Adea Lluhani është njëra nga dhjetëra maturantët që i kanë besuar PBC Academy për t’i trajnuar dhe përgatitur për tregun e punës në fushën e TIK-ut. Ajo zgjodhi të trajnohet për zhvillues webi për shkak se e konsideron profesion sfidues e me mundësi të madhe në tregun e punës.
“Kur është shpallur konkursi për aplikim, PBC Academy ishte një ndër akademitë më të arsyeshme për të kryer këtë trajnim, prandaj edhe e zgjodha. Gjithashtu edhe certifikata që njihet ndërkombëtarisht ishte një faktor tjetër”, ka thënë ajo.
Edhe Reis Rrahmanit i pëlqen programimi, prandaj ka zgjedhur të trajnohet për zhvillues webi. Ai thotë që për PBC Academy thotë se ka dëgjuar në shkollë gjatë sesioneve informuese që ka mbajtur kjo akademi.
“Për PBC Academy kam dëgjuar në shkollë, por edhe e kam parë mundësinë për aplikim në rrjete sociale. Deri tani jam shumë i kënaqur me trajnimin”, ka treguar Reisi.
Për dallim prej tyre, maturantja tjetër, Lyra Pozhegu, ka vendosur që të ndjek trajnimin për bazat e intelegjencës artificiale. Ajo thotë se PBC Academy është precize dhe se kjo i pëlqen.
“Për dallim prej programeve tjera, programi i PBC Academy më ka pëlqyer. Po ashtu gatishmëria që kishin për të na kthyer përgjigje në çdo pyetje më ka bërë ta zgjedh këtë akademi”, ka thënë Lyra.
Këto janë disa nga trajnimet që ofron PBC Academy për maturantët në kuadër të konkursit për subvencionim të trajnimeve në fushën e TIK-ut. Trajnimet tjera janë: Programimi për pajisje mobile, siguria e aplikacioneve dhe inxhinieria softuerike.
Koordinatorja për cilësi në PBCA, Sabina Llapashtica, thotë se trajnimi për zhvillim në web është trajnimi që ka zgjuar më së shumti interesim.
“Zhvillimi në web konsiderohet më i lehtë, më atraktiv dhe më i kapshëm për fillestarët. Në përgjithësi maturantët thonë se janë të kënaqur me këto trajnime. Edhe profesorët thonë se ndonëse maturantët nuk kanë pasur njohuri paraprake kanë arritur t’i mësojnë gjërat shpejt”, ka thënë Llapashtica.
Trajnimet do të zgjasin rreth 8 javë dhe në fund të tyre, përveç dijes së fituar, maturantët do të fitojnë edhe certifikatë që njihet edhe jashtë vendit. Ndërsa, për këta maturantët PBC Academy ka ofruar një shpërblim shtesë. Maturantët më të suksesshëm do të fitojnë laptop.
