Klubi me traditë të madhe në futbollin e Kosovës, Liria e Prizrenit së fundmi është privatizuar dhe është bërë me pronarë të rinj.
Gjegjësisht, drejtimin e klubit prizrenas e ka marrë agjenti i mirënjohur, Rahman Kiçe.
Me ardhjen e Kiçe priten edhe ndryshime rrënjësore te Liria e Prizrenit duke filluar nga shtabi teknik.
Burime të FrontOnline mësojnë se Granit Begolli do të largohet nga posti i trajnerit të Lirisë së Prizrenit.
Në vend të tij do të emërohet ish-futbollisti i njohur turk, Ramazan Kursunlu.
40-vjeçari i lindur në Izmir që ka shtetësi të Turqisë dhe Kosovës, do ta marrë drejtimin e Lirisë nga edicioni 2022/23.
Kursunlu si trajner më parë ka drejtuar Turgutlusporin, Balikesirsporin, Menemensporin, Badirmasporin, etj.
Kurse, si futbollist, Kursunlu ka pasur një karrierë të bujdshme duke u aktivizuar në futbollin turk te klubet e mëdha si Besiktas, Rizespor, Adana Demirspor dhe në klube të tjera.
Ndryshe, me Granit Begollin sivjet, Liria e Prizrenit ndodhet në vendin e dytë në Ligën e Parë, me 35 pikë të tubuara nga 22 ndeshje.