Një audio-incizim që e ka siguruar Gazeta Insajderi shfaq pronarët e rrjetit të barnatoreve Rexall, Krenar e Arbnor Alidema tek flasin për lidhje me policë kosovarë edhe në lidhje me biznesin e tyre, por edhe një raport me ikje nga drejtësia për njërin nga ta, për të cilin ka urdhër-arrest edhe nga Gjykata. Ky material shpërfaq edhe natyrën e biznesit të tyre, ku flitet edhe për mbajtje të “mallit në të zezë” në banesë, transportim të tyre tinëz e deri te metodat që përdor njëri vëlla për t’i ikur drejtësisë. Derisa Insajderi po e hulumtonte këtë rast, Prokuroria Speciale tashmë ka nisur një hetim për së paku shpëlarje parash.
Pas hulumtimit për Gazetën Insajderi janë deklaruar nga Inspektorati Farmaceutik. Drejtoresha e Inspektoratit të Farmacisë, Remzie Thaçi, ka konfirmuar se barnatoret Rexall janë gjobitur 11 herë brenda tri viteve.
“Inspektorati Farmaceutik kryen aktivitete inspektuese sipas Planit vjetor të punës, ri-inspektime, inspektime ad- hoc si dhe me kërkesë. Në Arkivën e Inspektoratit Farmaceutik të kërkuar brenda tri viteve të fundit, Barnatoret “Rexall” janë inspektuar sipas Planit vjetor të inspektimeve, ri-inspektimeve, ad-hoc si dhe disa raste me kërkesë/ankesë”, ka thënë drejtoresha.
Për barnat ilegale “mallin në të zezën” për të cilat Arbnor e Krenar Alidema flasin edhe në audio-incizimin e siguruar nga Gazeta Insajderi, Inspektorati Farmaceutik e ka ndëshkuar “Rexallin” me 5 mijë euro gjobë për 5 raste.
Përveç gjetjes së barnave ilegale, Rexall është ndëshkuar edhe për veprimtari tjera që bien ndesh me ligjin. Gjoba kap vlerën e 6 mijë eurove.
“Në të gjitha llojet e inspektimeve, bazuar në të gjeturat janë marrë masa sipas Legjislacionit në fuqi si në vijim: Ndëshkim për barna ilegale gjithsej 5, Ndëshkim për mungesë të recetave gjithsej 2, Ndëshkim për mos etiketim të hapësirës të barnave me afat të skaduar gjithsej 2, Ndëshkim për dhënien e produktit medicinale pa recetë mjekësore gjithsej 1, Ndëshkim për ndërrim të terapisë gjithsej 1”, sqaroi ajo.
Bazuar në atë se çka thotë ligji Për Produkte dhe Pajisje Medicinale nënkuptohet, se për 11 raste për tre vite “Rexall” është gjobitur me 11 mijë euro.
“Sa i përket vlerës së gjobës deri me tani Inspektorati Farmaceutik ka lëshuar gjoba mandatare në vlerë prej 1000€ konform Ligjit 04/L-190 për Produkte dhe Pajisje Medicinale , ndërsa për procedura të mëtutjeshme lëndët janë përcjellur tek Agjencia Për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM) për procedim te mëtutjeshëm bazuar ne dispozitat ligjore ne fuqi, që dmth. se secila gjobë e lëshuar nga Inspektorati ka vlerë 1000€”, ka sqaruar Thaçi për Insajderin.
Gazeta Insajderi tanimë ka kërkuar përgjigje edhe nga Agjencia për Produkte dhe Pajisje Medicinale për të kuptuar më konkretisht, se a është kontrolluar, hetuar “Rexall” për t’i gjetur “mallin në të zezën”. Por, deri në këto momente nuk është pranuar ndonjë përgjigje.
Dosja Rexall | Pas hulumtimit të Insajderit Prokuroria Speciale nis hetimet
Ndërkaq, pas hulumtimit të Gazetës Insajderi, Prokuroria Speciale tanimë ka nisur hetimet për shpëlarje parash.
Edhe pse në Policinë e Kosovës nuk komentojnë për emrat konkret të tre policëve që Krenar e Abrnor Alidema i përmendin në audio-incizimin që e publikon Insajderi, ata i kanë konfirmuar gazetës se pas shqyrtimit të këtij materiali kanë nisur një hetim të ri.
Derisa brenda incizimit Krenar e Arbnor Alidema flasin se si ti grumbullojnë paratë për ta larë një borxh, ata përmendin aty po ashtu motrën e tyre, Dëshirën. Pretendojnë që ajo është pajtuar që të merret me tërheqjen e parave në shuma më të vogla, që shmangin potencialisht detektimin, në shuma nga 3 mijë euro deri në 5 mijë euro.
“Policia e Kosovës pas informatave të grumbulluara ka bërë kërkesë në PSRK (Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës) për autorizim, me qëllim të grumbullimit të provave me dyshimin e bazuar për pastrim të parave. Policia e Kosovës ka autorizim nga PSRK dhe është duke i vazhduar hetimet”, thuhet në përgjigjen e Policisë për Insajderin.
Afro një muaj më parë në redaksinë e Gazetës Insajderi kishte arritur një audio-incizim mbi 40 minuta. Personazhet e audio-incizimit, që del që dikush nga ta edhe e ka bërë atë incizim janë vëllezërit Krenar e Abrnor Alidema, nga familja që ka në pronësi rrjetin e barnatoreve “Rexall”.
Në këtë audio-incizim, Krenar dhe Abrnor Alidema, dhe një person i pa identifikuar krejtësisht, por që i drejtohen si Jakupi, flasin prej mënyrës se si e bartin “mallin” prej banesave, dhe dyshohet se flasin për barna, për tërheqje të parave nga banka në shuma të vogla për të paguar borxhe që shkojnë mbi 50 mijë euro e deri të lidhjet me oficerë të Policisë së Kosovës.
Në këtë audio-incizim që e sjell Insajderi të plotë, përmendën emrat e së paku tre policëve, por aty përmendet lidhja edhe me një policë të katërt që punon në ndërlidhje me Interpol, por të cilit nuk i përmendet emri.
Një hulumtim i Gazetës Insajderi ka gjetur se një nga pronarët e “Rexall”, Krenar Alidema i lindur në korrik 1986, që nga muaji prill i këtij viti ka një urdhër arrest nga Gjykata Themelore në Prishtinë. Ky urdhër-arrest është lëshuar më 27 prill 2022.
Burime të gazetës kanë bërë me dije se Krenar Alidema kërkohet nga autoritete e Zvicrës, i përfshirë në një vrasje.
Gazeta Insajderi ka arritur që të sigurojë edhe një kartel identiteti tjetër për të cilën dyshohet se përdoret nga Krenar Alidema, por që emri në këtë dokument është Korab K. I lindur në vitin 1988.
Në audio-incizimin që ka siguruar Gazeta Insajderi, Krenar Alidema përmend atë që ai e quan rasti i Zvicrës, dhe lidhjet që ai pretendon se i ka me Interpol.
“Krenari: Moti më kanë thënë s’bën me qëndru unë. Arbnori: E pse s’bën, për shkak të Zvicrës a? Krenari: Këqyre, dëgjomë, të tregojë ty diçka, unë njohë njerëz që s’japin informata ashtu qysh po mendon ti, si t’ia nisësh qysh po më bën ti mua, pyetje kështu, s’guxon ti mi bo pyetje atij. Është i naltë brenda. Thotë kështu kështu, si t’ia nis me i bë pyetje kurrë më s’ takohet me ty, kurrë bre kurrë s’ulet tavolinë”, është pjesa e bisedës ku të dy vëllezërit diskutojnë për këtë rast në Zvicër.
Në këtë audo-incizim Krenar Alidema i kërkuar nga shteti zviceran dhe me një urdhër-arrest nga Gjykata në Prishtinë, pretendon se ka lidhje edhe me oficerë policie në vend që kryejnë punë ndërlidhëse me Interpol.
“Krenari: E u kthy njeri zyre kryesor të INTERPOL-it, është shok i këtij, edhe më tha: “ngom Krenar ti masi po shkojë këtë kontakt e ki”, se unë e kom pas kontaktin e Gjelbërimit çka të ka, Gjelbërimi ka pasur me thirr Korabin me i thanë thuaj veç CANI (Krenar Alidemaj), veç Cani ai me shku te Arbeasi, Arbeasi me ardhë tek unë me më tregu që kaq. A pe din, veç qysh është Cani – kodi u kanë që ka ardhë letra e Zvicrës”, thotë Krenar Alidema.
Ai pretendon aty se tash ka kontakt direkt me ata që bëjnë ndërlidhje me Interpolin në Kosovë dhe deri tash, edhe pse nga prilli 2022 kërkohet edhe nga Gjykata në Prishtinë, nuk ka ndonjë njoftim publik se është arrestuar Krenar Alidema.
Gazeta Insajderi ka pritur për më shumë se dy javë për të marrë përgjigje nga Policia e Kosovës për këtë audio-incizim, të cilëve ua ka ofruar të plotë, por edhe pas dy javës nga ky institucion nuk ka pasur asnjë përgjigje konkrete për tre emrat e policëve që i zënë në gojë Krenar e Arbnor Alidema në bisedën e tyre.
Aty përmenden me emër së paku tre policë: Graniti, Blerimi dhe Luani. Në Policinë e Kosovës nuk kanë dhënë përgjigje konkrete edhe nëse këta tre zyrtarë policie kanë pasur rastet e “Rexall” nën hetim, ose nëse të njëjtit pos punës zyrtare të tyre kanë pasur edhe raporte të tjera me Krenar e Arbnor Alidemën.
Rasti i Zvicrës, Interpoli dhe kodi ‘Cani’
Derisa Krenar Alidema pretendon që e ka në kontakt njeriun kryesor, siç thotë ai, të ndërlidhjes me Interpol dhe se kodi për ta njoftuar atë është “Qysh është Cani?”, në Policinë e Kosovës nuk kanë kthyer përgjigje konkrete se a ka ndonjë zyrtar që mban kontakt me Krenar Alidemën, të kërkuar nga Zvicra.
“Policia e Kosovës gjegjësisht Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar në fushën e zbatimit të ligjit me kërkesë të Gjykatës Themelore në Prishtinë ka ndërmarrë veprime sipas kërkesës së Gjykatës, në emër të kërkesës për ndihmë juridike ndërkombëtare të dërguar nga autoritetet Zvicerane dhe përgjigja i është dhënë Gjykatës kompetente”, thuhet në përgjigjen e Policisë.
Edhe pse Insajderi i kishte ofruar Policisë së Kosovës audio-incizimin për ta shqyrtuar në mënyrë që të merrte ndonjë përgjigje konkrete për tre emrat e oficerëve policorë të përmendur në këtë material, dhe oficerit të katërt që nuk i përmendet emri por Alidema pretendon se është në njësinë ndërlidhëse me Interpol, në këtë institucion nuk kanë treguar se cilat masa konkrete janë ndërmarrë.
“Policia e Kosovës në të gjitha rastet ku pranon/posedon informacione për përfshirje të mundshme të ndonjë punonjësi të saj, i trajton dhe adreson sipas procedurave të parapara”, është përgjigja e vetme e pranuar nga Policia pas dy javë pritjesh.
Gazeta Insajderi merr vesh nga burime të vetat se Inspektorati Policor i Kosovës është duke zhvilluar së paku një hetim paraprak për këtë audio-incizim.
“Malli në të zezë” në banesë i pronarëve të barnatores Rexall
Në këtë audio-incizim prej mbi 40 minutash, Krenar e Arbnor Alidema në prani edhe të personit të tretë të identifikuar vetëm si ‘Jakupi’, flasin edhe për atë që ata i referohen si malli. Nuk zbulojnë se a bëhet fjalë për barna apo ndonjë mall tjetër, por biseda e tyre zhvillohet në drejtimin që atë duhet ta transportojnë në mënyrë të padiktueshme.
Derisa janë duke folur për mënyrën se si, sipas Krenar Alidemës do ta njoftoi njeriu i tij në Polici, i ndërlidhur me njësinë ndërlidhëse për Interpol, ai kalon tek biseda për “mallin”.
Paraprakisht ai zbulon se kurdo që janë gati për ta arrestuar, ‘njeriu i tij’ do ta njoftoi së paku dy ditë më herët, derisa ky do të përdorë metodën e shmangies së arrestimit duke vendosur në derën e banesës se ajo lëshohet me qira.
Papritmas Arbnor Alidema e pyet të vëllain e tij, Krenarin se “E qysh ti mos me ia dhënë çelësat?” e ai i përgjigjet se “Mi lypi një palë çelësa”, pa treguar se kush ia ka kërkuar, por duket se mirëkuptohen se kush po i kërkonte.
“Jo sot, atë ditë ka ardhur ajo menjëherë për mall, atë ditë kam dashtë me ia dhënë unë, e kisha shti kah banesa jem, në atë hyrjen tjetër ta kisha heq, ta kish zhdukë”, thotë Arbnor Alidema, derisa Krenari i thotë se “për mallin e patëm ndryshe strategjinë, mallin desha unë me largu prej poshtë”
“Arbnori: Qysh prej poshtë? Krenari: Teposhtë me qit. Arbnori: S’ki nevojë. Krenari: Lokal poshtë e me qit përmasë se e pruna kombin përmasë. Arbnori: Po jo se s’ki nevojë hiç, ti e qet kah banesa jem, qe ku e qet, kah banesa jem, kah bodrum e qet përmasë që kush njeri i gjallë nuk të sheh. Hiç kurrkush nuk të sheh. A e ke largu a? A e ki mallin aty? Krenari: Po .Arbnori: Jepja çelësat Jakupit, unë me Jakupin e kapim mallin e qesim kah banesa jem kah ordinanca, bodrum poshtë prapa edhe fijuu ikë malli edhe më kallëzon ku po do me ta çu”, është një prej pjesëve të dialogut mes vëllezërve.
Ata në një pjesë tjetër të bisedës i referohen edhe si “malli i zi”.
“Thuaj u kry le ti qet te motra edhe thuaji u kry kjo farë pune edhe thuaj jepja çelësat menjëherë, kështu ia bon. Ti jepmi mu çelësat ta heq mallin në të zezën prej banesës së vogël”, i thotë Arbnor Alidema vëllait të tij Krenarit.
Tutje ata e vazhdojnë bisedën, dhe Arbnori kërkon të sigurohet se nuk ka “mall në të zezën”
“Jakupi: Aty ka veç pampersa. Arbnori: Mos t’është malli në të zezën se pampersa p.sh… në të, s’janë kurrgjë. Ato çelësa i them jepja edhe Dëshirës, nuk ka nevojë me thy derën as kurrgjë. Mall të zezën s’ki aty. Krenari: Jo bre Bardhi, ky i ka të banesës së vogël , të voglës, sot i çova diku, kurrgjë s’ka, mirë është. Arbnori: S’ka mall në të zezën?”
Audio-incizimi i plotë:
Biseda për “malin në të zezën” vazhdon ende derisa Krenari e pranon që ai lloj malli gjendet tek ai.
“Arbnori: E ku janë ku është ky malli në të zezën. Krenari: Tek unë është. Arbnori: Ti duhesh me u zhduk. Krenari: Si te kryejmë me qeta. Unë kështu ashtu po du mu zhduk, mi kry qeto punë, mi definu. Jakupi: Në atë shtëpi le të shkon le të rrënon do muaj, deri të qetësohen krejt”, thuhet në një pjesë të bisedës.
Insajderi për më shumë se dy javë ka pritur një përgjigje nga vëllezërit Alidema për këtë incizim, dhe veprimet e dyshimta që përmendën në të.
Edhe pse pyetjet u janë dërguar në të gjitha e-malet që i kanë pasur të deklaruar zyrtarisht nëpër regjistër të bizneseve, në faqet e tyre në rrjete sociale si dhe janë kontaktuar përmes të gjithë numrave të tyre që ka arritur ti sigurojë Insajderi, nga ta nuk është pranuar asnjë përgjigje.
Sulmi ndaj pronarit të Rexall e zjarret në barnatore – lajmërimi i rastit nga njeriu në arrati
Një muaj pasi që i ishte lëshuar urdhër-arresti edhe nga Gjykata Themelore në Prishtinë, krenar Alidema në gjendje arratie kishte marrë në duar të tij lajmërimin e një rasti ku viktimë ishte një nga pronarët e barnatores “Rexall”.
