Sinan Visoka, noter, në grup me Muhamed Dragobuzhën, Jonuz Zhinipotokun akuzohen nga Prokuroria se ia tjetërsuan pronën serbes Verica Çoliq, me qëllim që t’ia shesin në vlerë prej 60 mijë eurosh të dëmtuarit Ardian Vlashi. Avokate mbrojtëse e palës së dëmtuar është Donikë Krasniqi. Gazeta Insajderi ka siguruar dokumentin e përpiluar për akt akuzues të Prokurorisë së Shtetit, ku përveç të sipërpërmendurve thuhet se në arrati është edhe Enver Zhjeqi.
Në dosjen e Prokurorisë të siguruar nga Insajderi, përshkruhet veprimtaria e të akuzuarve që çoi në dëmtimin pasuror të serbes Verica Çoliq dhe Ardian Vlashit.
Prokuroria e akuzon noterin Sinan Visokën për “keqpërdorim të pozitës zyrtare”, ku me ç’rast thuhet se me qëllim të kthimit të pronës së Çoliq në emër të Sejdi Bajogut. Visoka akuzohet nga organi akuzues se ka falsifikuar dokumente si draft-certifikata e pronës dhe kopjen e planit të fotokopjuar. Përmes kësaj, ai ka nxjerrë akt noterial që ia ka mundësuar Bajokut ta shesë pronën në Hajvali prej 1300 metrash katrorë në vlerë prej 60 mijë eurosh.
“Sinan Visoka e ka kryer duke e ditur se dokumentet nuk janë në origjinal, i pandehuri nxjerr akt noterial-autorizim, me çka është dëmtuar pronarja e parcelave Verica Çoliq, pasi që me datën 14.08.2020 i pandehuri tjetër Sejdi Bajogu duke e përdor aktin noterial të lartcekur lidh kontratë të shitblerjes me personi Ardian Vlashi pran noteres Valbona Murtezi-Bytyqi duke e shitur parcelën me numër … në sipërfaqe prej 1300m2 e cila gjendet në fshatin Hajvali sipas kontratës numër … në vlerë prej 60,000.00 (gjashtëdhjetë mijë) Euro, ndërsa me datën 21.09.2020 me Aktvendim nga Drejtoria e Kadastrit e Komunës së Prishtinës me numër … paluajtshme ia (parcela) kalon në emrin e blerësit Ardian Vlashi, me çka me veprimin e të pandehurit i është shkaktuar dëm të dëmtuares Verica Çoliq”, thuhet në dosje.
Në anën tjetër, Muhamed Dragobuzha, Sejdi Bajogu dhe Jonuz Zhinipotoku akuzohen për veprën penale “Mashtrimi”. Në dosjen e gjatë të Prokurorisë, thuhet se duke funksionuar si grup e kanë falsifikuar kopjen e leternjoftimit të Verica Çoliq dhe planit të parcelave. Enver Zhjeqi (në arrati), çdoherë sipas Prokurorisë, thuhet se ka shkuar në Serbi dhe takuar një grua me nënshtetësi serbe, për ta nënshkruar kjo e fundit aktin noterial kinse është Verica Çoliq.
“Jonuz Zhinipotoku, pasi që i ka njohur pronat e të dëmtuarës Verica Colic, së pari i ka dhënë dokumentet e lartcekura të pandehurit Enver (i cili gjendet në arrati) i cili më pastaj ka shkuar në Serbi e ka marr një person të gjinisë femërore të panjohur dhe në zonën neutrale janë takuar me të pandehurin Sinan Visoka dhe e njëjta e ka nënshkruar aktin noterial kinse është Verica Colic, për të pandehurin Sejdi Bajogu”, thuhet në dosje.
“I pandehuri Muahmed Dragobuzha, paraprakisht i ka marr letërnjoftimin të pandehurit Sejdi Bajogu, kinse të njetin ka me autorizuar një serbe Verica Çoliq, për t’ia shit disa prona në Hajvali dhe pasi që i njejti është pajisur me dokumente nga të pandehuirit e parë, e ka marrë të pandehurin Sejdi Bajogu me datën 14.08.2020, duke e përdor aktin noterial të lartcekur lidh kontratë të shitblerjes me personin Ardian Vlashi pranë noteres Valbona Murtezi-Bytyqi duke e shitur parcelen në sipërfaqe prej 1300m2 e cila gjendet në fshatin Hajvali në vlerë prej 60,000.00 (gjashtëdhjetë mijë) euro, ndërsa me datën 21.09.2020 me Aktvendim nga Drejtoria e Kadastrit e Komunës së Prishtinës paluajtshmeria (parcela) kalon në emrin e blerësit Ardian Vlashi”.
Nga kjo ujdi, Prokuroria thotë se përfitoi materialisht Sejdi Bajogu gjashtë mijë euro. Ndonëse në kontratën e lidhur për parcelë figuron shuma 60 mijë euro, Prokuroria thotë se Vlashi ka paguar 59 mijë euro me forma kompensuese, si çimento dhe zhavorr. Gjithsejt i ka kushtuar 119 mijë euro.
Nga dëshmitë e dhëna pranë Prokurori, Insajderi mëson se Dragobuzha është pronar i një firme për distribuimin e çimentos.
Problemet e noterit me ligjin në të kaluarën
Sinan Visoka ka edhe një gjykim aktiv për problemet me ligjin. Ai në cilësinë e noterit akuzohet se kishte shpallur trashëgimtar nipin e jo fëmijët e trashëgimlënësit.
Sipas aktakuzës së ngritur më 30 tetor 2020, i akuzuari Sinan Visoka akuzohet se në cilësinë e noterit më 15 shkurt 2016, kishte përpiluar aktvendim me të cilin kishte shpallë trashëgimtar ligjor të akuzuarin Lirim Mustafa, nip i të ndjerit R.M për ngastrën kadastrale në sipërfaqe 993 m2, duke ia mohuar të drejtën e trashëgimisë ligjore të dëmtuarve, të cilëve iu kishte shkaktuar edhe dëm pasuror.
Sipas Prokurorisë, dy të akuzuarit, ishin marrë vesh paraprakisht në mes vete.
Prokuroria pretendon se deri tek kjo ndarje e pasurisë kishte ardhur pasi Lirim Mustafa kishte bërë paraqitje të rreme të fakteve dhe nuk i kishte informuar trashëgimtarët e tjerë. Në aktakuzë thuhet se noteri Visoka më pas e kishte përpiluar aktvendimin për ndarje të trashëgimisë.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, së ngritur më 14 prill 2015, Enver Zhjeqi akuzohet se nga shkurti i 2012-ës deri në shkurt 2013 në Prishtinë, me qëllim që të përvetësojë sende të huaja dhe të përfitojë materialisht e ka mashtruar familjen e Burim Rekës.
Ai akuzohet se është prezantuar si person ndërlidhës i investitorëve “M&R Invest”, ku ka nënshkruar kontratë me kompaninë “inTECH”, me pronar Shkëlzen Qorraj, me qëllim të realizimit të projektit të banimit kolektiv në lagjen “Tophane” të Prishtinës, i cili pas kontaktit me familjen e Burim Rekës, dhe shprehjes së interesit nga ana e tyre për të qenë bashkë investitorë, ka vënë në lajthitje familjen Reka, duke u thënë anëtarëve të saj, se mund ta rregullojë lejen e ndërtimit.
Kjo pasi Zhjeqi, sipas aktakuzës, është prezantuar si zyrtar i komunës, duke i shtyrë ata që të veprojnë në dëm të pasurisë së tyre dhe të përfitojë nga ata një vlerë të të hollave prej 53,590,00 euro. /Insajderi.org/