Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur dyshime të bazuara ndaj shtetasve Faruk Mazrek dhe djalit të tij, Fariz Mazrek, nga Mamusha, në kuadër të kërkesës për caktimin e masës së paraburgimit. Sipas prokurorisë, dy të dyshuarit ngarkohen për bashkëpunim në veprimtari të strukturuar kriminale që ndërlidh trafikimin ndërkombëtar të narkotikëve me pastrimin e parave përmes sektorit të derivateve.
Në dosjen hetimore të cilën e ka parë Insajderi thuhet se pasuria e krijuar nga të dyshuarit e ka zanafillën nga aktivitetet e jashtëligjshme të narkotikëve. Për t’i futur këto mjete në sistemin financiar, ata shfrytëzuan biznesin e tyre të derivateve të naftës, “PO PETROLL FARIZ”, me seli në Mamushë.
Për të simuluar një veprimtari legjitime dhe metoda me fitime të larta, Faruk dhe Fariz Mazrek akuzohen se kanë ndërtuar një historik të rremë financiar.
Dosja specifikon se nga korriku i vitit 2021 deri në fund të vitit 2022, ata kanë marrë katër kredi të njëpasnjëshme në vlerë totale prej 930,000 eurosh nga një bankë në Prizren.
Këto kredi përdoreshin për të arsyetuar para autoriteteve rrjedhën e parave kesh (cash) që depozitoheshin në llogaritë e biznesit, e cilat dyshohet se ishin të hyra nga trafikimi i drogës.
Sipas kërkesës së prokurorisë, dy të dyshuarit, në bashkëpunim me kompaninë “Standard Petrol sh.p.k.” me seli në Durrës, në pronësi të shtetasve nga Shqipëria K.V. dhe F.V., organizuan transportin e karburanteve përmes portit të Porto Romanos.
Autobotet ngarkoheshin me një përzierje që përmbante 80% deri në 90% ujë natyral dhe vetëm një pjesë minimale naftë reale, duke shfrytëzuar dhoma të fshehura dhe modifikime mekanike brenda cisternave.
Ky mekanizëm shërbente për to mashtruar peshoret dhe kontrollin doganor në pikat kufitare. Pas hyrjes në Kosovë, për këto sasi lëshoheshin fatura fiktive në vlerë të plotë nafte sikur furnizoheshin kompani të tjera në vend, duke krijuar mbulesë kontabël për legalizimin e mjeteve financiare.
Prokuroria Speciale ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit për dy të dyshuarit, duke specifikuar rrezikun e asgjësimit të provave, ndikimit në dëshmitarë si dhe rrezikun e arratisjes së tyre drejt Republikës së Shqipërisë për shkak të lidhjeve logjistike dhe bizneseve të përfshira atje.
Përveç babë e bir, në këtë dosje të Prokurorisë Speciale për të njëjtat rrjete kontrabande, pastrim parash, falsifikim dokumentesh dhe armëmbajtje pa leje, janë të përfshirë dhe po hetohen edhe shtetasit: Skender Kelmendi, Nisret Bajraktari, Dashnim Miftari, Adem Morina, Muhamet Mazrek, Naser Morina dhe Gazmen Quni.
/Insajderi