Në e-mailin e datës 24 maj, të dërguar nga e-mail adresa [email protected] te ministrja e drejtësisë, drejtori i Policisë, Oda e Noterëve të Kosovës dhe një numër i personave të tjerë, siç raporton Sinjali, Krenar Alidema pretendonte se është viktimë e një keqpërdorimi nga noterja Valbona Murtezi-Bytyqi dhe personat Bekim Maloku dhe Agim Spahiu, keqpërdorim ky që sipas tij po i kushton qindra mijëra euro dëm financiar e emocional.
Ajo që bie në sy, përveç tjerash në këtë email, është edhe fakti se Alidema pretendon se ka identifikuar sulmuesit e pronarit të barnatores ‘Rexal’, të cilët në mënyrë tinxare e rrahën brutalisht para disa ditësh, përballë barnatores. Sipas tij, personat që qëndrojnë mbrapa këtij sulmi janë Veton dhe Albert Cakolli (vëllezër) nga Prishtina.
Citat nga emaili: “Me datën 22.05.2022 ne ora 02:15 të mëngjesit, persona të maskuar kanë sulmuar brutalisht me shufra vëllanë tim dr. Dashnor Alidema, pronar i barnatores REXALL 2, e cila gjendet ngjitur me lokalin në fjalë. Personit që i hiqet maska nga Dashnor Alidema gjatë sulmit është Veton Cakolli ndërsa personi tjetër më i dobët mendoj se është vëllau i tij më i madh Albert Cakolli (nr tel 048-107-105), të dy njërëz të afërt të Agim Spahiut. Duke e ditur te kaluarën kriminale te Agim Spahiut te cilen mund ta verifikoni edhe ne Polici, unë, së bashku me të gjithë antarët e familjes po ndihemi të kërcënuar për jetët tona.”
Borxhi ndaj ‘Agimit’
Në audi-incizimin që e publikon Insajderi, Krenar e Arbnor Alidema flasin për një borxh që ia kanë personit me emrin Agim, që besohet se është Agim Spahiu.
Agimi në këtë audio-incizim përmendët 12 herë, në pjesë të ndryshme të bisedës.
“Arbnori: Kur takohesh ti me Agimin, Dëshira i ka paret, Dëshira shkon i nxjerr ka 3 mijë, 4 mijë, 5 mijë çdo ditë kapak unë mundohem sa më shpejt me ia bë 10 mijë deri javën tjetër mundona edhe borxh hi edhe paret e tua që i ki me ja dhënë 50 mijë edhe paret 108 mijë, i bëjë komplet paret e thirri Jakupin, i them Jakup na nuk takohem. U kry pagimi jonë”, thuhet aty.
Audio-incizimi i plotë:
Tutje Arbnor Alidema thotë se ai do ta thërras Agimin dhe se atij nuk i transferohen paratë me arsyetimin se nuk është nënshkruar transferi.
“Të hënën pas orës 2 ja bojë, ja shtyjë tash ti të hënën para orës 2 e thirri i thua mos mi qet njëherë le ti qet te motra, thuaje edhe s’kanë nevojë me i tërheq më. A po kupton?”, bisedojnë dy vëllëzërit për borxhin që ia kanë Agimit.
E tërë biseda rreth personit me emrin Agim, që pranojnë që i kanë borxh, zhvillohet në drejtimin se si të krijojnë një situatë që të mos ia japin paratë, duke u arsyetuar në vonesa në transaksione e bllokada në bankë. Në këtë veprimtari, për gjoja ti ikur kërij borxhi e përmendin edhe motrën e tyre, Dëshirën.
Sipas Krenar Alidemës, në e-malin që e kishte dërguar në maj 2022 tek institucionet e zbatimit të ligjit, motivi i sulmit ndaj pronarit të barnatores ‘Rexal’ lidhet me një marrëveshje biznesore, në mes tij dhe personit Bekim Maloku, me të cilin pretendon se në vitin 2020, kishin blerë së bashku një lokal në Prishtinë, në vlerë të 500 mijë eurove.
Citat nga emaili: “Në vitin 2020 kam qenë bashke blerës i një lokali 58m2 në Prishtinë së bashku me Bekim Malokun ne vlerë 500.000.00€ ku shitës ishte Lulzim dhe Aida Qerkini – të njohur të Bekim Malokut. (Gjeni te bashkangjitur dokumentin). Pagesa ka qenë e ndarë në 2 pjesë nga 250’000€, dhe pjesën time të pagesës prej 250’000€ e kam bërë menjëherë në xhirollogarinë e shitësit të lokalit z.Lulzim Qerkini dhe si dëshmi po i prezantoj edhe dokumentet në vijim.”
Kjo marrëveshje, që sipas tij më vonë është ndryshuar e tjetërsuar në mënyrë të kundërligjshme nga noterja dhe personat e lartpërmendur është sebep i mosmarrëveshjeve dhe kërcënimeve të njëpasnjëshme, që u kulmuan me sulmin ndaj vëllait të tij, pronarit të barnatores.
Citat nga emaili: “Po mundohem ta shpjegoj rastin në detaje: Noterja znj. Valbona Murtezi Bytyqi së bashku me dy persona të njohur të saj Bekim Maloku, me të cilin ka lidhje familjare dhe Agim Spahiu (mbiemrin e meparëshëm ALIU), me nofken ‘Agim Morri i Bregut të Diellit’, kanë organizuar një skemë zhvatjeje në dëm te pasurisë sime. Me datën 14.05.2022 e kuptova se Bekim Maloku, në bashkëpunim me Noteren Valbona Murtezi – Bytyqi dhe Agim Spahiu, ne muajin Shkurt 2022, kishin bërë ndërrimin e bashkëblerësit përmes një aneks kontrate duke e vënë Agim (Aliu) Spahiun në vendin tim përmes Noteres së lartëpërmendur (gjeni te bashkangjitur dokumentin).”
Ky ndryshim i kontratës, sipas Alidemës, është bërë në zyrën e noteres pa prezencën dhe aprovimin e tij, madje as që është njoftuar për këtë ndryshim.
Citat nga emaili: “Unë as nuk kam nënshkruar ndryshimin e kontratës, as nuk jam njoftuar, as nuk kam qenë prezent kur kanë ndodhur të gjitha këto ndërrime. (Si deshmi gjeni te bashkengjitur dokumentin.) Sic shihet me lartë, te lartëpërmendurit po tentojnë të më marrin pronën për të cilën kam paguar 250’000€, për më tepër përmes Noteres duke i shkelur te gjitha procedurat ligjore.“
Në këtë email ai ka bashkëlidhur edhe aneks kontratën me të cilën pretendon se i është tjetërsuar kundërligjshëm prona e tij.
Krenar Alidema, siç kishte raportuar Sinjali, Krenar Alidema dyshohet nga autoritet kosovare për së paku nxitjen e dy personave që t’i vinin flakën barnatores ‘Rexal’ në Prishtinë.
Në shtator 2021, një pikë e “Rexall” ishte vënë në flakë, dhe deri tash nuk dihet publikisht se a është arrestuar apo edhe gjykuar dikush për këtë rast.
Edhe në nëntor të vitit 2020, një pikë e barnatores “Rexall” ishte vënë në flakë, por as për këtë rast nuk dihet publikisht se kush është vënë para drejtësisë, nëse është vënë dikush.
Bizneset e Alidemajve
Sipas regjistrit të Bizneseve Krenar Alidema është pronar i vetëm në biznesin “ON PHARM” i regjistruar në vitin 2019 dhe që është ende aktiv. Është po ashtu pronari i vetëm i “Rexall SH.P.K.” e regjistruar së fundmi, në korrik 2019, dhe që është ende aktive.
Përmes numrit të tij personal, Arbnor Alidema figuron tash për tash në Regjistrin e Bizneseve vetëm si pronar i një biznesi individual me emrin tregtar “Rexall”, i regjistruar në vitin 2010, por që aktualisht e ka statusin: Biznes i shuar.
Dashnor Alidema, në anën tjetër, përmes numrit të tij personal ka tregjisturar këto biznese: “PREMIUM REXALL SH.P.K”, “DAKI PHARM SH.P.K.”, “REXALL B SH.P.K.”, “ALFAVIT SH.P.K”, dhe “Nori B.I.”, biznes i shuar ky i fundit.