×
  • Lajme
  • Lajme

    Dha dorëheqje si deputet në Mal të Zi, Nimanbegu: Pjesëmarrja e shqiptarëve në qeverinë e re, e gabuar

    Insajderi
    31 October 2023 - 22:35
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Genci Nimanbegu dha dorëheqjen si deputet në Malin e Zi, pasi partitë shqiptare mbështetën koalicionin pro serb dhe pro rus.

    Për herë të parë pas dorëheqjes, Nimanbegu deklaroi se pjesëmarrja në qeverinë e re, është një hap i gabuar.

    Sipas Nimanbegut, forcat politike në qeveri janë të paqarta dhe shtoi se në Mal të Zi do të ketë destabilitet politik.

    “Ky është drejtimi im i parë publik pas dorëheqjes që unë kam dhënë para 48 orësh në postin e deputetit. Unë jam mbartës i listës i Aleancës Shqiptare, nga radhët e të cilëve tani është ministri Gjeka. Këtë dorëheqje nga posti i deputetit e kam bërë si akt politik, moral, kombëtar, që për mua është një hap i gabuar, që në këtë fazë të merret pjesë në këtë qeveri. Ky do të ishte mandati im i pestë në Malin e Zi, i njoh mirë protagonistët e qeverisë së sotme. Mirë apo keq për shqiptarët, unë dua të tregoj një gjë, këto janë pasojat e politikave të cilat ishin në vitet e kaluara në Malin e Zi, ku me politika propagandistike, populliste është larguar rruga evropiane dhe struktura të lidhura me Vuçiqin dhe Kishën Ortodokse kanë marrë pushtet”, tha Nimanbegu në ABC News.

    “Unë jam i mbivotuar në subjektin tim politik dhe në Këshillin tonë qendror. Ne jemi 4 subjekte që jemi në koalicion parlamentar, ku Lidhja Demokratike është kundër kësaj marrëveshjeje, ndërsa dy forcat e tjera janë për marrëveshjen, Partia Demokratike dhe Lëvizja për Tuz. Nuk dua të merrem me subjektin Forumi Shqiptar. Shqiptarët duhej të prisnin që ky koalicion ku ne nuk jemi më të nevojshëm, është një politikan i ri i cili duhet të dëshmojë rrugën pro evropiane. Pjesëmarrja e Frontit Demokratik apo e një strukture që në programet e veta janë të lidhura me Beogradin, as nuk janë për NATO-n, Kosovën nuk do ta përmendin, është dashur të presim”, theksoi ai.

    Nimanbegu deklaroi se nuk ka votuar për rrëzimin e Dritan Abazoviq, kur ky i fundit ishte në krye të qeverisë malazeze.

    Ai u shpreh se ka votuar në vitin 2022 që Abazoviq të jetë në qeveri.

    “Nuk është e vërtetë. Unë nuk kam votuar për rënien e zotit Abazoviq këtu. Unë e kam votuar të hyjë në qeveri në vitin 2022. Kur është shkarkuar për shkak të firmës së tij, në një dokument nga Kuvendi i Malit të Zi, nuk kam votuar për rrëzimin e tij. Si mund të rikonstruktohet një qeveri e rënë, kur është e rënë? Çfarë rikonstruktimi ka ajo të cilën nuk e ka shumicën në Kuvend? Nuk mund të rrihet me çdo kusht në pushtet.

    Unë e dëshmoj edhe me aktin tim. Nuk mund të rrihet me çdo kusht në pushtet. Nuk është pushteti, gjëja kryesore e jetës sonë.

    Kam dhënë dorëheqjen si përgjegjësi. Jemi pjesëtarë të kombit shqiptar, që jetojmë në trojet tona, me shekuj. Kemi obligim të jemi kombëtar, të ruajmë dinjitetin tonë, gjuhën tonë”, theksoi ai.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark