×
  • Hulumtime
  • Hulumtime/Analiza / Hulumtime

    Dogana shpërblen me tenderin për këqyrje të bursave firmën që nuk i plotësoi kriteret bazë

    Insajderi
    23 April 2024 - 16:09
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Dogana e Kosovës ka vendosur që ta shpërblej me një tender për këqyrjen e bursave online firmën e biznesmenit Iris Gjinovci. Për këtë tender vet kjo agjenci kërkoi që kompania të jetë e regjistruar në ATK me TVSh, diçka që del që “Schoolme Implementation…” nuk e ka

    Gazeta Insajderi

    “Ofrimi i shërbimeve për qasje në bursën botërore” është një projekt që Dogana e Kosovës e ka nisur që nga tetori i vitit të kaluar. Ka paraparë që për këtë punë ta angazhoi një kompani të jashtme, e që buxhetin e punës e paraparë të jetë 78 mijë euro.

    Mbi gjashtë muaj më vonë, dhe disa procesesh të vlerësimit e ri-vlerësimit, Zyra e Prokurimit e kësaj agjencie shtetërore ka vendosur që me këtë punë ta shpërblejë kompaninë “Schoolme Implementation & Consulting SH.P.K.”.

    Vlera e kontratës është 74 mijë euro, të cilat pritet të shkojnë tek biznesmenja Iris Gjinovci, për të cilën ka raportuar Gazeta Insajderi.

    LEXO: Hulumtimi i Insajderit- Pezullohet tenderi i përfituar nga biznesmenja e afërt me Ramën

    Nuk ka certifikatë të TVSH-së, Dogana e shpërblen me tender

    Firma “Schoolme Implementation & Consulting SH.P.K.”, që ishte në garë për tenderin “Ofrimi i shërbimeve për qasje në bursën botërore” kishte bërë edhe ankesa se po shpërblehej një kompani tjetër më e shtrenjtë.

    Pavarësisht që dyshohet se nuk i plotëson kriteret bazë, Prokurimi i Doganave ia shqyrtoi ankesën.

    Por, cilat kritere dyshohet që nuk i përmbush firma “Schoolme Implementation & Consulting SH.P.K.”?

    Kur Dogana e publikoi njoftimin për tenderin “Ofrimi i shërbimeve për qasje në bursën botërore” nxori në publik edhe dosjen që duhej ta plotësonin kompanitë që aplikojnë për të.

    Në faqe 34 të këtij dokumenti prej 130 faqesh, Dogana e ka përcaktuar si kriter bazë edhe që firmat që aplikojnë të jenë në listën e kompanive që kanë certifikatë për TVSh.

    “Kërkesat e përshtatshmërisë profesionale | 7.1 a. Regjistrimi si operator ekonomik në regjistrin profesional, komercial dhe/apo regjistrin e ndërmarrjeve në vendin e juaj të themelimit; dhe  b. Regjistrimi në TVSH. 7.2 a. Një dokument i lëshuar nga autoriteti përkatës publik në vendin e themelimit të operatorit ekonomik me të cilin evidentohet regjistrimi i operatorit ekonomik në atë vend (Kopja e certifikatës së biznesit); dhe  b.Një kopje e certifikatës se TVSH”, thuhet në këtë dokument.

    Derisa Gazeta Insajderi po hulumtonte për tenderin për digjitalizimin e arsimit në Komunën e Prishtinës kishte zbuluar se firma e Gjinovcit ishte edhe pa certifikatë të Administratës Tatimore për TVSh-në.

    Kjo kompani që është në pronësi të Iris Gjinovcit, dhe në Regjistrin e Bizneseve është regjistruar në maj të vitit 2022, një vit më vonë gjendet tek lista e bizneseve që u është anuluar certifikata e TVSh-së- informacion ky është publikuar më 27.09.2023.

    Sipas Dosjes së Tenderit, me këtë punë që iu dha kompanisë firma “Schoolme Implementation & Consulting SH.P.K.”, Dogana synon “shfrytëzimi i kësaj qasje përmes bursës botërore bëhet për çmimet e mallrave strategjike si: mielli, gruri, orizi, kafeja, shufra hekuri, kikiriku, vaji i papërpunuar, fibrat e leshit, kakao  dhe mallra tjera”. 

    “Këto të dhëna janë publikuar nga ana e Sektorit të Vlerës ne Dosjen e të dhënave të disponoheshme, ku Sektorët dhe degët doganore i përdorin si burim të informacion gjatë vlerësimit të mallrave në importe”, thuhet në dosjen në fjalë.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark