23:13 - 25 Janar 2023

Nga Hairej Younes

Ishte e premte mbrëma, dhe unë po përgatitesha të shkoja në aeroport pas mbarimit të punës. U ndala në farmacinë ku shkoj zakonisht për të blerë një spraj kundër alergjive. Unë mbaj sprej sa herë që udhëtoj. Këtë herë po shkoja në Dubai. M’u duk sikur farmacistja më mbante mend.

Kur kërkova ilaçin tim, ajo më tha se kishte mbaruar. Qëndrova aty për një minutë, duke menduar se çfarë të bëja. Më duhej me patjetër spraji. Isha vonë, dhe duhej të shkoja menjëherë në aeroport. Para se të mund të thosha diçka tjetër, ajo veproi e para.

I telefonoi një farmacie aty pranë, më tha të prisja për disa minuta. Shkoi vetë atje dhe mori sprajin që më duhej. Unë u shtanga dhe u mahnita nga veprimi i saj. Ajo nuk ishte e detyruar që ta bënte atë veprim, por e kuptoi se unë kisha patjetër nevojë për atë spraj.

Nuk do të kisha arritur në kohë tek farmacia tjetër, ndaj ajo përdori kontaktet e saj për të ma zgjidhur këtë problem.

Mënyra se si veproi farmacistja, ishte ajo që në japonisht quhet “omoiyari”, që do të thotë të bësh gjithçka për t’i ofruar një shërbim të përsosur klientit. Ai gjest më kurseu kohë dhe shmangu një situatë stresuese. Unë jetoj në Japoni prej më shumë se 20 vitesh dhe kam histori të panumërta si kjo.

Kultura japoneze është shumë e pasur. Unë kam përpiluar një listë me 10 koncepte japoneze, të cilat mund t’i përdorim për të përmirësuar veten ose për të kuptuar se si funksionojnë gjërat në Japoni, dhe çfarë e bën kaq të veçantë shoqërinë japoneze.

Omoiyari

Në japonisht do të thotë do të thotë të kujdesesh dhe të tregosh një konsideratë të sinqertë për të tjerët. Tifozët japonezë bënë bujë në mediat botërore në vitin 2018 kur pastruar stadiumin ku luajti ekipi i tyre kombëtar i futbollit gjatë botërorit në Rusi. Thuhet se praktikimi i omoiyari-t ndihmon në ndërtimin e dhembshurisë dhe ndjeshmërisë ndaj të tjerëve.

Ikigai

Sipas psikologut japonez Miçiko Kumano, është një term që përshkruan mirëqenien psiko-fizike të shkaktuar nga përkushtimi ndaj aktiviteteve të këndshme, dhe që të çon në pasjen e një ndjenje të përmbushjes personale. Thuhet se në Japoni, njerëzit që kanë një qëllim në jetë jetojnë më gjatë se të tjerët. Ikigai juaj është ai që ju zgjon çdo mëngjes dhe ju nxit të ecni përpara.

Wabi–sabi

Është një koncept që na inkurajon të përqafojmë papërsosmëritë tona dhe të pranojmë ciklin natyror të jetës. Çdo gjë në jetë, përfshirë edhe vetja jonë, është në një gjendje ndryshimi të vazhdueshëm. Pra ndryshimi është e vetmja konstante. Gjithçka është kalimtare dhe asgjë nuk është kurrë e plotë. Duke praktikuar wabi–sabi, ne mësojmë të jemi mirënjohës dhe pranues të realitetit dhe të përpiqemi të kemi sukses në gjërat që bëjmë por jo të fiksohemi pas përsosmërisë.

Mottainai

Ky koncept na mëson të respektojmë burimet që kemi, të mos i shpërdorojmë ato dhe t’i përdorim ato me një ndjenjë mirënjohjeje. Kompania Uniqlo përdor sloganin “Rroba të vjetra, jetë e re” për të pasur zero mbeturina. Ky koncept na fton të jemi mirënjohës dhe të qëllimshëm në veprimet tona dhe të mendojmë sesi të ndihmojmë që kjo botë të bëhet më e qëndrueshme.

Shin-Gi–Tai

Ky term do të thotë “mendje, teknikë, trup”. Ato janë 3 elementët kryesore për të pasur një performancë maksimale në artet marciale. Por këto koncepte mund të përdoren në çdo fushë. Për shembull, në lojën e shahut performanca juaj nuk varet vetëm nga aftësitë tuaja në këtë lojë.

Po ashtu, fitorja gjithashtu është një mentalitet që mund të përballojë stresin dhe pengesat gjatë orëve të përqendrimit të pandërprerë. Por ky koncept mund të zbatohet gjithashtu për zakonet e ndërtimit. Korniza mund të krahasohet me Modelin e Sjelljes, që shprehet si një formulë e shkurtër: Sjellja = Motivimi (Mendja), Aftësia (Teknika) dhe Modeli (Trupi). Një trup i shëndetshëm dhe një mendje e shëndoshë janë themeli për zhvillimin dhe përsosjen e çdo aftësie.

Shu-Ha-Ri

Përkthehet “ndiqe, shkëputu dhe kapërceje”. Është një mënyrë e të menduarit se si të mësosh dhe zotërosh një teknikë. Përvetësimi i njohurive kalon në 3 faza: Shu do të thotë të mësosh bazat duke ndjekur mësimet e një mjeshtri. Ha: nisni që të eksperimentoni, mësoni nga mjeshtrit dhe e integrojeni mësimin në praktikë. Ri: Faza e tretë fokusohet tek inovacioni dhe përshtatja e të mësuarit në situata të ndryshme.

Kaizen

Është një metodë e përmirësimit të vazhdueshëm, bazuar tek teoria se mund të jenë të rëndësishme ndryshimet e vogla pozitive të vazhdueshme. Kaizen na kujton të heqim dorë nga supozimet dhe përsosmëria. Na mëson të kemi një qasje përsëritëse dhe progresive ndaj ndryshimit.

Mono no aware

Ky koncept përshkruan ndjeshmërinë ndaj gjërave dhe kalimin e tyre të pashmangshëm.

Ky koncept na kujton se asgjë në jetë nuk është e përhershme. Ne duhet të heqim dorë me dëshirë dhe me hijeshi nga lidhjet tona me gjërat kalimtare.

Omotenashi

Koncepti ka të bëjë me ofrimin e shërbimit më të mirë pa pritur një shpërblim. Është një pjesë e rëndësishme e kulturës japoneze, dhe e rrënjosur thellë në mënyrën se si funksionon shoqëria japoneze.

Ho-Ren-So

Përkthehet si “raporto, informo dhe konsultohu”. Koncepti formon bazën e të gjithë komunikimit, bashkëpunimit dhe shkëmbimit të shëndetshëm të informacionit në një organizatë japoneze. Ai fokusohet tek rrënjët e linjës së komunikimit, duke përmirësuar rrjedhën e informacionit dhe duke parandaluar përsëritjen e problemeve.

Argumenti japonez është se përmes bashkëpunimit dhe komunikimit, Ho-Ren-So forcon marrëdhëniet punonjës-vartës dhe ofron një platformë që vartësi të mësojë nga eprori i tyre. Është praktikë e mirë që të inkurajohen të gjithë të raportojnë menjëherë problemet dhe pengesat. Edhe nëse nuk gjendet një zgjidhje, kostoja e një problemi që nuk raportohet mund të jetë e lartë.