Insajderi
Lajme

Dënohet me vetëm 11 muaj burg e 6 mijë euro edukatorja që keqtrajtoi dy fëmijë të moshës 2 vjeç në Ferizaj

Insajderi
15 May 2026 - 15:56
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Dënohet me vetëm 11 muaj burg e 6 mijë euro edukatorja që keqtrajtoi dy fëmijë të moshës 2 vjeç në Ferizaj
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Gjykata Themelore në Ferizaj përmes një komunikate për media ka njoftuar se sot ka shpallur aktgjykim dënues ndaj edukatores M.A., për shkak të veprave penale keqtrajtim apo braktisja e fëmijës nga neni 243 paragrafi 1 lidhur me nenin 77; lëndimi i lehtë trupor nga neni 185 paragrafi 1 nën paragrafi 3.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Departamenti për të Mitur, i kryesuar nga gjyqtari Shabi Idrizi, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit e të gjitha provave personale dhe materiale, të pandehurën M.A., e shpalli fajtore dhe të njëjtën e gjykoi për veprën penale keqtrajtim apo braktisja e fëmijës nga neni 243 paragrafi 1 lidhur me nenin 77 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK) me dënim burgimi në kohëzgjatje prej njëmbëdhjetë muajsh i cili dënim do të ekzekutohet pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi, si dhe për veprën penale lëndimi i lehtë trupor nga neni 185 paragrafi 1 nën paragrafi 3.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës me dënim burgimi në kohëzgjatje prej gjashtë (6) muaj, për të cilën me pëlqimin e të pandehurës i është zëvendësuar me dënim me gjobë në shumë prej gjashtëmijë (6.000.00) €.

Në bazë të nenit 76 paragrafi 2 të KPRK-së të pandehurën e gjykoi me dënim unik burgimi në kohëzgjatje prej njëmbëdhjetë (11) muaj, në të cilin dënim do t`i llogaritet koha e kaluar në arrest shtëpiak, si dhe dënim me gjobë në shumë prej gjashtëmijë (6.000.00) €. Gjithashtu, konform nenit 63 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së të pandehurës i shqipton dënim plotësuese ndalimi i ushtrimit të profesionit, veprimtarisë apo detyrës së edukatores në kohëzgjatje prej pesë (5) vite.

Siç njofton Gjykata, e pandehura M.A., akuzohet se më datë 4 nëntor 2025 dhe 5 nëntor 2025, në vazhdimësi, në intervalin kohor nga ora 09:00 deri më 14:30 në një kopsht të fëmijëve “M.” në Ferizaj, e pandehura ka keqpërdor të drejtat e saj të cilat i kishte si edukatore, e të cilës i ishin besuar në ruajtje, edukim dhe kujdes dy fëmijët e moshës 2 vjeçar, pra me dashje i ka keqtrajtuar ata duke përdorur masa fizike dhe mendore, duke i detyruar me dhunë për të fjetur, duke i shtyrë, tërhequr për flokë dhe përplasur për dysheme të dëmtuarit – fëmijët, me të cilin veprim ka kryer në vazhdim veprën penale keqtrajtim apo braktisja e fëmijës nga neni 243 paragrafi 1 lidhur me nenin 77 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Gjithashtu, Gjykata tregon se më datë 5 nëntor 2025, në intervalin kohor nga ora 09:00 deri më 14:30 në Ferizaj, në një kopsht të fëmijëve “M.” në Ferizaj, e pandehura e sulmon me dashje njërin të dëmtuar fëmijë dy vjeçar, pra viktimë e ndjeshme, i cili asaj i`u kishte besuar në ruajtje, edukim dhe kujdes në atë mënyrë që e kap për flokë e tërheqë duke i`a dëmtuar – shkulur flokët si dhe duke i`a dëmtuar lëkurën në atë pjesë të kokës, pra duke i shkaktuar lëndime të lehta trupor – gjendje pas kontuzionit (ndrydhjes) në kokë, lëndime këto të përshkruara në akt ekspertimin mjeko – ligjor të datës 25 nëntor 2025, me të cilin veprim ka kryer veprën penale lëndimi i lehtë trupor nga neni 185 paragrafi 1 nën paragrafi 3.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

“Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej tridhjetë (30) ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar. Ankesa i drejtohet Gjykatës së Apelit në Prishtinë, përmes Gjykatës Themelore në Ferizajt”, njofton Gjykata.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark