×
Show

Johnny Depp i jep fund martesës me Amber Heard

Insajderi
26 May 2016 - 19:03
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Nuk zgjati më shumë se 15 muaj martesa e shumëmediatizuar e yllit të Hollivudit, Johnny Depp, me aktoren Amber Heard.

Kjo e fundit, sipas faqes informative të internetit “TMZ”, depozitoi kërkesen për divorc në një gjykatë të Los Angelesit, duke sjellë si argument “dallimet e papajtueshme” me 52-vjeçarin.

Deri tani, as përfaqësuesit e Depp dhe as ata të bukuroshes 30-vjeçare nuk i janë përgjigjur telefonatave apo “e-mail”-eve të gazetarëve të agjencisë së lajmeve “Reuters”, që po përpiqen t’i verifikojnë në mënyrë të pavarur të tilla pretendime, shkruan Tch.

Çifti lidhi kurorë shkurtin e vitit të kaluar, pas interpretimit së bashku në filmin “The Rum Diary”. Në media thuhet se, të dy kishin nisur të frekuentoheshin kur Depp u nda nga partnerja e tij Vanessa Paradis, me të cilën ka dy fëmijë, një djalë dhe një vajzë.

Shkallët e famës, Depp nisi t’i ngjiste nga fundi i viteve ’80, me performancën në serialin popullor televiziv “21 Jump Street”, e më vonë shkëlqeu me interpretimin e jashtëzakonshëm në filma si “Eduard duargërshëra” apo “Liza në botën e çudirave”.

Heard, nga ana e saj, rolin më të fundit e kishte në filmin “Vajza daneze”, i cili i solli Alicia Vikanderit “Oscar”-in e sivjetshëm të aktores më të mirë joprotagoniste. /Insajderi.com

OP-ED
Nga Rubrika

© 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark