutimi dhe gjatë tij, nuk pritej që rezultat i diskutimeve do të jetë kompromisi. Në njërën anë, Vetëvendosje tha se diskutimi se është humbje kohe meqë Qeveria e Kosovës “nuk reflekton” pas debateve. Në anën tjetër, qeveria nuk ka pranuar të ndryshojë qëndrim, me gjithë lëkundjet brenda deputetëve të koalicionit qeverisës.
Rrjedhimisht, situata u kthye aty ku ka qenë para disa muajve: një skenë politike e përçarë edhe kur bëhet fjalë për çështje të rëndësishme, së cilës duhet kohë e gjatë për zgjidhjen e problemeve.
Në fakt, Fatmir Limaj, kryetar i Nismës për Kosovën, partia e së cilit ka qenë e përfshirë në bllokun opozitar që organizuan protestat në Kuvend dhe jashtë tij, tha se një tryezë e tillë do të mund të bëhej qysh para një viti duke e akuzuar qeverinë për mostransparencë. Si kundërpërgjigje, zyrtarë qeveritar disa herë kanë thënë se opozita e ka bllokuar dialogun normal rreth kësaj çështje përmes gazit lotsjellës.
Zvarritja si formë e politikë-bërjes
Në dy vitet e fundit, Kosova është përballur me “ngërçe” politike disa herë. Formimi i qeverisë në vitin 2014 mori disa muaj ndërsa jeta politike u pezullua thuajse tërësisht duke rrezikuar kështu edhe “mbylljen e qeverisë’ për shkak të mos miratimit të buxhetit (Government shut-doën); një fyerje e një ministri serb nxiti protesta të dhunshme derisa qeveria hezitonte të vepronte për disa javë; dhe, në 12 muajt e fundit, vendi është përballur me dy tema kryesore: demarkacioni e asociacioni, duke vënë në plan të dytë tema të tjera të mëdha si formimi i ushtrisë, zhvillimi ekonomik, Trepça e të tjera.
Për më tepër, një çështje në dukje të parë e vogël, siç është blerja e disa autobusëve, është kthyer në një debat të ashpër mes Qeverisë së Kosovës dhe Komunës së Prishtinës të udhëhequr nga VV.
Në kontekstin aktual, Kosova nuk ka më kohë për të humbur me demarkacionin. Zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian kanë qenë të vendosur në deklaratat e tyre rreth këtij procesi: Kosova nuk mund të fitojë liberalizimin e vizave as këtë vit pa ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi. Liberalizimi i vizave është një nga preokupimet kryesore të qytetarëve të Kosovës ndërsa përmbushja e kritereve për këtë është duke u zvarritur për vite të tëra.
Pa marrë parasysh rezultatin e kësaj tryeze, ajo çfarë tashmë dihet është që Kosova ka humbur sërish disa muaj ndërsa dështimi për të gjetur zgjidhje të shpejta për mospajtime po kthehet në diçka normale në skenën politike të vendit.
Kosova deri më tani ka përfunduar shënjimin e kufirit me Maqedoninë ndërsa një ditë do të detyrohet që të bëjë të njëjtën gjë edhe me Serbinë. Marrë parasysh historinë e vështirë mes dy shteteve, ai proces mund të jetë si kopje e procesit të demarkacionit me Malin e Zi. Nëse jo edhe më keq./Insajderi.com