×
  • Lajme
  • Insajderi / Ballina 5

    Dosja e Prokurorisë – Bashkim Osmani, pronari i firmës “Laberion” jepte para me fajde, shfrytëzonte situatën e rëndë nga Covid-19

    Insajderi
    04 March 2023 - 22:39
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Orët e hershme të mëngjesit së të enjtes, Policia e Kosovës, Departamenti i Krimeve të Rënda në koordinim me Prokurorinë Themelore në Ferizaj dhe me urdhër të Gjykatës ka kryer bastisje në dhjetë biznese në regjionin e Prishtinës, Ferizaj, Vushtrri e Lipjan.

    Ky aksion policor rezultoi me arrestimin e 14 personave, disa prej të cilëve pronarë të auto salloneve e kompanive të tjera, të dyshuar për fajde, detyrim e shmangie nga tatimi. Gjatë këtij operacioni, u konfiskuan mbi 20 vetura, rreth 84 mijë euro, armë e prova të tjera, raporton Gazeta Sinjali.

    Gazeta Sinjali ka siguruar detaje ekskluzive nga kërkesa e Prokurorisë për caktimin e masës së sigurisë ndaj të arrestuarve, ku kërkohet paraburgim në kohëzgjatje prej 30 ditësh.

    Në mesin e bizneseve që u goditën nga shteti, janë kompania e cila bën prodhimin dhe distribuimin e lëngjeve ‘Dona Laberion’, e cila është në pronësi të biznesmenit llapjan, Bashkim Osmani – tashmë i arrestuar për fajde.

    Ai dyshohet se duke shfrytëzuar gjendjen e vështirë financiare të të dëmtuarit, N.B., nëpërmjet Gëzim Sinanit, i ka dhënë atij 200 mijë euro me fajde, duke i kontraktuar një shumë mujore në vlerë të 12 mijë eurove si fajde.

    E prej tyre, sipas Prokurorisë, 8 mijë euro i ka marrë pronari i kompanisë ‘Dona Laberion’, ndërsa 4 mijë tjerat Sinani.

    Në pamundësi që të paguajë borxhin, i dëmtuari është detyruar t’i marrë edhe 200 mijë euro tjera në kushte të njëjta dhe si rrjedhojë borxhi total kapte shifrën e 1 milion e 96 mijë eurove.

    “Mirëpo në pamundësi që ti paguaj shumat e parave në emër të fajdeve, i dëmtuari është detyruar ti marr edhe 200 mijë euro në kushte të njëjta, kështu që borxhi i të dëmtuarit kishte arritur shumën prej 1 milion e 96 mijë euro, kështu që i dëmtuari është detyruar të marrë një kredi në ‘Ish Bank’ në shumë prej 70 mijë euro, të cilat ja ka dhënë të pandehurit Gëzim dhe një banesë në vlerë prej 70 mijë euro, duke pësuar një dëm pasuror në shumë rreth 330 mijë euro, kurse pjesa tjetër ka mbetur e papaguar”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë të cilën e ka parë Sinjali.

    Nga Bashkim Osmani, i dëmtuari N.B., nëpërmjet Gëzim Sinanit kishte marrë me fajde edhe 80 mijë euro, për të cilat në muaj do të paguante nga 8 mijë euro si fajde.

    Prej pagesës mujore, Osmani kishte marrë nga 6 mijë euro, ndërsa Sinani nga 2 mijë.

    “Ekziston dyshimi i bazuar se në fund të vitit 2021, i pandehuri Bashkim Osmani si pronar i ndërmarrjes prodhuese ‘Dona Laberion’ në bashkëkryerje me të pandehurin Gëzim Sinani, kanë kontraktuar shuma joproporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit për të dëmtuarin N.B., si pronar i ndërmarrjes tregtare “…” për shkak të vështirësive financiare si pasojë e pandemisë nga virusi Covid-19 është detyruar të kërkojë para nga Gëzim Sinani, i cili paratë i kishte marrë nga i pandehuri Bashkim në shumë prej 80 mijë euro, të cilat ja ka dhënë të dëmtuarit, duke kontraktuar një shumë të parave prej 8 mijë euro në muaj si fajde, prej të cilave 6 mijë i ka marr i pandehuri Bashkim, kurse 2 mijë i pandehuri Gëzim, derisa borxhi arrin shumën prej 175 mijë euro, duke pësuar dëm pasuror në shumë prej 95 mijë euro, të cilin obligim e kishte marrë përsipër ta paguaj Xh.Sh”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë.

    Me këto veprime, ata dyshohet se kanë kryer në bashkëkryerje veprën penale ‘Fajdeja’.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark