×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Deputeti i Albin Kurtit: Serbët në veri duhet të paguajnë për energjinë

    Insajderi
    13 October 2022 - 21:06
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Kosova dhe Serbia muaj më parë u pajtuan për miratimin e udhërrëfyesit për zbatimin e Marrëveshjeve për Energjinë në kuadër të dialogut të Brukselit, konkretisht për energjinë elektrike që e shfrytëzojnë serbët në komunat veriore, por nuk e paguajnë atë.

    Lidhur me këtë çështje, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dirton Hyseni tha se ky moszbatim i kësaj marrëveshje është diskriminim për qytetarët e Kosovës, pasi privilegjohet komuniteti serb.

    “Qytetarët e Republikës së Kosovës pa dallim, kudo në territorin e saj do të jenë të detyruar të paguajnë për shërbimet që marrin, nuk mund të kemi një diskriminim të tillë në baza nacionale në këtë rast, kemi një komunitet atje që privilegjohet me gjitha këto të mira dhe në anën tjetër të kemi qytetarë që paguajnë ndoshta edhe shumë herë më shumë për shkak të humbjeve të gjenerohen në atë pjesë”, tha Hyseni.

    I ftuar në emisionin “Ditari” në Tëvë1, deputeti i VV-së, uroi që një marrëveshje e tillë të mos dështojë, në mënyrë që qytetarët e Republikës së Kosovës të trajtohen të barabartë dhe që qytetarët serbë që të paguajnë për rrymën që e shpenzojnë.

    “Uroj që një marrëveshje e tillë të mos dështojë dhe operatori sipas ligjeve të Kosovës të operojë në atë pjesë dhe të ketë mundësi që të inkasojë të gjitha mjetet financiare për rrymën që shpenzohet në veri… Zyra e Rregullatorit për Energji në Kosovë e ka licencuar dhe e ka autorizuar në njëfarë forme që të vazhdohet tutje me procedurat për implementimin e mundësisë së pagesës për qytetarët serbë që ata të paguajnë për rrymën që e shpenzojnë. Dhe është për keqardhje një qasje e tillë dhe siç duket koha e gjatë duke mos i detyruar askush që ata të jenë qytetarë korrekt dhe të bëjnë pagesën për shërbimet e tyre, qoftë për rrymën, qoftë për ujin apo mbeturinat ka shpjer te një situatë kur tani ka tendenca maksimale të mos implementohet një gjë e tillë dhe në njëfarë forme të vazhdohet”, tha Hyseni.

    Në media u raportua se Franca në takimin e sotëm në Këshillin e Bashkimit Evropian ka propozuar që Kosovës t’i vihet kusht që të bëhet pjesë e sistemit ETIAS si parakusht për liberalizim të vizave.

    Hyseni tha se ky sistem nuk është kusht vetëm për Kosovën, porse është i aplikueshëm për rreth 63 shtete.

    “Ta keni parasysh një gjë që nuk lidhet kjo vetëm me Kosovën, në sistemin ETIAS i cili do të jetë një sistem për të mbledhur të dhënat dhe për të autorizuar udhëtimet e qytetarëve në zonën Schengen, do të jetë i aplikueshëm për rreth 63 shtete…. Do të thotë kemi të bëjmë e një sistem i cili do të shfrytëzohet nga shumë vende në botë përfshirë edhe ato në Lindjen e Mesme edhe këto që kanë marrë liberalizimin vizave, nuk është duke u lidhur diçka specifike me Kosovën. Ky do të jetë sistem ku të gjithë do t’i vendosin të dhënat dhe të gjithëve do t’u konfirmohet autorizimi për udhëtim”, tha ai.

    Deputeti i VV-së tha se vonimi i liberalizimit të vizave është një padrejtësi e madhe që është duke iu bërë qytetarëve të Kosovës, pasi që sipas tij, Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për liberalizim.

    “Është konstatuar që të gjitha kriteret të cilat iu kanë parashtruar Kosovës që nga 2012 e këndej për të përmbushur për të udhëtuar qytetarët lirshëm në Evropë janë përmbushur. Ne jemi duke e pasur një vonesë shtesë të cilën konsideroj që është e padrejtë duke iu bërë qytetarët të Kosovës përderisa janë përmbushur të gjitha kriteret”, tha Hyseni në TëVë1.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark