Insajderi
Lajme

Dokumente, vulë e xhirollogari false dhe armë ilegale, Gjykata i lë të lirë grupin e turqve të arrestuar në Kosovë

Insajderi
22 November 2025 - 13:47
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Dokumente, vulë e xhirollogari false dhe armë ilegale, Gjykata i lë të lirë grupin e turqve të arrestuar në Kosovë
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka refuzuar kërkesën e prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj grupit të organizuar kriminal që operonte në Republikën e Kosovës.

Grupi dyshohet se merrej me rregullimin e dokumenteve fiktive për pajisjen e shtetasve turq me lejeqëndrimi në Kosovë, shkruan Insajderi.

Megjithatë, gjykata ku në këtë rast gjykatës ishte Eroll Gashi, ka vlerësuar se kërkesa e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit është e pabazuar.

Sipas arsyetimit, Murat Demertepe dhe Ihsan Kiliq kanë vendbanim të njohur në Kosovë, janë të sistemuar familjarisht, në marrëdhënie pune.

Gjithashtu, Gjykata ka marrë parasysh se të pandehurit kanë garantuar paraqitjen në çdo ftesë, si dhe faktin se Kosova dhe Turqia gëzojnë raporte të mira reciproke.

Gjykata ka vendosur që ndaj tyre të caktohet masa e dorëzanisë.

Krerët e grupit dhe skema e mashtrimit

Sipas burimeve Insajderit brenda ekipit të hetimit, dy personat kryesorë të dyshuar si drejtues të këtij grupi janë Murat Demirtepe dhe Ihsan Kiliç. Këta persona figurojnë si pronarë të bizneseve të ndryshme të regjistruara në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës (ARBK).

Bizneset e tyre funksiononin nën petkun e “zyrave të ndërmjetësimit” për punësimin e të huajve. Skema funksiononte duke sjellë shtetas nga Turqia, shumë prej të cilëve raportohet se kishin të kaluar kriminale në vendin e tyre të origjinës.

Përmes dokumenteve të falsifikuara, këta shtetas regjistroheshin me kontrata pune në kompani fiktive në Kosovë. Më pas, ata aplikonin për lejeqëndrimi me qëllim punësimi.

Dokumentacioni shpesh i referohej punësimit në kompani të njohura si “Wolt”, por edhe në biznese të tjera të cilat, sipas hetimeve, ishin thjesht “në letër” – të regjistruara në ARBK, por pa ushtruar asnjë aktivitet real ekonomik.

Zgjerimi i aktivitetit kriminal

Përveç manipulimit me lejeqëndrimi, dyshimet rëndojnë se grupi arrinte të falsifikonte edhe patentë shoferët e Republikës së Kosovës për klientët e tyre.
Bilanci i operacionit policor

Gjatë aksionit, përveç dy të dyshuarve kryesorë (Demirtepe dhe Kiliç), janë arrestuar edhe disa persona të tjerë, thonë burime te Insajdrir.

Policia ka bastisur disa lokacione, përfshirë banesa dhe zyra që shërbenin si baza për përgatitjen e dokumentacionit të falsifikuar.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark