Ditën në punë, natën në burg – të burgosurit e Smrekonicës që ndihmojnë bizneset në Kosovë - Insajderi
×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Ditën në punë, natën në burg – të burgosurit e Smrekonicës që ndihmojnë bizneset në Kosovë

    Insajderi
    09 July 2023 - 19:53
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Njëzet e tre të burgosur në Qendrën Korrektuese të Smrekonicës në Vushtrri punojnë me orar të plotë në kompani private në komuna të ndryshme të Kosovës. Koncepti është pjesë e një udhëzimi administrativ që është miratuar para katër vjetësh. Përfituesit e tij thonë se u ndihmon në risocializim.

    A.G me padurim pret të zbardh dita dhe të lë burgun e të shkojë në punë.

    Edhe pse i privuar nga liria, i burgosuri në fjalë punon pesë ditë në javë në biznesin e tij familjar në Prishtinë.

    “Është një risocializim shumë i mirë. Është shumë e mirë kur fillon punë tre apo gjashtë muaj para se të dalësh nga burgu”, shprehet i burgosuri që tashmë punon edhe në restoran.

    Nga viti 2021 ky 43-vjeçar vuan dënimin në qendrën korrektuese të Smrekonicës në Vushtrri për shkak të një aksidenti trafiku.

    Njëjtë si ai janë edhe 23 të burgosur tjerë që kanë mbaruar pjesën më të madhe të dënimit e që punojnë në kompani private jashtë qelive të burgut.

    Disa prej tyre me vetura personale, e disa të tjerë me transport publik, lënë qelitë e burgut në ora 6:30 për t’u rikthyer në orët e pasdites.

    Gjatë kohës sa punojnë ata nuk kanë të drejt të dalin jashtë hapësirave të punës dhe autoritetet e burgut mund t’i monitorojnë.

    Ata paguhen dhe kanë çdo përfitim si punëtorët tjerë.

    Një tjetër i burgosur që tashmë punon në sektorin e ndërtimit, thotë se kyçja në jetën shoqërore pas gjithë viteve të izolimit ka qenë shumë e vështirë sidomos në aspektin e teknologjisë informative që ka përparuar shumë.

    Për momentin vetëm qendra korrektuese në Smrekonicë e zbaton këtë praktikë të punësimit të burgosurve jashtë institucionit.

    Aty janë duke vuajtur dënimin rreth 100 persona. Por për të përfituar mundësinë e punësimit jashtë grilave duhen plotësuar disa kushte.

    “Së pari duhet ta ketë të përfunduar vuajtjen e gjysmës së dënimit dhe të jetë përfitues i benificioneve si vikend në shtëpi”, ka deklaruar Agron Thaçi, zëvendësdrejtor i burgut të Smrekonicës – Vushtrri.

    Punësimi i të burgosurve është aplikuar për herë të parë në SHBA dhe tashmë zbatohet në shumë vende të botës./REL


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark