×
  • Lajme
  • Hulumtime
  • Hulumtime/Analiza / Hulumtime

    Hulumtimi i Insajderit- Pezullohet tenderi i përfituar nga biznesmenja e afërt me Ramën

    Insajderi
    23 April 2024 - 13:50
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Komuna e Prishtinës e drejtuar nga Përparim Rama i LDK-së kishte nxjerr vendim që ta shpërblente me tenderin e denoncuar si korruptiv një biznesmene nga Shqipëria, me banim në Londër e që ka biznes në Lipjan. Ky tender, për prapaskenat e të cilit ka raportuar në vazhdimësi Gazeta Insajderi, tashmë është pezulluar.

    Gazeta Insajderi

    Në “Facebook” nuk i ndahet Kryetarit Përparim Rama me lavde. Në një takim për strategjinë e Komunës madje ai e kishte ulur ne krye të vendit. Iris Gjinovci, biznesmenja nga Shqipëria e me vendbanim në Londër, por me biznes në Lipjan, javë më parë u përzgjedhur për të marrë tenderin e dyshimtë të komunës që drejtohet nga LDK-ja.

    Një hulumtim i Insajderit kishte zbuluar se kompania ishte më e shtrenjta, e për më shumë, vitin e kaluar i ishte hequr edhe licenca nga ATK-ja për TVSh-në.

    Pas këtij raportimi të Gazetës Insajderi, Komuna e Prishtinës ka marrë vendim që ta pezulloi këtë tender, i cili qysh se kur u nis ishte denoncuar publikisht si korruptiv.

    Në vendimin e Komunës së Prishtinës për pezullim është perënduar si arsye një ankesë që tashmë është deponuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit kundër vendimit që biznesi i Gjiovcit, “Schoolme Implementation & Consulting Sit P.K.” të shpërblehej me tenderin për digjitalizimin e arsimit në Kryeqytet me mbi 250 mijë euro.

    Në ankesën tashmë të deponuar në OShP, biznesi tjetër që ishte në garë është ankuar vetëm që Komuna e Prishtinës padrejtësisht e shpalli të papërgjegjshme, me çka iu hap rruga që këtë punë ta merrte biznesmenja Iris Gjinovci

    Në shoqëri me Kryetarin, më e shtrenjta – Kush është biznesmenja që ishte shpërblyer me tenderin e dyshimtë të Prishtinës?

    Hulumtimi i Gazetës Insajderi kishte zbuluar se Iris Gjinovci, pronarja e firmës ““Schoolme Implementation…”, njihej edhe më herët me Kryetarin e Prishtinës, Përparim Ramën e LDK-së. I njëjti e kishte ftuar në një nga takimet e tija ku ai weekendeve po bënte strategji – ishte krejt afër tij.

    “Jemi mbledhur për të analizuar dhe diskutuar objektivat dhe strategjinë për realizimin e programit tonë me qëllim të transformimit të Prishtinës”, kishte shkruar në shkurt të vitit 2022 Përparim Rama.

    Në krye të vendit, bashkë me të shihet edhe biznesmenja nga Shqipëria, por me vendbanim në Londër e që ka biznes të regjistruar në Lipjan, Iris Gjinovci.

    Rama nuk kishte përmendur emrat e personave që i thirri në këtë ekskursion fundjave. Dhe, as në çfarë cilësie po merrte pjesë aty Gjinovci.

    E njëjta është aktive edhe vet në Facebook, dhe dallohet edhe për komentet lavdëruese që ia bënë kryetarit Rama.

    “Super iniciative, kjo duhej. Është një zonë e përbashkët pune-jetese për banoret, pra e përshtatshme për administrim te bashkërenduar”, i komentoi ajo Kryetarit Rama kur ai promovoi një iniciativë për të bashkëpunuar me komunat që e rrethojnë Prishtinën.

    Sa ishte në garë elektorale, e kishte promovuar në llogarinë e saj.

    Pos që ishte më e shtrenjta në tenderin për digjitalizimin e mësimit ë Kryeqytet, Hulumtimi i Insajderit zbuloi se firma e Gjinovcit ishte edhe pa certifikatë të Administratës Tatimore për TVSh-në.

    Kjo kompani që është në pronësi të Iris Gjinovcit, dhe në Regjistrin e Bizneseve është regjistruar në maj të vitit 2022, një vit më vonë gjendet tek lista e bizneseve që u është anuluar certifikata e TVSh-së- informacion ky është publikuar më 27.09.2023.

    Pavarësisht kësaj, javë më parë komuna që drejtohet nga Përparim Rama doli me njoftimin që “shpërblen me kontrate OE- “Schoolme Implementation & Consulting Sit P.K.-Loco 1. “me cmitni pre.) 256,040.00€” , thuhet në këtë njoftim, raporton Gazeta Insajderi.

    Pa leje të AShI-së e i denoncuar si korruptiv- historia e tenderit që u pezullua

    Publikisht këtë tender e  kishte denoncuar si skandal Ish-nënkryetarja e Prishtinës, Donjeta Sahatçiu.“…me specifika e planifikim buxheti skandaloz”, ka shkruar Sahatçiu.

    Ajo pati përmendur që ishte ajo që nuk e nënshkroi dokumentin që ky tender të shkonte përpara, por këtë e bëri kryetari Përparim Rama.

    “Përparim Rama në dhjetor dha urdhër për fillimin e procedurave të prokurimit për digjitalizim në arsim pa njohurinë time pasi unë, në cilësinë e U.D. Drejtore e Arsimit, nuk pata pranuar të nënshkruaj deklaratë disponueshmërie për një proces të dëmshëm, pa leje nga ASHI, kundër rekomandimeve të auditorit”, pati shkruar ajo duke komentuar që sipas saj ky tender u bë me specifika e planifikim buxheti skandaloz.

    ZKA në raportin për vitin 2022 kishte bërë vërejtje sa i përket projektit për digjitalizimin e mësimit në shkollat në Kryeqytet, duke dhënë edhe një historik më shpenzim të parasë publike në këtë projekt e me dështime.

    “Komuna kishte lidhur kontratë të negociuar për “Implementimin e platformës online për digjitalizim të shkollave”, në shumën totale për vit 174,000€, përkatësisht 14,500€ për muaj, platformë e cila është krijuar paraprakisht nga i njëjti operator ekonomik. Për këtë shërbim, Komuna ka pasur edhe dy kontrata paraprake gjatë vitit 2020 dhe 2021, ku kontrata e parë është lidhur në kohëzgjatjen prej pesë muajsh në shumën 41,500€, ndërkaq kontrata e dytë është lidhur për tetë muaj në vlerë prej 87,760€”, thuhet në raportin e auditorit.

    ZKA konstaton se edhe pse u shpenzuan këto para publike, platforma dështoi.

    “Për veç kësaj, platforma nuk ishte funksionale që nga dhjetori 2022, për shkak të skadimit të kontratës me Operatorin Ekonomik (OE). Për më tepër kodi burimor i platformës është në pronësi të OE.

    Sipas zyrtarëve të Komunës, kjo kishte ndodhur si pasojë e mungesës së njohurisë për kërkesat të tilla.

    Prandaj, kjo tregon edhe mungesë të kontrollit nga Komuna, për procesin që nga inicimi i projektit, po ashtu, edhe në menaxhimin e platformës së kontraktuar, në mënyrë që kjo të jetë në funksion të vazhdueshëm”, thuhet në raport.

    Rregullorja nr. 06/2018 për menaxhimin e projekteve në fushën e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit, përcakton standardet dhe rregullat për inicimin, planifikimin, ekzekutimin, monitorimin dhe kontrollin për menaxhimin e projekteve në fushën e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit. Në nenin 6 përcaktohet që, për inicimin e projektit institucionet marrin pëlqimin paraprak nga Agjencia e Shoqërisë së Informacionit (ASHI).

    Mirëpo, Komuna e Prishtinës nuk kishte marrë pëlqimin paraprak nga ASHI për inicimin e projektit, kërkesë kjo e Rregullores për menaxhimin e projekteve në fushën e Teknologjisë së Informacionit.

    Gazeta Insajderi e kishte pyetur këtë agjenci që kur u ri-shpall ky tender se a ka marrë leje tash, por e njëjta ende nuk është përgjigjur./ Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark