×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Deputetja britanike: Serbia po i qesh në fytyrë BE-së – qasja e Perëndimit ndaj Kosovës, e padrejtë

    Insajderi
    19 January 2024 - 12:06
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Në Parlamentin Evropian, të mërkurën është diskutuar mbi parregullsitë në zgjedhjet e përgjithshme dhe ato lokale në Serbi.

    Eurodeputetët patën kritika të ashpra për vendin fqinj, duke kërkuar nga udhëheqësit e shtetit që t’i hetojnë gjetjet e monitoruesve ndërkombëtarë.

    Pas votimeve nga Parlamenti Evropian, të enjten, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka marrë një letër të mbështetur nga 24 politikanë të lartë evropianë, duke i kërkuar asaj që të hetojë akuzat për parregullsi në zgjedhjet e fundit në Serbi.

    Në mesin e nënshkruesve të kësaj thirrjeje, siç ka raportuar “Politico”, që BE-ja të nisë një hetim për zgjedhjet në Serbi, ishte edhe Alicia Kearns, një deputete konservatore e Parlamentit Britanik dhe kryetare e Komitetit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Britanik.

    Në një bisedë për “Zërin e Amerikës”, shërbimi për Gjeorgjinë në Uashington, deputetja britanike ka thënë se “kolegët që vëzhguan zgjedhjet thanë se nuk kishin parë kurrë abuzime të tilla të tmerrshme të procesit zgjedhor”.

    Kearns ishte edhe ndër nënshkrueset e apelit që parlamentarët evropianë dhe amerikanë i dërguan administratave në Uashington dhe Bruksel verën e kaluar, me të cilin kërkohej që të shtrëngojnë politikën ndaj Serbisë dhe ta zbusin atë ndaj Kosovës. Ajo gjithashtu akuzoi Beogradin për kontrabandë armësh në Kosovë përmes Kishës Ortodokse Serbe, të cilën KFOR-i më vonë e mohoi.

    Kearns tani ka bërë thirrje përsëri për një ndryshim në politikën e ShBA-së dhe BE-së ndaj Beogradit dhe pretendon se “Serbia po qesh përballë Bashkimit Evropian”.

    “Ata pretendojnë se po shkojnë drejt së ardhmes euroatlantike, por në fakt janë të lidhur me Rusinë, me Iranin, kanë zgjedhur aleatët e tyre. Ata aktualisht po i qeshin BE-së në fytyrë, po i marrë paratë e tyre dhe nuk po ecin përpara në çështjen e reformave. Duhet që qasja e BE-së dhe ShBA-së të jetë e drejtë dhe e balancuar. Qasja aktuale ndaj Kosovës është e padrejtë, e pabalancuar dhe e gabuar, dhe ata duhet të paralajmërojnë se Serbia do t’i bartë pasojat dhe t’i jepet fund këtij iluzioni që kanë – se Serbia po punon për një të ardhme euroatlantike”, tha deputetja britanike.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark