Artisti “Capital T”, emri i vërtetë i të cilit është Trim Ademi njihet për këngë ku manifestohet luks. Por, a është krejt ky luks nga muzika? Ai është edhe i biri i kreut të Federatës së futbollit kosovar, Agim Ademi. Në Dosjen e Prokurorisë, ndër tjera është bërë me dije që udhëtimi i tij në shtetin e njohur për luks, në Katar, ishte paguar me paratë e kësaj Federate. Insajderi sjell detaje nga kjo dosje.
Gazeta Insajderi
“Ju i doni 100 mijë në Instagram, por unë i dua 100 mijë në një çantë! Ne nuk jemi njësoj”, kështu e kishte reklamuar vizitën e tij në Katar Trim Ademi, i biri i kreut të Federatës së futbollit kosovar, Agim Ademi.
Ai njihet me emrin artistik ‘Capital T’, një rep-artist i njohur për shfaqje luksi nëpër këngët e tij.
Por, a është krejt ky luks nga muzika?
“Asnjëherë mos u pendo për diçka që të ka bërë të buzëqeshësh”…”Jeta vërtetë është e thjeshtë, por ne insistojmë që ta bëjmë të komplikuar”, ishin edhe dy postime të tij më 10 e 11 shkurt 2021, nga Katar, e që në Dosjen e Prokurorisë që e ka siguruar Insajderi është përmendur si vizitë që nuk u bë me paratë e tija- por krejt e kundërta. Atë vizitë, ku “Capital T” fliste për “100 mijë në një çantë” biletën e pagoi Federate e Futbollit të Kosovës që drejtohet nga babai i tij.
“Nga mjetet e FFK-së ka paguar faturën me nr.05/20021 për blerjen e tri biletave të udhëtimit me aeroplan … në shumën prej 3,900.00 euro për veti bashkëshorten… dhe djalin e tij Trim Ademi në destinacioni Prishtinë-Stamboll-Doha të Katarit dhe anasjelltas…”, thuhet në këtë dosje.
Edhe në kallëzimin penal që ishte dorëzuar në Prokurori, ishte tërhequr vëmendja e Prokurorit te ky rast.
“Pika .3 : Agim Ademi ka keqpërdor detyrën zyrtare me buxhetin e FFK-së ka paguar biletat e aeroplanit për familjarët e tij. Agim Ademi me buxhetin e FFK-së me datë 04.02.2021 në agjensionin “Fl…” ka paguar tri bileta te aeroplanit për në Emiratet Arabe në vlerë 3,900euro Fat.05/2021, biletat janë paguar nga FFK për Agim Ademin, gruan dhe djalin e tij”, thuhej në këtë kallëzim penal dhe i kërkohej Prokurorisë që të siguronte provat si hyrje-daljet në kufi, dhe të intervistonte ish-Sekretarin e FFK-së, Eroll Salihu që i kishte blerë këto bileta.
Në kallëzimin penal, pjesa thelbësore e të cilit tash është edhe në Dosjen e Prokurorisë, kur për Agim Ademin u kërkua paraburgim më 23 mars 2023, janë përmendur edhe raste të tjera të veprimeve të dyshimta e më dëm financiarë kundrejt Federatës.
Në kallëzimin penal është përmendur që zyrtari i kësaj federate, Muharrem Sahiti paguhet 2.992,50 euro në muaj, gjithashtu Agim Ademi I ka blere veturë me buxhetin e FFK-së në vlerë 20,000euro tek “Auto …SHPK me datë 13.09.2021, fatura 001-40.
E në Dosjen e Prokurorisë përmendet që “ndonëse vetura është blerë më para të FFK-së ajo është regjistruar në emër privat të Muharrem Sahitit”.
Tutje në këtë Dosje, si kërkesë e Prokurorisë e dorëzuar në Gjykatë, bëhet me dije edhe se Agim Ademi dyshohet se në mënyrë anti-ligjore ka paguar disa zyrtarë, duke i shkaktuar dëm Federatës në afro 30 mijë euro.
