Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës, për kryetar të Suharekës, Dr. Ardian Shala, vizitoi sot Budakovën, ku para banorëve shpalosi pjesë nga programi i tij qeverisës.
Shala, theksoi se programi zhvillimor për Budakovën ka të bëjë me përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve. Më tej, ai prezantoi edhe projektet konkrete për këtë zonë: Rregullimi i ujësjellësit në fshat, rregullimi i kanalizimit, rregullimi i shtatë rrugëve lokale në fshat dhe ndriçimi, ndërtimi i rrugës Budakovë-Papaz, si dhe faza e parë hapja e rrugëve fushore dhe malore.
Ndër të tjera, Shala tha se platforma e LDK-së, ka për synim trajtimin e barabartë të qytetarëve para ligjit, pavarësisht origjinës apo bindjes politike, ndërkaq shtoi se subvencionet do të jepen sipas ligjit dhe kritereve pa përjashtim.
“Do të vazhdojmë të takojmë dhe dëgjojmë qytetarët tanë në mënyrë që idetë dhe propozimet e tyre të jenë ato të cilat projektet tona i bëjnë më cilësore”, tha Shala në fund të vizitës.