×
  • Lajme
  • Lajme

    Dënohet me 24 vjet burgim burri që vrau gruan e tij në Skenderaj

    Insajderi
    12 September 2022 - 14:54
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Gjykata Themelore në Mitrovic, e ka dënuar Skender Qerimajt, 24 vitesh burgim dhe 500 euro gjobë, për vrasje të bashkëshortes së tij në Skenderaj, si dhe për tre vepra tjera penale. 51-vjeçari Skender Qerimaj, në janar të këtij viti e kishte vrarë bashkëshorten e tij Lirije Qerimaj në Llaushë të Skenderajt

    Aktgjykimi ndaj të akuzuarit Qerimaj u shpall të hënën, nga kryetari i trupit gjykues Veljko Vuqetiq, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Sipas aktgjykimit, i akuzuari Qerimaj për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor” u dënua me 1 vit e 6 muaj burgim, për “Dhunë në familje” u dënua me 1 vit burgim dhe 500 euro gjobë, për  “Vrasje të rëndë”, u dënua me 22 vite burgim, kurse për armëmbajtje pa leje”, një vit burgim.

    Ndaj tij, gjykata shpalli dënim unik me 24 vite burgim, në të cilin do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, nga 5 janari 2022 dhe dënim me gjobë në lartësi prej 500 euro, të cilën detyrohet ta paguajë në afat prej 15 ditësh nga plotfuqishmëria e aktgjykimit.

    Në rast se i njëjti nuk e paguan dënimin me gjobë, i njëjti do t’i zëvendësohet në dënim me burgim, ku për 20 euro do t’i llogaritet një ditë burgim.

    Gjykatësi Vuqetiq bëri të ditur se të akuzuarit do t’i vazhdohet masa e paraburgimit deri në plotfuqishmëri të aktgjykimit.

    Po ashtu, të akuzuarit i konfiskohet pistoleta “Zoraki” dhe tre fishekë të saj.

    I akuzuari obligohet t’i paguajë edhe shpenzimet e procedurës dhe paushallit gjyqësor në vlerë prej 100 euro dhe në emër të fondit të kompensimit të viktimave të krimit 50 euro, dhe kjo në afat prej 15 ditësh nga plotfuqishmëria e aktgjykimit.

    I dëmtuari Shaban Sahiti dhe trashëgimtarët e tjerë të viktimës, kërkesën pasurore-juridike u udhëzuan ta bëjnë në kontest të rregullt civil.

    Palët kanë të drejtë ankese 15 ditë nga shpallja e aktgjykimit dhe se aktgjykimi nuk mund të atakohet për shkak të vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, pasi që i akuzuari e ka pranuar fajësinë në shqyrtim gjyqësor.

    Ndryshe, Prokuroria Themelore në Mitrovicë më 12 maj 2022 ka ngritur aktakuzë kundër Skender Qerimajt.

    Në pikën e parë të aktakuzës, thuhet se në muajin korrik të vitit 2021, i akuzuari Qerimaj në shtëpinë e tij në fshatin Llaushë, Komuna e Skenderajt, rreth orës 5 të mëngjesit me dashje i ka shkaktuar lëndim trupor bashkëshortes së tij L.Q.

    Rasti thuhet se ka ndodhur, ashtu që pas mosmarrëveshjeve të vazhdueshme mes tyre, i akuzuari merr një çarçaf dhe me të e shtrëngon në fyt të dëmtuarën, me ç’rast i shkakton lëndime të lehta trupore – ndrydhje në pjesën e përparme dhe anësore në të dy anët e qafës dhe në pjesën mollëzore të majtë të fytyrës, me pasoja të përkohshme për shëndetin.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark