
Hysri Selimi, i arrestuar nga autoritetet e Kosovës dje, më 06.05.2025, si i dyshuar për spiunazh, sipas Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), është i rekrutuar nga Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë së Serbisë (BIA).
Sipas dosjes së PSRK-së, Selimi ka mbledhur e më pas i ka dhënë informacione BIA-s për numrin e personave të radikalizuar dhe numrin e atyre qytetarëve të Kosovës që kanë shkuar për të luftuar në Siri.
PSRK pretendon se këto nuk ishin informacionet e vetme që i janë dhënë BIA-s serbe.
Në dosjen e saj, Prokuroria Speciale pretendon se Hysri Selimi i ka përcjellë shërbimit sekret të Serbisë informacione edhe për zyrtarë të lartë të partive politike të Kosovës, si dhe informacione rreth institucioneve të sigurisë së Kosovës.
LEXO EDHE:
Sipas dosjes, këto informacione të grumbulluara për BIA-n serbe ishin transmetuar përmes takimeve fizike duke shkuar në territorin e Serbisë.
Prokuroria pretendon se Selimi ishte paguar për këto veprimtari në vlerë deri në 700 euro.
Prokuroria Speciale pretendon se BIA serbe i ka dhënë Selimit edhe telefona të mençur që janë përdorur për të zhvilluar komunikimet me zyrtarët e Serbisë.
Për të gjitha këto pretendime të ngritura nga PSRK, në kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit specifikohet se Selimi kishte qenë nën masa të fshehta të vëzhgimit.
LEXO EDHE:
Prokuroria Speciale ka mbështetur kërkesën për caktimin e paraburgimit në provat që cak kishin vërtetimin se Selimi ishte duke kryer veprën penale të spiunazhit, raporton Kallxo.
Për të konfirmuar një gjë të tillë Prokuroria i ka përgjuar telekomunikimet e Selimit, e ka vëzhguar fshehtë me video në vende publike, ka verifikuar hyrje-daljet e tij nga territori i Kosovës për në Serbi, si dhe konfirmimi nga institucionet e sigurisë së Kosovës se personi me të cilët takohej Selimi për t’i dhënë informacionet është zyrtar i BIA-s serbe.
Selimi gjendet në masën e paraburgimit pasi Gjykata më 07.05.2025 e ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë që t’i caktohet kjo masë.