Kjo nuk është shenja e pare. Hendeku mes Lazios dhe Igli Tares thellohet, edhe pse klubi kryeqytetas u përpoq para pak ditësh të qetësonte tensionet.
Pas heqjes së kompetencave si drejtor te sektori i të rinjve dhe femrave, vjen edhe largimi i djalit të Tares që po stërvitej me “Primaveran”.
Të rinjtë e Lazios do t’iu nënshtrohen ekzaminimeve mjekësore të epokës së re. Ky proces nisi sot dhe do të përfundojë të enjten në “Paideia”, deri pasnesër, ditën në të cilën është planifikuar dreka në Formello dhe nisja e mëpasshme për në Roccaporena.
“Lazio Primavera” do të qëndrojë në kampin stërvitor të fshatit Cascia deri më 31 korrik. Pankina iu besua Stefano Sanderra, ish-trajnerit të Hibernians, kampioni në fuqi i Maltës. Surprizë mund të konsiderohet largimi i djalit të drejtorit sportiv të klubit bardhekaltër, Igli Tare nga të rinjtë e Lazios.
Etienne Tare u lirua më 30 qershor, me klubin që nuk e konsideroi të përshtatshme vazhdimin e kontratës së tij. Kësisoji, Tare Jr. do të largohet nga Lazio dhe do të detyrohet të gjejë një ekip të ri, ndoshta në Serie C.
Rezultati i tij në sezonin e fundit të “Primavera 2” ishte 6 gola dhe 2 asiste në 23 ndeshje, shpeshherë nën hijen e paraqitjeve të rëndësishme të Valerio Crespi. Përtej asaj që do të jetë e ardhmja e Iglit në hierarkinë drejtuese të Lazios, Etienne tani ka përshëndetur stafin dhe bashkëlojtarët.
Kriza midis presidentit të Lazios, Claudio Lotito dhe drejtorit Igli Tare, ish-futbollist i Lazios dhe i kombëtares së Shqipërisë, pas kaq vitesh bashkëpunimi, vështirë se mund të kamuflohen me ndonjë deklaratë për shtyp. Ngjarja nuk ka nevojë për komente…