Kandidatja për deputete nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Diana Shehu Devaja, ka falënderuar qytetarët e Vitisë për mbështetjen që i kanë dhënë subjektit të saj politik, duke e cilësuar atë si dëshmi të besimit në ndryshim dhe zhvillim.
Përmes një postimi publik, Shehu Devaja theksoi se Vitia ka treguar se besimi i qytetarëve është forca kryesore që sjell ndryshime pozitive në vend.
“Vitia dëshmoi se besimi i qytetarëve është forca që sjell ndryshimin. Faleminderit për mbështetjen e jashtëzakonshme për Partinë Demokratike të Kosovës në Viti”, u shpreh ajo.
Sipas saj, mbështetja e qytetarëve do të shndërrohet në angazhim për punë, zhvillim dhe mirëqenie, ndërsa shtoi se PDK synon të ofrojë një drejtim të ri për Kosovën.
“Bashkë e kthejmë besimin në punë, zhvillim dhe mirëqenie. Bashkë e ndalojmë krizën dhe i japim Kosovës drejtimin që meriton”, ka deklaruar kandidatja për deputete, Diana Shehu Devaja.