×
  • Lajme
  • Aktuale

    Deputetja e LDK-së: Vendimi për vizat mund të jetë shkak i situatës në Veri

    Insajderi
    11 November 2022 - 09:23
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi, ka thënë se vendimi i djeshëm për çështjen e liberalizmit të vizave mund të jetë vendim si shkak i politikës, që sipas saj, po ndodhë në kohët e fundit në Kosovë.

    Ajo tha se Kosova i ka përmbushur kushtet për liberalizim e vizave qysh prej vitit 2018, por tani BE-ja do që në këtë proces ta fut edhe programin ETIAS.

    “Mirëpo tani, kjo ka dështuar për arsye se BE-ja në këtë proces dëshiron ta futë edhe programin ETIAS që për mua është shumë zhgënjyese sepse ky program është i thjeshtë dhe nuk është dashur që Kosova të kushtëzohet me këtë program. Por s’dua të mendojë se ky vendim sot mund jetë edhe i politikës që po ndodhë kohët e fundit në Kosovë”.

    “Nuk po dua të jetë ajo por ashtu po i bie, sepse ETIAS-i është një program i thjeshtë që këtë program s’janë duke e implementuar as vendet e BE-së mirëpo siç po shihet mund të jetë edhe vendim politik”, është shprehur Krasniqi në Klan Kosova.

    Tutje, ajo tha se Qeveria Kurti s’ka pasur progres në politikën e jashtme, pasi sipas saj, Kosova s’ka aplikuar në asnjë organizatë ndërkombëtare përveç Këshillit të Evropës.

    “Nuk mund të thuhet se ka qenë faji i qeverisë, por për shkak të vendimeve të fundit që kanë ndodhur që kryeministri të mos bashkërendohet me faktorët ndërkombëtar, mund të them se vendim i sotëm është edhe politik”, është shprehur Krasniqi.

    Ndryshe, as pas mbledhjes së dytë të Grupit Punues për Vizat, nuk ka pasur ndonjë konsensus për liberalizimin e vizave për Kosovën.

    Grupi Punues për Vizat në Këshillin e Bashkimit Evropian ka diskutuar dje për heqjen e vizave për Kosovën, por nuk ka arritur asnjë rezultat.

    Presidenca çeke, që drejton aktualisht Këshillin e BE-së, ka njoftuar se është diskutuar propozimi për ta lidhur liberalizimin e vizave me hyrjen në fuqi të sistemit ETIAS, që ndodh në nëntor të 2023-s, por nuk ka pasur konsensus.

    “Më 10 nëntor, Grupi Punues për Vizat i Këshillit të Bashkimit Evropian e ka mbajtur diskutimin e dytë për liberalizimin e vizave për Kosovës nën Presidencën Çeke. Shtetet anëtare diskutuan propozimin e Presidencës rreth kërkesës për ta lidhur liberalizimin e vizave për Kosovën me funksionalizimin e sistemit ETIAS”, thuhet në një deklarim nga Këshilli i BE-së.

    “Përgjatë një diskutimi të gjatë, nuk është arritur konsensusi. Shtetet anëtare, sidoqoftë, kanë bërë progres të dukshëm në negociata. Presidenca do t’u kthehet diskutimeve dypalëshe dhe do të provojë që sa më shpejt ta kryejë punë në këtë çështje të rëndësishme”, thuhet tutje në deklaratën të Presidencës çeke.

    Në mbledhjen e grupit punues të vizave në Këshillin e BE-së, që u mbajt më 13 tetor, zyrtarët francezë raportohej se kishin kërkuar që procesi i vizave për Kosovën të lidhet me funksionalizimin e sistemit për siguri në Evropë, ETIAS.

    Pas kësaj mbledhjeje, Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka thënë se një vendim për liberalizimin e viza për Kosovën pritet të merret kah mesi i nëntorit, apo fillimi i dhjetorit. Ajo shpresonte që ky vendim të jetë pozitiv.

    Von Cramon tha se shpreson që të mos vendosen kushtëzime apo që procesi i liberalizimit të vizave të lidhet me ndonjë metodologji të re të Bashkimit Evropian.

    “Vendimi do të jetë dikur kah mesi i nëntorit apo fillimi i dhjetorit. Por, pyetja është që a do të çojë te një sistem i ri i kushteve për vizat, që do të ishte krejtësisht i padrejtë, apo përfundimisht do të shohim një datë për vizat”, ka thënë eurodeputetja gjermane gjatë një konference për media në Prishtinë, më 24 tetor.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark