Policia e Kosovës ka zhvilluar të martën aksion policor në 14 lokacione nëpër qytete të ndryshme, ku janë arrestuar 10 persona nën dyshimin për përdorimin e kartelave bankare pa autorizim duke bërë transaksione, tërheqje të parave nga bankomatët dhe blerje me kartela të cilat kanë arritur në forma të ndryshme t’i komprometojnë. Nëpërmjet këtyre veprave, ata kanë dëmtuar katër banka.
Policia po ashtu gjatë ditës njoftoi se dhjetë të arrestuarit me veprimet e tyre kanë shkaktuar dëme në vlerë të më shumë se 400 mijë euro, në katër institucione financiare në Kosovë.
“Të dyshuarit, në bashkëveprim me njëri-tjetrin, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo për personin tjetër, kanë përdorur kartelat bankare pa autorizim duke bërë transaksione, tërheqje të parave nga bankomatët dhe blerje të gjësendeve të ndryshme, me kartela bankare të cilat kanë arritur në forma të ndryshme t’i komprometojnë. Në këtë rast janë dëmtuar institucionet financiare (bankat) në Kosovë me mijëra euro”, thuhet në njoftimin e sotëm të PK-së.
Gazeta Insajderi nga burime përbrenda Prokurorisë ka mësuar se si provë materiale janë sekuestruar tre llaptopë, tri kartela bankare, tri armë dhe municion, tri sim kartela, një veturë, nëntë telefona mobil, një shtëpizë dhe një fletore me shënime.
Të njëjtat burime kanë bërë të ditur se dy nga dhjetë të arrestuarit për veprat e lartcekura penale janë Tefik Rakaj, 38-vjeçar dhe Valtrim Shehu, 25 vjeçar.
Sipas këtyre burimeve, Krimet Kibernetike të policisë në koordinim me Prokurorinë e Shtetit po e hetonin rastin që disa muaj.
Policia gjatë ditës bëri të ditur se kontrolli është kryer në 14 lokacione në qytetet: Prishtinë, Gjilan, Ferizaj, Kaçanik, Drenas, Suharekë dhe Deçan. /Insajderi.org/