×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Doarsa Kica Xhelili: Kosova vend i rrezikshëm për gratë

    Insajderi
    16 April 2024 - 17:06
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Deputetja e Lidhjes Demoratike të Kosovës, Doarsa Kica Xhelili ka thënë se “Kosova është vend i rrezikshëm për vajzat dhe gratë”.

    Kica-Xhelili shkroi se dhunuesit e vrasësit potencial po shfaqen në komente, ndërsa pyeti se a i merr në pyetje ata ndokush.

    “Pastaj, edhe diskutimet në Kuvend, madje dhe për çështje të mbrojtjes së grave, janë bërë politike. Kur unë rekomandoj buxhet shtesë për strehimore, dhe propozoj rezolutë për mbrojtje të grave, nuk i pranojnë sepse i propozoj UNË. I pengon emri im, si një grua që propozoj diçka për gratë. E pse të presim që të na marr dikush më seriozisht? Pse duhet burrat të hamendësohen nëse duhen ngritur dorë apo jo kur shteti tallet me idenë e mbrojtjes së gruas. 400 euro? Kaq paguhet lehtësisht dajaku. Kështu ka çmim edhe vdekja. Liridonës i dhanë çmim për të sajën”, ka shkruar ajo.

    Postimi i saj i plotë:

    Të bërtasim derisa të na pëlcasë shpirti – prap s’bëjmë gjë.

    Kosova është vend i rrezikshëm për vajzat dhe gratë. Kjo është fjalia më turpëruese dhe e vërtetë njëkohësisht.

    Reagimet ‘simptomatike’ që i bëjmë sa herë ndodh EDHE një rast janë thuajse frymëzuese për dhunë shtesë – sepse ky është mesazhi që japim pavetëdijshëm. Se e përfunduam punën me kaq.

    Komentet e përçudnuara i keni para vetes çdo ditë. Aty i keni dhunuesit dhe vrasësit potencial. A i merr ndokush në pyetje? Askush! Thirrjet për vrasje e urrejtje ndaj çdo gruaje me mendim të sajë, e “Zot mos e bjer” një gruaje që zgjedh të mos duroj dhunë emocionale e fizike, janë bërë përditshmëri.

    Kur dhunuesi dënohet me 400 euro, e hajni me 2 vite burg, jeta e gruas bëhet aq. Më e lirë se një stoli e vjedhur. Asgjë e re.

    Pastaj, edhe diskutimet në Kuvend, madje dhe për çështje të mbrojtjes së grave, janë bërë politike. Kur unë rekomandoj buxhet shtesë për strehimore, dhe propozoj rezolutë për mbrojtje të grave, nuk i pranojnë sepse i propozoj UNË. I pengon emri im, si një grua që propozoj diçka për gratë. E pse të presim që të na marr dikush më seriozisht? Pse duhet burrat të hamendësohen nëse duhen ngritur dorë apo jo kur shteti tallet me idenë e mbrojtjes së gruas. 400 euro? Kaq paguhet lehtësisht dajaku. Kështu ka çmim edhe vdekja. Liridonës i dhanë çmim për të sajën.

    Prandaj as unë s’mund të shes më dramë duke treguar sa e tronditur jam. Nuk mund të tronditesh sistematikisht e as nuk mund ta relativizosh tronditjen me një “bërtimë” momenti kur je në rolin tim.

    Nëse nuk zgjohem çdo ditë me një ide shtesë se si t’a përçaj tejpërtej frymëmarrjen e lirshme mizogjene në Kosovë, atëherë kot flas sot.

    Fjalët tona as nuk i kthejnë në jetë e as ndalin vrasjen e Gjyljetave tona.

    E derisa ta gjej rrugën për një copë ndryshim të vajzave dhe grave, as unë s’kam pse flas për tronditje. Deri në Rezolutën e radhës që mund ta refuzojnë sërish? Ndoshta. Nuk e di! Por një rrugë do ta gjejmë!

    Deri këtu, kemi dështuar kolektivisht.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark