Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti bëri të ditur në prag fushat elektorale se nga viti i ardhshëm do të ketë rritje pagash për punëtorët e sektorit publik. Sipas Kurtit, punonjësve të sektorit publik do t’u shtohen nga 55 euro bruto, ndërsa nga korriku edhe 55 të tjera – 110 në total për vitin e ardhshëm.
Qeveria Kurti vendosi t’i rrisë pagat pak para zgjedhjeve parlamentare, data për të cilën është caktuar 9 shkurti i vitit të ardhshëm.
Kjo praktikë nga shefi aktual i Qeverisë kritikohej zëshëm. Ai e quante si “dëshirë për pushtet” rritjen e pagave në kohë zgjedhjesh.
“Me premtime elektorale janë përpjekur të rrisin pagat, por ekonomia nuk funksionon asisoj. Mund të funksionojnë dëshirat për pushtet, por ekonomia nuk funksionon me rritje pagash në fushata elektorale siç është bërë në të kaluarën”, deklaronte para tri vitesh Kurti.
Deklaratë të ngjashme por me qëllim të njëjtë bëri Kurti edhe sot në konferencën për media.
“Përderisa në të kaluarën pagat rriteshin vetëm një herë brenda mandatit dhe atë vetëm në fushatë, me qeverisjen tonë të mirë e demokratike po rriten në secilin vit që nga hyrja në fuqi e ligjit të pagave, ashtu siç e parasheh edhe ligji”, deklaroi Kurti sot në konferencë.
Rritja e pagave në këtë periudhë është interpretuar si politikë para zgjedhjeve nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje. /Insajderi.org/