Trajneri i Drenicës, Bledar Devolli, ka thënë se do të bisedojë me kryesinë e klubit për të transferuar të paktën dy futbollistë që janë pa kontratë, pasi afati kalimtar i janarit tashmë ka përfunduar.
Trajneri Devolli shpreson edhe në rikthimin e lojtarëve të lënduar.
“Megjithëse kemi shumë probleme me dëmtimet, besoj se kemi bërë ndeshje të mirë, më shumë me dëshirë sesa me logjikë. Kundërshtari erdhi dy herë te porta dhe bëri gol. Ne bëmë ndryshime. Shyqyr është pauza dhe shpresoj të na rikuperohen lojtarët. Mund të bëjmë ndonjë ndërhyrje me lojtarë që janë pa kontrata, në mënyrë që ta rrisim cilësinë. Të hënën fillojmë punën menjëherë. Shpresoj të na rikuperohen lojtarët me ndihmën e Zotit. Në këtë javë mund të bëjmë një ose dy lëvizje, për ta rritur cilësinë te sulmi. Kemi edhe 10 xhiro për të luftuar deri në fund. Shpresoj në punë të madhe dhe shpresoj të marrim sa më shumë pikë që ta shpëtojmë sezonin”, tha Devolli pas ndeshjes.