×
Analiza

Dosja e Prokurorisë | Si funksiononte grupi i akuzuar për terrorizëm në Kosovë?

Insajderi
01 February 2024 - 17:32
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Liridon Beqiri, Besart Veselaj, Ernes Beqiri, Argjend Hoti dhe Altin Salihu nesër (2 shkurt), do të dalin para gjykatës nën dyshimin e kryrjes së veprës penale për shtyrje në kryerjen e veprave terroriste si dhe armëmbajtje pa leje. Insajderi ju sjell detajet se si funksiononte ky grup i akuzuar për terrorizëm në Kosovë.

Në dosjen që ka siguruar Insajderi, bëhet me dije se Liridon Beqiri së bashku me vëllain e tij Ernes Beqirin dhe të pandehurit tjerë Besart Veselajn, Argjend Hotin dhe Altin Salihun nga periudha e panjohur kohore e në vazhdimësi në bashkëkryerje, kanë shpërndarë dhe mundësuar përcjelljen e mesazheve tek persona tjerë në kryerjen e akteve terroriste.

Ata janë takuar në shtëpinë e të pandehurit Liridon Beqiri në fshatin Vitomiricë, komuna e Pejës dhe në shtëpinë e të pandehurit Besart Vesalaj në fshatin Suhogrellë, komuna e Istogut, dhe kanë bërë foto video me uniforma-veshje të luftëtarëve të ISIS dhe armë të gjata duke gjuajtur.

Gjithmonë sipas dosjes, Liridon Beqiri kishte edhe një studio “MOOSTDOPE FILM L.L.C.”, në cilën dyshohet se realizoheshin e modifikoheshin këto video, e pastaj shpërndaheshin në platformën “YouTube”.

Përmbajtjet e videove ishin të rënda.

“…kanë modifikuar dhe përkthyer video të cilat i kanë shpërndarë për publikun në llogarinë në “Youtube” me emrin “ES SUNNEH-TV” video të cilat paraqesin pamje të luftëtareve të Organizatës Terroriste “Shteti Islamik-ISIS” ne të cilat video shihen vrasje masive, ekzekutime dhe tortura ndaj njerëzve të zënë robër si dhe thirrje për besatim e xhihad si “Festa ime është Xhihadi dhe muzika e saj janë plumbat që fluturojnë mbi kokën time”, e shumë shkrim tjera me përmbajtje të njëjtë përmes të cilave të pandehurit kanë nxitur dhe përcjell mesazhe te persona tjerë në kryerjen e akteve terroriste“, thuhet në dosjen e siguruar nga Insajderi.

Në ditën e arrestimit, pra me 15 maj të 2023-ës, policia gjatë kontrollit kishte gjetur dhe sekuestruar pajisje elektronike me materiale propagandistike, të cilat sipas prokurorisë i kanë shpërndarë për publikun.

Bazuar në këto dëshmi, të pandehurit akuzohen se në bashkëkryerje e kanë kryer veprën penale “të shtytjes në kryerjen e veprave terroriste”.

Përveç veprën penale të shtyrjes në kryerje të veprës terroriste, Liridon Beqiri dhe Besart Veselaj dyshohen edhe për armëmbajtje pa leje.

“Të pandehurit: Liridon Beqiri dhe Besart Veselaj prej datës së pa vërtetuar e në vazhdimësi kanë mbajtur në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar armët në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm, në atë mënyrë që në kohë dhe vend të përshkruar në dispozitivin nën I të aktakuzës gjatë zbatimit të urdhëresës së gjyqtarit të procedurës paraprake për urdhër kontroll në shtëpitë dhe objektet përcjellëse të të pandehurve janë gjetur dhe sekuestruar arme, municion, pajisje të armëve si dhe prova tjera”.

Gjatë aksionit të realizuar në vendbanimin e Liridon Beqiraj në fshatin Vitomericë të Pejës, bëhet me dije se janë gjetur dhe sekuestruar një armë e gjatë AK-47, një pistoletë, karikator me dy fishek me Ekol Special EVI3, pjesë e armës së gjate, dy thika, një karikator i AK-47 me 4 fishek 7.62 mm, nje pushkë ajrore, fishek me gaz, gëzhoja dhe prova tjera materiale.

Ndërkohë, jo pak armë janë gjetur edhe tek shtëpia e të pandehurit, Besart Veselaj.

“…ndërsa te i pandehuri Besart Veselaj në shtëpinë e tij në fshatin-Suhogërllë, komuna e Istogut jane gjetur dhe sekuestruar një armë-pistoletë me karikatorë, dy thika dhe prova tjera materiale”.

Çka deklaruar të dyshuarit për terrorizëm para policisë?


Liridon Beqiraj, në ditën e arrestimit e kishte shfrytëzuar të drejtën e tij ligjore duke u mbrojtur në heshtje. Ndërsa, dy muaj pas arrestimit, me datë 31 korrik, para prokurorit kishte dhënë një “arsyetim” për veprat penale për të cilat dyshohet.

Ai kishte deklaruar se armët e gjetura dhe të sekuestruara në shtëpinë e tij i mbanë për çështje sigurie si dhe të njëjtat i kanë shërbyer për xhirimin e një filmi si dhe për videoklipe, meqenëse merret me profesionin regji individuale, po ashtu ka një produksion ku bashkëpunon me artist të estrades.

“Sa i përket fotove e videove që janë gjetura në telefon i njëjti deklaron se nuk ka qenë qëllimi i tij qe këto foto ti shpërndaj në rrjete sociale. I njëjti deklaron se është penduar për veprimet e tij, dhe këto veprime të tij i ka bërë nga mendjelehtësia dhe tani e kupton se veprimet e tij janë të kundërligjshme qoftë mbajtja e armëve apo edhe përdorimi i tyre”, kishte deklaruar ai para prokurorisë, përcjel lnsajderi.

Besart Veselaj kishte vendosur të deklarohej qysh në ditën e arrestimit, teksa pjesërisht e kishte ndryshuar deklarimin pas dy muajve.

Fillimisht, kishte thënë se fotografitë e gjetura në telefonin e tij janë bërë në janar apo shkurt të vitit 2022.

Ndërkaq, armët deklaronte se i ka shitur në treg të zi pasi ka dal nga burgu në një rast tjetër të grabitjes.
Ai konfirmonte se fotografitë me armë janë bërë në shtëpinë e tij. Aty, ai ka treguar edhe për bashkëpunimin e tij me Liridon Beqirajn, dhe si si ra në kontakt me të pandehurit tjerë.

“…ndërsa ka bashkëpunuar me Liridon Beqirin për shkak se i njëjti në Pejë ka një studio, kamerë dhe kompjuter ku kanë shikuar filimin Ditari me permbajtie horror, si dhe video klipe muzikore, aty permes Liridonit ka njohur edhe Altinin dhe Argjendin, ndërsa me Erionin ka pasur shoqëri që nga shkolla meqenese kane qene në një klasë“, thuhet në dosje.

Veselaj, në deklaratën e dhënë në prokurori me datë 07.07.2023, pjesërisht e kishte mbështetur deklaratën e dhënë në polici.

“..një pjesë të deklaratës ai të dhënë në polici ku deklaron se armët me të cilat është fotografuar i ka shitur në Treg të Zi, shton se këtë e ka deklaruar duke qenë i shqetësuar dhe i ndier në presion”.

Ai theksonte se me veprimet e tij nuk i ka shkaktuar dëm askujt, meqenëse fotografitë deklaronte ai se i ka mbajtur në telefonin e tij pa ndonjë qellim që të njëjtat t’i shpërndajë në rrjete sociale.

Në dosje, bëhet me dije se i pandehur Ernes Beqiri (vëllai i Liirdon Beqirit) ka vendosur të qëndrojë në heshtje.

I pandehuri Argjend Hoti, e deklaratën e tij të dhënë në polici me datë 15.05.2023 deklaron se në fotografinë ku shihet me armë në dorë ka qenë dita kur ai e kishte vizituar shokun e tij Liridonin dhe Besartin në fshatin Suhogrellë të Pejës.

Ai kishte treguar se ku saktë ishin realizuar fotografitë.

“…përderisa ishin në ballkonin e shtëpisë se tij duke biseduar me shokët të njëjtit mbanin armë te tipit AK-47 në dorë dhe pasi që është i pasionuar për armët ia kishte marr dhe për një moment deri sa e mbante armën në dorë njëri prej tyre e kishte fotografuar“, thuhet tutje.

Pas vizitës në shtëpinë e Besartit dhe Liridonit, thuhet se me të njëjtit kishin shkuar në një vend dhe kanë shti për qejf.

Pastaj, në deklaratën e dhënë në muajin qershor, ai deklaronte se në periudhën kohore kur kanë ndodhur këto veprime ka qenë i ri dhe pas arrestimit është këshilluar me familjen e tij dhe ka ndryshuar duke mos pasur kontakt me shokët e përfshirë në rast.

“…duke shtuar se këto veprime i ka bërë nga neglizhenca, pasioni për armët por me veprimet e tij nuk i ka shkaktuar dëm askujt”.

I pandehuri Altin Salihu, në deklaratën e tij të dhënë në polici me datë 15.05.2023 deklaron se punon si inxhinier i rrjetit kompjuterik dhe dy viteve ishte punësuar si video editor për Liridon Beqirin i cili ishte duke e realizuar një film të quajtur “Ditari” dhe se me të ka punuar gjatë viteve 2021/22.

“Disa herë e kam vizituar Liridonin në shtëpinë e tij në fshatin Suhogrelle, gjatë vizitës tek shtëpia e tij kam parë armë dhe pajisje ushtarake dhe kam bërë disa foto me armë me Liridonin por në tërësi e mohon kryerjen e veprës penale duke shtuar se asgjë nuk ka të bëjë me atë ideologji apo veprën më të cilën i vihet në barre”, mësohet të ketë thënë ai.

Në ditën kur kishte dalë para prokurorit, Salihi deklaronte se fotot me armë i ka bërë për qejf pa e ditur rëndësinë e tyre por vetëm nga kureshtja dhe nuk kam pasur një qëllim tjetër, duke theksuar se prej momentit të përfundimit të dënimit të shqiptuar nga Gjykata Themelore në Gjilan asnjëherë më nuk ka mbajtur armë dhe se me veprimet e tij fare nuk ka të bëjë me ideologji fetare.

Trupi gjykues ndërkohë vlerësonte se “Mbrojtja e të pandehurve është e paqëndrueshme, e pa pabazuar dhe në kundërshtim me provat materiale të siguruara nga kjo prokurori”.

Liridon Beqiri, Besart Veselaj, Ernes Beqiri, Argjend Hoti dhe Altin Salihu u arrestuan nga Policia e Kosovës me 15 maj të vitit të kaluar, pas disa hetimeve mujore të kryera nga Drejtoria Kundër Terrorizëm në koordinim me Prokurorinë Speciale. Nesër (2 shkurt), pritet të dalin nga gjykatës.

Gazeta Insajderi do t’ju mbajë të informuar lidhur me rastin.

OP-ED
Nga Rubrika

© 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark