
Juristi, Bekim Korça në prill të 2023-ës, i premtoi Lirije Gashit, vajzës së të ish-burgosurit politik, Sadri Imerit se do t’i nxirrte një shumë parash nga Shoqata e të Burgosurve Politikë për babain e saj të ndjerë. Pasi mori autorizimin për të vepruar në emër të saj, Korça i transferoi shumën prej 21 mijë euro në llogarinë e tij, pa e informuar Gashin. Gjykata Themelore në Gjilan, fillimisht i vendosi masën e arrestit shtëpiak prej 1 muaj, vendimi nga Prokuroria u cilësua si favorizues ndaj të pandehurit, duke i dhënë argumentet që ai duhet të paraburgoset. Korça, sipas avokates së palës së dëmtuar, theu masën e arrestit shtëpiak dhe si rrjedhojë tashmë është dërguar në paraburgim.
Bekim Korça po akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i besimit”, duke e mos njoftuar Lirije Gashin për transferimin e shumës prej 21,329 euro nga Shoqata e të Burgosurve Politikë.
Gazeta Insajderi ju sjell detajet e rastit.
Avokatja e familjes së viktimës, Elvira Haziri ka thënë se nga fillimi kishin kërkuar që Korça të dërgohet në paraburgim.
“Ne kemi kërkuar që ky rast të merret me seriozitet, por në herën e parë Gjykata vendosi që të mos i caktonte paraburgim, por vetëm arrest shtëpiak”, ka thënë ajo.
Haziri shtoi se kanë tentuar të arrijnë marrëveshje me të pandehurin, për t’ia kthyer paratë klientës së saj, por i njëjti nuk e ka mbajtur fjalën
“Gjatë kësaj periudhe ne kemi tentuar të arrijmë marrëveshje që të kthente paratë. I dyshuari ka thënë që po, por nuk e ka mbajtur fjalën”, ka thënë ajo duke bërë me dije se familja e viktimës ishin të gatshëm të bënin zgjidhje.
Çka thuhet në kallëzim penal?
I dyshuari Bekim Korça, duke vepruar me qëllim dhe vetëdije të plotë, dhe duke dashur të përfitoj nga kryerja e veprës penale me qëllim që vetes ti sjellë dobi pasurore të kundërligjshme, ka keqpërdorur besimin e viktimës/të dëmtuarës, duke ia keqpërdorur mjetet financiare në vlerë prej 21,329.30 (njëzet e një mije e treqind e njëzet e nëntë) euro, të cilat me autorizim të viktimës, i dyshuari i kishte pranuar në llogarinë e tij financiare nga Shoqata e të Burgosurve Politik-Kosovë, për kompensimin e të drejtës në kompensim të ish të burgosurit politik, ish të dënuarit dhe të ish përndjekurit Sadri Imeri (babain e të dëmtuarës), në burgjet jugosllave.
“Edhe pas kompensimit, tansferit të mjeteve financiare në llogarinë e të autorizuarit (tani më të dyshuarit) Bekim Korça, i njëjti nuk e kishte njoftuar fare të dëmtuarën, por këto mjete financiare dyshohet se i ka përvetësuar për nevoja të tij personale“, thuhet në kallëzim penal.
I dyshuari, është intervistuar në prezencë të avokatit të tij mbrojtës, dhe pas intervistimit, me aktvendim të prokurorit Prokuroria Themelore në Gjilan e kishte ndaluar në qendrën e paraburgimit për 48 orë.
Në qershor të këtij viti, vajza e ish-të burgosurit politik e kishte autorizuar Korçën për t’ia kryer shërbimin.
“Më datë 13.06.2024, Lirije Gashi ka raportuar në NJHRKEK-Gjilan, se Bekim Korça, i kishte premtuar se do t’i nxirrte paratë nga Shoqata e të Burgosurve Politik për babanë e saj Sadri Imeri, një ish i burgosur politik, ish i dënuar dhe ish i përndjekur në burgjet jugosllave, dhe lidhur me këtë sipas saj, Bekim Korçës, i kishte dhënë një autorizim te noteri për ti ndërmarrë veprimet për sigurimin e mjeteve për kompensimin e dëmit financiar nga Shoqata e të Burgosurve Politik“.
Sipas kallëzimit penal, pas kompletimit dhe shqyrtimit të dokumentacionit, Shoqata e të Burgosurve Politik, i kishte lëshuar mjetet financiare në llogarinë e të dyshuarit Bekim Korça, në vlerë prej 21,329.30.
I dyshuari në vend se ť’i transferonte paratë në llogarinë e Lirije Gashi, të njëjtat para i kishte tërhequr nga llogaria dhe dyshohet se i përdorur për nevojat e tij personale, duke keqpërdorur besimin e të dëmtuarës.
Në intervistën e zhvilluar me të dëmtuarën Lirije Gashi, e njëjta ka përshkuar në mënyrë të detajuar marrëveshjen dhe veprimet e të dyshuarit Bekim Korça.
Njësia Kundër Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, madje kishte parashtruar edhe një kërkesë me shkrim ndaj Komisionit Qeveritar, për të pasur një pasqyrë më të saktë.
“Për të pasur informata të sakta lidhur me pretendimet e palës së dëmtuar, NJHRKEK-Gjilan, më datë 25.06.2024, kemi parashtruar një Kërkesë me shkrim, drejtuar Komisionit Qeveritar për njohjen e statusit të ish të dënuarve dhe të përndjekurve, në mënyrë që të na sigurojë të gjitha dëshmitë mbi transferin e mjeteve financiare për ish të burgosurin politik në burgjet jugosllave z. Sadri Imeri në llogarinë financiare të të autorizuarit Bekim Korqa i lindur më 23.10.1972,…. në numrin e llogarisë ….. në Raiffeisen Bank, mjete financiare të lëshuar nga Thesari i Kosovës më datë 13.04.2023”.
Vetëm pastaj, ishte mësuar se Komisioni kishte vendosur t’ia njoh të drejtën e kompensimit ish-të burgosurit politik.
“Të njëjtën ditë, nga Komisioni Qeveritar, kemi pranuar kopjen e dosjes së lartshënuar dhe kemi vërejtur se Komisioni Qeveritar më datë 06.10.2020, kishte marrë Vendim për njohjen e të drejtës në kompensim të ish të burgosurit, ish të dënuarit dhe të ish të përndjekurit politik z. Sadri Ilaz Imeri nga fshati Sllatinë e Epërme-Viti, në shumën e mjeteve financiare në vlerë prej 21,329.30 Euro”, thuhet në kallëzim, përcjell Insajderi.
Pas transferimit të mjeteve, Korça dyshohet se kishte filluar t’i tërhiqte pjesë-pjesë.
“Te gjitha këto mjete financiare ishin transferuar në llogarinë e të dyshuarit Bekim Korça më datë 13.04.2023, të cilat mjete, sipas gjendjes së llogarisë financiare, i dyshuari Bekim Korça kishte filluar ti tërheq pjesë pejsë nga llogaria, pa i treguar fare të dëmtuarës se Shoqata e të Burgosurve Politik, kishte nxjerr Vendim dhe paratë kanë kaluar në llogarinë e tij përderisa ajo personalisht e ka kuptuar se paratë ishin lëshuar nga Thesari i Kosovës në llogarinë e të dyshuarit Bekim Korça“.
Sipas avokates, dëshmitë dhe provat tregojnë se Bekim Korça ka marrë paratë dhe nuk ka ndërmarrë veprime për t’iu përmbajtur autorizimit të tij, çka përputhet me akuzat për keqpërdorim të besimit dhe mashtrim.
Për veprimin e kundërligjshëm të Korçës, u njoftua edhe prokurorja e rastit.
“Lidhur me këto veprime është njoftuar prokurorja e lëndës znj. Kujtesa Fazliu, e cila na ka sugjeruar që të intervistohet i dyshuari lidhur me veprimet e tij dhe më pas të njoftohet me përmbajtjen e deklaratës së të dyshuarit”.
Çka tha Korça para hetueseve?
I dyshuari, Bekim Korça ishte ftuar disa herë për intervistim.
“Më datë 21.06.2024, të dyshuarit Bekim Korça ia kemi dorëzuar Thirrjen Zyrtare për të dyshuarin, që të paraqitet në intervistë më datë 24.06.2024, ora 10:00, por i dyshuari, më datë 24.06.2024, ora 09:42, na e përcjell një mesazh nëpërmjet telefonit dhe njofton se është i sëmurë dhe nuk mund ti përgjigjet ftesës, duke i bashkëngjitur një Raport Mjekësor të Ordinancës “Diagnoza”.
“Përsëri të dyshuarit më datë 01.07.2024, i kemi lënë një Thirrje Zyrtare të paraqitet në intervistë më datë 02.06.2024, ora 09:30”.
Në fillim të muajit korrik, ai u intervistua në prezencë të avokatit të tij.
Fillimisht kishte përmendur se si për 8 vite Lirije Gashi kishte pritur për kompensim, dhe se si i kishte sugjeruar të kompletonte dokumentacionin.
“Në dëshminë e tij ka deklaruar se pasi qe 8 vite, Lirije Gashi me familjen e saj, kishin pritur në Shoqatën e të Burgosurve për kompensimin e dëmit, dhe nuk kishin arritur ta realizonin të drejtën e tyre, në bisedë me Lirijen është kërkuar nga ana e Lirijes që të angazhohet lidhur me këtë lëndë dhe sipas tij, është angazhuar përmes autorizimit të dhënë nga ana e Lirijes dhe dy vëllezërve të saj, ku e ka kuptuar në Shoqatë se arsyeja e mos realizimit të pagesës së dëmit ishte për shkak të mungesës së dokumenteve nga”.
Sipas të dyshuarit, më pas e ka rregulluar këtë dokumentacion dhe është realizuar kompensimi i mjeteve financiare, nga Thesari i Kosovës në vlerë prej 21,359.30 euro.
I dyshuari ka konfirmuar se mjetet financiare i ka tërhequr nga llogaria por sipas tij i ka në posedim, por nuk do t’ia transferoj Lirije Gashit dhe familjes së saj përderisa Gjykata nuk bie ndonjë Vendim lidhur me këtë çështje.
“Sipas të dyshuarit, Lirije Gashi e kishte përcjellë lëndën në përmbarim ku më pas i dyshuari e kishte prapësuar duke deklaruar se mjetet do ti transferoj në llogarinë e tyre pas shpalljes së trashëgimtarit ashtu siç e ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Gjilan, përmes prapësimit të përmbarimit nr. P.nr.265/2024″, thuhet në kallëzim.
I dyshuari Bekim Korça nuk e ka mohuar faktin se i ka paratë e viktimës, por është arsyetuar se do ti kthej kur gjykata të marr vendim për trashëgiminë.
“Kjo çështje për rregullimin e trashëgimisë nuk është kërkuar nga ana e familjes së Lirije Gashit, ndërsa i dyshuari Bekim Gashi, ka pasur për obligim që në momentin e transferit të parave nga Thesari i Kosovës ti bartë në llogarinë e Lirije Gashit, e cila në dëshminë e saj ka deklaruar se për këtë marrëveshje Bekim Korça i kishte kërkuar 20% të shumës totale”.
Këtë fakt, në deklaratën e tij e ka kundërshtuar Bekim Korça.
NJHRKEK-Gjilan, ka zhvilluar Intervista me palën e dëmtuar e cila e përshkroi marrëveshjen dhe veprimet e të dyshuarit Bekim Korça.
Në intervistën e tij, i dyshuari Bekim Korça, pretendoj se kishte për qëllim ti ndihmonte zonjë Lirije Gashi dhe sipas tij nuk i ka keqpërdorur mjetet por nuk do ti bartë në llogarinë e të dëmtuarës përderisa gjykata të nxjerr vendim.
NJHRKEK, ka shqyrtuar dokumentet e dorëzuara nga të dy palët, kemi bërë analizën e regjistrimeve financiare dhe në fund të hetimit kemi zbuluar se Bekim Korça, ka ndërmarrë veprime konkrete duke i kontaktuar institucionet përkatëse, me ç’rast më datë 13.04.2023, nga Thesari i Kosovës në llogarinë e tij financiare janë bartur mjetet në vlerë prej prej 21,359.30 Euro.
I dyshuari, e ka fshehur faktin se i ka pranuar paratë, dhe nuk i ka treguar viktimës, deri sa ajo personalisht e ka kuptuar se paratë kanë dalë në llogarinë e të dyshuarit Bekim Korça.
Paratë janë tërhequr nga llogaria e Bekim Korçës pjesë-pjesë që shihet në gjendjen e llogarisë financiare dhe nuk ka dëshmi që e dokumentojnë përdorimin e tyre sipas autorizimeve të tij.
Dëshmitë dhe provat tregojnë se Bekim Korça ka marrë paratë dhe nuk ka ndërmarrë veprime për të realizuar autorizimet e tij sipas marrëveshjes së nënshkruar në zyrën noteriale, çka përputhet me akuzat për keqpërdorim të besimit dhe mashtrim.
“Nuk janë siguruar prova që tregojnë se i dyshuari Bekim Korça, ka pasur qëllim të realizojë qëllimin e marrëveshjes”.
Me 2 korrik të këtij vitit, avokatja bëri me dije se për të gjitha veprimet dhe dëshmitë e grumbulluara u njoftua prokurorja e lëndës Kujtesa Fazliu, e cila ka sugjeruar që ndaj të dyshuarit Bekim Korça të ngritët Kallëzim Penal, për veprën penale Keqpërdorimi i besimit, me aktvendim të të cilës, i dyshuari Bekim Korça është ndaluar për 48 orë.
/Insajderi