Tenderët në ndërmarrjen publike Koorporata Energjetike e Kosovës (KEK) po shihen si trashëgimi nga “pronari” i biznesit Industrial Solutions. Të paktën, kështu ka lënë të nënkuptohet Arbër Bajgora, i cili prezantohet si Menaxher Operacional në këtë kompani në një përgjigje për Gazetën Insajderi.
Gazeta Insajderi është interesuar të dijë se si Liridona Kaçiu B.I., firmë kjo me emrin tregtar Industrial Solutions, ka arritur t’i fitojë mbi 20 tenderë vetëm përgjatë vitit 2025 në KEK. Në bazë të të dhënave publike në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës (ARBK), kompania figuron se është hapur më 13 janar të 2025-ës.

Arbër Bajgora, i cili është prezantuar si Menaxher Operacional, për Gazetën Insajderi ka deklaruar se me KEK’un bashkëpunojnë që nga paslufta. Kompania Union LLC, e cila figuron në emër të babait të tij, kishte marrë tenderë në të kaluarën në vlera gati milionëshe lidhur me kemikalet.
“Sipas kerkeses tuaj po ju sqarojm qe ne bashkepunojm me KEK qe nga pase lufta. Ndermarrja jone me te cilen ne kemi punuar me KEK eshte UNION LLC. Kemi gjetur mundesin qe te punojm ne nje fushe ne te cilen nuk kemi punuar ne te kaluaren, eshte fjala ne fushen e kimikaleve dhe kemi dashur qe gjithqka te fillon me firmen e re. Arsyeja e dyte eshte qe pronari i firmes UNION LLC ka dale ne penzion dhe nuk ka pasur interesim qe firma te zhvilloj aktivitet pas penzionimit“, thuhet në përgjigjen e tyre.
Në bazë të të dhënave në platformën E-Prokurimi, del se kjo kompani ka marrë mbi 20 tenderë në Koorporatën Energjetike të Kosovës. Vlera totale e tyre është 885,866 euro. Tenderi më i madh i fituar nga kjo firmë është 588 mijë euro. Bëhet fjalë për furnizim me kimikale, inhibitor dhe feri sulfat. Vlera e parashikuar e kontratës së dhënë në shkurt të vitit që shkoi ishte afro një milion, teksa Liridona Kaçiu B.I ka ofertuar 588 mijë euro.


Në interesimin e Gazetës Insajderi, kur janë pyetur se pse tenderët kjo kompani i kanë fituar vetëm në KEK, kanë thënë se për shkak të kapitalit të limituar, nuk aplikojnë nëpër ndërmarrje të tjera.
“Ne kemi kapital te limituar dhe nuk kemi kapacitet qe te punojm me shume kontrata perveq atyre me KEK qe nenshkruajm, kjo eshte arsyeja pse shumica e kontratave jane me KEK“, thuhet në përgjigjen e tyre për Insajderin.
Gazeta Insajderi ka parashtruar pyetje edhe në KEK lidhur me këtë çështje, duke pyetur nëse në ndonjë prej këtyre tenderëve është menduar të vendoset kriter në dosjen e tenderëve që operatori ekonomik fitues të ketë kontrata të mëhershme të finalizuara, megjithatë deri në momentin e publikimit të këtij artikulli s’ka marrë ndonjë përgjigje.
Në bazë të një raporti të realizuar në korrik të 2012-ës nga Preportr, Union LLC figuron në listën e penalltive të kompanive që janë ndëshkuar nga KEK-u për shkelje të kontratave
Disa nga tenderët e fituar nga Union LLC nga KEK:

Ankesat në OSHP për kompaninë Liridona Kaçiu B.I.
Dy kompani ofertuan për tenderin “Furnizimin me material izolues për motorë elektrikë”.
Kompania që u shpall fituese ishte “Liridona Kaçiu B.I.”, në vlerë prej afro 35 mijë eurosh.
Ndonëse një kompani tjetër kishte ofertuar me një çmim më të ulët, prej afro 10 mijë eurosh, e njëjta u eliminua për shkak të një dyshimi teknik mbi standardin e një materiali (IEC 641 në vend të IEC 6641).
Kjo kompani ka dorëzuar ankesë në Gjykatën e Tenderëve, duke pretenduar se është eliminuar në mënyrë të padrejtë.
Në ankesë thuhet se materiali i ofruar MYOFLEX PV, me standard amerikan UL 1446, plotëson kërkesat teknike, ndërsa komisioni i vlerësimit “nuk e ka vërejtur këtë detaj”.
“Na është bërë padrejt eliminimi. Kërkojmë që lënda të kthehet në rivlerësim”, thuhet në ankesë.
Operatori pretendon se autoriteti kontraktues ka shkelur disa nene të Ligjit për Prokurim Publik, përfshirë nenet mbi barazinë në trajtim, specifikimet teknike, dhe vlerësimin e ofertave.
Aty janë ngritur edhe dyshime se specifikat e hartuara favorizojnë një operator ekonomik duke diskriminuar kompanitë tjera.
“Autoriteti kontraktues nëse përpilon specifikimet teknike në atë mënyrë që ato të mos jenë në përputhje me qëllimin e prokurimit dhe te mos sigurimit të qasjes sa më të mirë për të gjithë operatorët e interesuar ekonomik dhe tenderuesit, e ne veçanti të hartojë specifikime teknike që favorizojnë ose diskriminojnë një ose më shumë operatorë ekonomik janë te pritshme demet ndaj biznesit tone dhe jemi te
detyruar te mos merrem me këtë fushe veprimtari”, thuhet aty.

Ankesa pati për shpërblim të ofertës më të shtrenjtë të kompanisë Liridona Kaçiu B.I edhe për tenderin për furnizim për Natrium Hipoklorit.
Sipas ankesës, SEYKOS Sh.p.k. ka dorëzuar ofertë të përgjegjshme dhe brenda afatit, mirëpo më 19.12.2025 KEK e ka shpallur ofertën e saj të papërgjegjshme, duke arsyetuar se mungon certifikata e kualitetit me parametra dhe se disa parametra të produktit nuk janë në përputhje me specifikacionin teknik. Ndërkohë, si operator ekonomik fitues është shpallur Liridona Kaçiu B.I., me ofertë më të shtrenjtë, në vlerë prej 38,250 euro.
SEYKOS pretendon se ky arsyetim është i pabazuar, pasi në ofertën e saj janë përfshirë Certifikata e Kualitetit e Prodhuesit (dokumenti nr. 9) dhe Specifikatat teknike, përdorimi dhe paketimi (dokumenti nr. 16), të cilat mbulojnë plotësisht kërkesat e Dosjes së Tenderit dhe Aneksit 1. Sipas kompanisë, KEK nuk ka specifikuar asnjë parametër konkret që pretendohet se nuk përputhet me kërkesat teknike.
Në përfundim, SEYKOS Sh.p.k. kërkon nga OSHP që të konstatojë shkeljet ligjore të KEK-ut, të anulojë vendimet kontestuese dhe të urdhërojë rivlerësimin e drejtë dhe të ligjshëm të ofertave.
Ankesa është ende në fazë shqyrtimi nga OSHP’ja. /Insajderi.org/