“13.07.2021 i ka transferuar të holla anëtarit të Kuvendit të FFK-së dhe atë dy herë nga 2,000.00 euro, ndërsa anëtarit të Këshillit për Çështje Emergjente dhe njëhkosisht edhe i Komiteti Ekzekuti (“KE”) të FFK-së… me datën 07.12.2021 nga mjetet e FFK-së, i ka paguar shumën prej 5,000.00 euro, ndërsa anëtarit tjetër të po këtij Këshillit dhe KE të FFK-së… me datën 19.11.2021 nga mjetet e FFK-së i ka transferuar shumën prej 20,000.00 euro në formë të huazimit, cka me këtë FFK-së i ka shkaktuar dëm financiarë në shumën prej 29,000.00 euro’ thuhet në këtë dokument.
Në kallëzimin penal, por që më vonë si rast përmendet edhe në Kërkesën e Prokurorisë për paraburgosje të Agim Ademit, është përmendur edhe rasti i Feronikelit.
“Pika 17. FFK ka bërë pagesë të kundërligjshme në llogari private të ERLIND KRASNIQI mjete financiare të cilat kanë qenë të dedikuara për KF Feronikelin. Mjete financiare te dedikuara për klubin nga shitja e te drejtave televizive 12.500euro dhe me vendim 25.000 euro janë derdhur në llogari private, ndërsa KF Feronikeli eshte OJQ. FFK me vetëdije ka bërë pagesën në llogarinë private të Erlind Krasniqin duke e ditur faktin se FIFA ka bllokuar llogaritë e KF Feronikelit për shkak të borgjeve që KF Feronikeli ka ndaj futbollistëve. FFK në vend se të respektoj ligjshmërinë dhe te zbatoj vendimin e FIFA-s, me vetëdije i ikë zbatimit te vendimit te FIFA-s. Duke e ditur situatën me vetëdije FFK ia mundëson KF Feronikelit fuzionimin me KF Fortunen dhe ia ruan rangun e njëjtë të garave duke i shmangur detyrimet financiare që i ka të krijuara KF Feronikeli”.
Edhe në kërkesën e Prokurorisë përmendet ky rast.
“…ashtu që me datë 23.03.2022 nga mjetet e FFK-së ka lejuar pagesën e shumës prej 25,000.00 euro, ndërsa me datë 23.03.2022 shumën prej 12,500.00 euro, në xhirollogari private të Erlind Krasniqit ish-kryetar i KF”Ferronikeli”, i cili pastaj i ka përdorur për nevoja të tija private, çka me këtë FFK-së i ka shkaktuar dëm material në shumën prej 37.500.00 euro”, thuhet më tej në kërkesë.
Sipas Prokurorisë, ndaj Agim Ademit ekziston dyshimi i bazuar për veprën penale “keqpërdorim i besimit” ku dënimi parashihet me burgim prej tre muaj deri në 8 vjet.
Ademi dyshohet edhe për shmangie nga tatimi në vlerë prej 8 mijë e 337 euro kur kishte blerë veturën “Tiguan” dhe kur ka transferuar paratë te kryetari i Klubit të Futbollit “Ferronkeli”. Për ‘shmangie nga tatimi” parashihet dënim me gjobë dhe me burgim deri në tetë vjet.
Edhe përkundër faktit që vetë Prokuroria në Prishtinë kishte deponuar një dokument të tillë në Gjykatë, po kjo Prokurori më 29 shtator 2023 kishte nxjerr aktvendim për hudhje të kallëzimit penal.
Muaj më parë, Insajderi përmes InDoks, prodhim i gazetës, kishte transmetuar dokumentarin “‘Huligani’ që zaptoi Federatën e Futbollit”, që mund ta gjeni të plotë këtu:
Në një rast tjetër, më 15 mars 2023, Gjykata Themelore në Prishtinë, ka shpallur aktgjykim lirues ndaj Agim Ademit dhe Muharrem Ramës lidhur me akuzën për detyrim në bashkëkryerje /Gazeta Insajderi/