Interi dhe Milani bëhen gati për t’u përballur për herë të katërt në këtë sezon dhe derbi i famshëm i kryeqendrës lombarde këtë radhë do të zbulojë edhe ekipin e parë finalist, për sa i përket edicionit të 75-të Kupës së Italisë.
Bëhet fjalë pra për një edicion jubilar që do të kulmojë me finalen e madhe, që do të luhet më 11 maj në “qytetin e Përjetshëm”, në Stadiumin Olimpik të Romës.
Sfida e tretë në harkun e dhjetë javëve ndërmjet dy prej klubeve më të titulluar në Apenine. Në vetëm 73 ditë këto dy skuadra janë ndeshur si në kupë ashtu edhe në kampionat, sidoqoftë vlen të theksohet fakti që kuqezinjtë janë të pamundur në këtë sezon në përballjet mes tyre. Në ndeshjen e vajtjes më 1 mars ekipi i drejtuar nga trajneri Stefano Pioli u shfaq dominues, sidomos në pjesën e dytë, megjithatë takimi i parë i fazës gjysmëfinale përfundoi në barazim, me rrjeta të paprekura.
Këtë herë në sfidën e kthimit ekipi zikaltër konsiderohet si pritës, kështu që skuadra e Milanit ka favorin e dy rezultateve, për të siguruar finalen e parë të këtij aktiviteti, që nga viti 2018, kur për hir të së vërtetës kuqezinjtë nën drejtimin e Gennaro Gattuso-s u shpartalluan nga Juventusi me katër gola në pjesën e dytë, më saktë bëhet fjalë për katër gola të shënuar në vetëm 20 minuta lojë.
Ndeshja Inter – Milan do të luhet sonte nga ora 21:00 në Stadiumin San Siro dhe dueli i parë nga takimet e kthimit të fazës gjysmëfinale të këtij edicioni të Kupës së Italisë i është besuar arbitrit 40-vjeçar roman Maurizio Mariani.