×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    “Do të quhej shqiptar nëse…”- këshilltari i Kurtit vazhdon inatin me Talat Xhaferin

    Insajderi
    28 January 2024 - 16:55
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Bekim Qoku, i emëruar nga Zyra e Kryeministrit si këshilltar për marrëdhënie me Maqedoninë e Veriut, gjatë tërë ditës ka vazhduar ta sulmojë kryeministrin e parë shqiptar në shtetin respektiv, Talat Xhaferin.

    Qoku kësaj radhe ka përcaktuar edhe kriteret se në çfarë rrethanash Xhaferi do të quhej shqiptar. Sipas tij, ai si veprim të parë si kryeministër duhet t’i vizitojë të rënët nga konflikti i 2001-ës, shkruan Gazeta Insajderi.

    “Talat Xhaferi, si kryeministër teknik, do të quhej shqiptar, sikur të paktën si gjest të parë prej kryeministri, të bënte homazhe në varrezat e dëshmorëve të rënë në konfliktin e vitit 2001, ku do të shprehte mirënjohje dhe respekt, sepse pa sakrificën e tyre, pa gjakun e derdhur të tyre, kjo arritje simbolike nuk do të ishte aspak e mundur”, ka shkruar ai.

    Qoku më herët pati kritika edhe ndaj katër gazetarëve prezentë që mbuluan nga atje ngjarjen historike të përzgjedhjes së një kryeministri shqiptar në Maqedoninë e Veriut.

    Sipas këshilltarit të Kurtit, Xhaferi iu ka ndarë tenderë të katër gazetarëve.

    “Sa tenderë dhe sa pare nga buxheti i varfër i shqiptarëve të MV duhet t’u jenë ndarë gazetarëve/analistëve mercenarë për propagandë pro-regjim?”, shkroi ai.

    Nga krerët institucionalë, presidentja Vjosa Osmani dhe kryekuvendari Glauk Konjufca i kanë uruar Xhaferit përzgjedhjen kryeministër. Deri më tani, mungon urimi i kryeministrit, Albin Kurti.

    Kryeministri Kurti me partinë e tij i ka ofruar mbështetje opozitës shqiptare atje, që sot bojkotuan seancën për përzgjedhjen e Xhaferit kryeministër në qeverinë teknike maqedonase, me mandat prej 100 ditësh. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark