Aktori që u nda nga jeta ditën e djeshme, u bë i njohur nga disa filmash uestern me Terence Hill. Ai në jetën reale ishte edhe një notar olimpik, pilot helikopteri dhe muzikant. Ka udhëtuar në gjysmën e botës, por nuk i donte pushimet. E ka rruar mjekrën vetëm një herë në jetë, por jo vetëm kaq…
U nda nga jeta në moshën 86-vjeçare në Romë, aktori Carlo Pedersoli ose i njohur më shumë si Bud Spencer. Këtë e ka bërë të ditur i biri i tij, Giuseppe Pedersoli, të hënën mbrëma: “Babai ndërroi jetë qetësisht në orën 18.15. Nuk vuajti, na kishte të gjithëve pranë dhe fjala e tij e fundit qe ‘Faleminderit’”. Për shqiptarët, ai njihet gjerësisht edhe si “Polic këmbëmadhi”. Me rolet e tij, ai u kthye një personazh i dashur dhe heroik në të gjithë botën.
Bud Spencer ka lindur më 31 tetor 1929 në Napoli. Ai u kthye në një aktor italian të njohur dhe komedian, i cili ka luajtur për një kohë të gjatë filma komiko-aksion me aktorin e njohur italo-amerikan partnerin e tij, Terence Hill. Karriera e tij fillon në vitin 1951, por ajo më së shumti merr vrull gjatë viteve ’70 kur së bashku me aktorin tjetër komik, Mario Girott, por i njohur si Terence Hill, luajtën 20 filma të cilët ishin të pëlqyeshëm për publikun. Përveç aktrimit, Bud Spencer ka qenë edhe një ish-notar profesionist, gjithashtu edhe prodhues filmash. Gjithashtu, ai është diplomuar për Juridik dhe po ashtu kishte qenë edhe pilot helikopteri dhe ai kishte hapur një fond për bursa për studentçt e rinj. Më poshtë do të njiheni me disa kuriozitete rreth jetës dhe veprave që ai la pas, për të mbetur i paharruar.
1 – Aktori napolitan që i urrente udhëtimet
Shumë pak e dinë që gjigandi i kinemasë italiane quhej Carlo Pedersoli. Në vitin 1940, ai la vendlindjen e tij Napolin për Romën, ku filloi shkollën e mesme. Ishte vetëm i pari transferim mes shumë të tjerash që e bënë të shihte gjysmën e botës veçanërisht për punë. Por i urrente pushimet. Muaji i tij i mjaltit zgjati vetëm 3 ditë.
2 – Olimpiadat
Në të vërtetë Spencer ishte sportist dhe kinemasë iu fut rastësisht. Në vitin 1950 ishte i pari italian që bëri me not 100 metra në më pak se 1 minutë. 20 herë kampion kombëtar noti. Por edhe pse e la karrierën e notit për 3 vite, mori pjesë në dy Olimpiada (Helsinki 1952 e Melbourne 1956). Në vitin 1960 la përfundimisht notin, por praktikoi edhe boksin dhe rugby-n.
3 – Pishina dhe fama në Gjermani
Edhe në Gjermani ku ishte shumë popullor, qyteti me emrin Schvabisch Gmund me 61 mijë banorë dhe 50 km nga Shtutgarti, e quajtën pishinën e madhe komunale të saj “Bud Spencer”. Pasi ishte pikërisht ajo pishinë ku Spencer theu rekordin në 100 metra stil i lirë gjatë një ndeshjeje mes Gjermanisë dhe Italisë.
4 – Kandidatura për “Forza Italia”
Ndodhi në shkurt të vitit 2005: i shoqëruar nga koordinatori i Lacios, Antonio Tajani, Bud Spencer prezantoi kandidaturën e tij në nivel rajonal me Forza Italia. Pak dihej për shijet e tij politike. Njëherë kishte thënë “Pajtohem me çdo gjë që ka bërë Berluskoni. E njoh që përpara se të futej në politikë”. Por megjithëse mori mbi 4 mijë vota, nuk arriti të fitonte.
5 – Amerika e Jugut
Në vitin 1947 shkoi në Amerikën e Jugut, ku punoi si kimist në Brazil. Ai shërbeu si punonjës i një kompanie amerikane të angazhuar për ndërtimin e një rruge të gjatë që lidhte Panamanë me Buenos Aires.
6 – Helikopteri dhe rimorkiatori
Një nga pasionet e tij më pak të njohura ishte fluturimi. Në vitin 1975 ai mori licencën e pilotit të helikopterit për Itali, Zvicër dhe SHBA. Por ishte i pasionuar edhe pas motorëve, dhe në fakt bleu një rimorkiator.
7 – Muzika
Edhe pse babai i bashkëshortes së tij, Maria Amato, ishte një pronar i njohur i kinemave, Carlo nuk ishte i interesuar për ekranin e madh kur u kthye në Itali në vitet ‘60. Por ishte i interesuar për muzikë, firmosi një kontratë me kompaninë muzikore RCA, dhe shkruante tekste për këngëtarët italianë.
8 – Bud si birra
Kur filluan serialet e filmave uestern, atij dhe mikut të tij, Mario Girotti, i këshilluan të ndryshojnë emër, sepse emrat i kishin shumë italianë. Por ndërsa Girotti zgjodhi emrin e tij pas dhjetëra emrash të sugjeruara, Carlo zgjodhi emrin e tij Bud Spencer, si emri i birrës Budveiser.
9 – Të dhënat e universitetit
Në Universitetin e Romës ai studioi për Kimi. Ishte një nga më të rinjtë e shkollës, vetëm 17 vjeç. Nuk ishte në gjendje të diplomohej për shkak se u transferua në Amerikën e Jugut, por diplomën e mori më vonë në vitin 1955 për Drejtësi.
10 – Mjekra e “përgjithmonshme”
Vetëm një herë në jetën e tij e ka shkurtuar mjekrën, dhe më pas e ka lënë atë të rritet gjithnjë.