Kompania më e madhe e turizmit në Kosovë, Sharr Travel, ka hapur të shtunën në Durrës në Ditën e Verës sezonin turistik për vitin 2026 me fushatën promovuese “Vera Thërret – Shqipëria të mirëpret”.
Në ambientet luksoze të Hotel Bonita në Golem, në praninë e një grupi gazetarësh nga mediat kryesore të Kosovës, kompania prezantoi ofertat e saj turistike për sezonin e ri veror, i cili përkon edhe me 30-vjetorin e themelimit të kompanisë.
Presidenti i “Sharr Travel” Ruzhdi Kurtishaj, gjatë ceremonisë së hapjes së sezonit turistik theksoi se kompania që ai drejton përfaqëson disa nga hotelet dhe resortet më cilësore në bregdetin shqiptar, duke ofruar standarde të larta shërbimi për pushuesit nga Kosova dhe rajoni.
“Nga sot kur po e hapim sezonin turistik e kemi shumë afër Festen e Bajramit. Në 30 vjetorin e themelimit të kompanisë për festën e Bajramit tashmë kemi përgatitur oferta të veçanta me çmime shumë ekonomike. Qytetarët e Kosovës duhet të rezervojnë sa më herët pushimet e tyre verore për të përfituar çmime më të favorshme dhe oferta promocionale”, ka deklaruar Kurtishaj.
Ai bëri të ditur se, përveç Durrësit dhe zonës së Golemit, promovimi i sezonit turistik do të vazhdojë edhe në destinacionet tjera të njohura të bregdetit shqiptar.
“Nga brigjet e Durrësit do të vazhdojmë promovimin edhe në destinacione të tjera turistike si Vlora, Saranda, Ksamil, Shëngjini, Velipoja dhe Ulqini – kudo ku flitet shqip dhe ku pushimet shqiptare po bëhen gjithnjë e më të kërkuara nga turistët”, ka thënë ai.
Sipas Kurtishajt, Sharr Travel është plotësisht e përgatitur për sezonin veror 2026, me një numër të madh ofertash dhe bashkëpunime me resortet dhe hotelet më prestigjioze të bregdetit shqiptar.
“Me afrimin e Bajramit kemi lansuar oferta promocionale ekonomike me çmime speciale, të cilat mund të rezervohen përmes Sharr Travel. Po ashtu, këtë vit kompania shënon 30-vjetorin e themelimit dhe me këtë rast kemi lansuar oferta me deri në 30% zbritje, si falënderim për klientët tanë besnikë”, shtoi ai.
Synimi për mbi 100 mijë klientë këtë vit Kurtishaj bëri të ditur se interesimi për pushime në bregdetin shqiptar po rritet nga viti në vit.
“Vetëm gjatë vitit të kaluar kemi pasur mbi 80 mijë klientë, ndërsa këtë vit synojmë ta kalojmë shifrën gjashtëshifrore, pra mbi 100 mijë pushues”, ka theksuar ai.
Sipas tij, kompania ka përgatitur edhe paketa të veçanta për diasporën shqiptare, të cilat përfshijnë qëndrime në hotelet më luksoze të bregdetit shqiptar.
“Për rezervimet e bëra deri më 30 mars 2026, diaspora mund të përfitojë deri në 10% zbritje dhe dhoma deluxe në disa prej hoteleve më të mira në bregdet”, tha Kurtishaj.
Vizita në hotelet turistike
Në kuadër të hapjes së sezonit turistik, përfaqësuesit e mediave patën mundësi të vizitojnë nga afër disa nga hotelet dhe resortet turistike me të cilat bashkëpunon Sharr Travel.
Gazetarët vizituan Hotel Bonita në Golem, ndërsa më pas edhe ambientet e resortit luksoz Prestige Resort në Mali të Robit, si dhe Hotel Bleart në Durrës, si dhe hoteli AMH në Durrës ku u prezantuan kapacitetet turistike, standardet e shërbimit dhe ofertat për sezonin veror 2026.
Përfaqësuesit e kompanisë theksuan se sezoni i sivjetshëm pritet të jetë një nga më të suksesshmit për turizmin shqiptar, duke pasur parasysh rritjen e interesimit të pushuesve nga Kosova, rajoni dhe diaspora.