Aksioni i gjerë i Policisë dhe Prokurorisë në Byronë Kosovare të Sigurimit (BKS) ka zbardhur një skemë tronditëse të përfitimeve familjare. Nën hetime ishin edhe pjesëtarë nga familja Çollaku, ku djali, Ylli Çollaku, bashkë me nënën dhe gruan e tij, dyshohet se kanë përfunduar në pranga si pjesë e transaksioneve të dyshimta, shkruan Insajderi.
Hetimet disa-mujore për “avullimin” e mbi 1.3 milion eurove nga BKS-ja kanë rezultuar me prangosjen e 39 personave. Burime të Insajderit bëjnë me dije se në mesin e të arrestuarve është Yll Çollaku (djali), bashkë me gruan e tij dhe nënën.
Dyshimet kryesore të Prokurorisë rëndojnë mbi faktin se mjetet financiare të BKS-së, në emër të dëmshpërblimeve apo pagesave të tjera, kanë përfunduar në llogaritë bankare të familjarëve të lidhur me rrjetin e zyrtarëve të lartë të arrestuar, Sami Mazreku dhe Valon Berisha.
Kryeprokurori i Prizrenit ka konfirmuar se janë dokumentuar 166 transaksione të dyshimta, ku vlera e tyre ka arritur deri në 68,000 euro për një transfertë të vetme, mjete këto që më pas janë tërhequr në formë të parave të gatshme.
Lista e të dyshuarve të arrestuar
Përveç familjes Çollaku, Insajderi sjell listën e plotë të personave që ranë në pranga gjatë aksionit të sotëm, të dyshuar si pjesë e kësaj skeme:
Ariana Domniku Çollaku, Yll Çollaku, Naxhije Çollaku, Naser Biri, Jetesa Biri, Ron Biri, Bardh Hoti, Mirjeta Kosumi, Agon Bardhi, Hasip Meleqi, Agim Krasniqi, Trendelinë Azemi, Lirim Ahmetaj, Kushtrim Demolli, Mentor Demolli, Egzona Gashi, Rilind Hasani, Paris Starabanja, Florent Sylejmani, Fehmi Bajrami, Faton Hajdari, Hana Rastavica, Valbonë Hoxha, Mërgim Zabeli, Leonard Rexhaj, Bajram Osmani, Enis Osmani, Besiana Murati, Valon Duraj, Suad Haliti, Adem Nasufi dhe Muhamet Rexhepi.
Mbi 1.3 milion euro të sekuestruara
Gjatë bastisjeve në disa lokacione, Policia ka sekuestruar një pasuri të konsiderueshme:
Mbi 1.3 milion euro para të gatshme (cash);
Makina luksoze dhe sasi të arit;
Dokumente dhe prova materiale që dëshmojnë keqpërdorimet.
Të gjithë të arrestuarit ndodhen në ndalim policor për 48 orë.
Ky operacion cilësohet si një nga goditjet më të mëdha ndaj krimit ekonomik, duke ekpozuar se si paratë e sigurimeve përfunduan në xhepat e “vëllezërve, nuseve dhe nënave” të personave të përfshirë në këtë aferë.
Lexo edhe: