Shërbimi Korrektues i Kosovës ka finalizuar kontratën për renovimin e Qendrës së Paraburgimit në Gjilan dhe ndërtimin e objekteve përcjellëse, një investim që lidhet me përgatitjet për pranimin e të burgosurve nga Danimarka.
Kontrata, me vlerë 8,585,858.58 euro, është nënshkruar më 25 qershor 2026 me konsorciumin e përbërë nga kompanitë “Construmax” Sh.P.K., “Harst Group” Sh.P.K. dhe “Top Projekt” Sh.P.K.
Projekti financohet nga Buxheti i Konsoliduar i Kosovës. Sipas të dhënave të prokurimit, fondi i parashikuar për këtë tender ishte 13,105,000 euro, ndërsa kontrata është lidhur për rreth 4.5 milionë euro më pak se vlera e planifikuar.
Procedura e prokurimit ishte hapur në korrik të vitit 2025. Gjatë procesit janë tërhequr 122 dosje të tenderit, janë dorëzuar tre oferta, por vetëm njëra prej tyre është vlerësuar si e përgjegjshme dhe është shpallur fituese.
Punimet do të zhvillohen në objektin e Qendrës së Paraburgimit në Gjilan, ndërsa afati për përfundimin e kontratës është caktuar 755 ditë.
Ky investim është pjesë e përgatitjeve për zbatimin e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Danimarkës, me të cilën Qendra e Paraburgimit në Gjilan do të përshtatet për akomodimin e të burgosurve që pritet të transferohen nga Danimarka gjatë gjysmës së parë të vitit 2027.