×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Dosti i Kurtit lihet jashtë dialogut për dinarin, guvernatori Ismaili s’e mori me vete në takim

    Insajderi
    27 February 2024 - 16:29
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Ndonëse s’kanë bërë të ditur se në çfarë përbërje do të shkojnë, nga BQK’ja kanë njoftuar për pjesëmarrjen në takim në Bruksel në kuadër të dialogut për dinarin.

    Nga fotografitë e shpërndara nga emisari i BE’së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, shihet se pjesëmarrës në takim përveç guvernatorit Ismaili ka qenë edhe zëvendësguvernatori Dardan Fusha dhe ambasadori i Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami. Mirëpo, në takim s’ishte edhe dosti i Kurtit, Milot Cakaj, shkruan Gazeta Insajderi.

    Lajçak ka shpërndarë fotografitë në platformën ‘X’, ku ka kërkuar takime të mëtutjeshme për rregulloren e re të BQK’së, që përfshin edhe ndalimin e dinarit.

    “Mirëpres angazhimin e palëve për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme për komunitetet e prekura nga rregullorja e fundit e BQK-së. Takimi i sotëm i Dialogut ishte një hap i parë i rëndësishëm, por shumë pyetje politike mbeten pa përgjigje. Do të nevojiten takime shtesë”, tha Lajçak.

    Cakaj është prezantuar si ekspert financiar nga vetë Zyra e Kryeministrit kur e kishte emëruar këshilltar për çështje financiare Kurti.

    Dosti i Kurtit ka provuar të tregojë zotësi në financa edhe në CV-në e tij që ia ka dërguar BQK’së. Në të, ka prezantuar përvojë disavjeçare në Raiffeisen Bank, si dhe përvojë në Cacttuss Business Solutions.

    Megjithatë, guvernatori Ismaili duket se e ka lënë Cakajn jashtë dialogut.

    Kujtojmë se sipas Ligjit për BQK’në, zëvendësguvernatorët kanë të drejtë edhe të zëvendësojnë guvernatorin në rast të mungesës së tyre.

    Para se të zhvillohet takimi, BQK’ja kishte konfirmuar pjesëmarrjen pa treguar përbërjen se kush do të shkojë për të biseduar për çështjen e dinarit.

    Ismaili sot i ka thënë Radios Evropa e Lirë gjatë takimit janë diskutuar modalitetet teknike se si mundet të vazhdojë financimi nga Serbia, përmes kanaleve ligjore dhe transparente në llogari bankare të përfituesve në euro, bazuar në propozim e BQK-së dërguar te Banka Popullore e Serbisë”.

    “Nuk ka asgjë tjetër dhe as nuk kemi pranuar diskutime tjera”, ka thënë Ismaili.

    “Rregullorja është në fuqi dhe nuk ndryshohet. Zbatimi i saj nuk vihet në diskutim. Mundësi ligjore ka për transfer legal. Nëse gjithmonë Serbia ka gatishmëri t’i shfrytëzojë ato”, është shprehur ai.

    Akterë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë refuzuar kategorikisht që ta bëjnë pjesë të dialogut vendimin për dinarin. Ata e kanë quajtur BQK’në institucion të pavarur dhe kanë thënë se dinari s’është valutë e Kosovës. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark